4nëntor 2015 – Në Shqipëri jetojnë në varfëri ekstreme mbi 100 mijë fëmijë. Deputetja e PD-së, Albana Vokshi, e cila është njëkohësisht kryetare e Komisionit të Çështjeve Sociale, e dha këtë fakt gjatë zhvillimit të seancës në prag të 20 nëntorit, dita e Deklaratës së Konventës së të Drejtave të Fëmijëve. Shqipëria e ratifikoi këtë dokument 10 vjet më vonë në vitin 1999. Gjatë fjalës së saj, Vokshi vlerësoi angazhimin e kryeparlamentarit Meta dhe deputetëve të tjerë për të lobuar avancimin e të drejtave të fëmijëve, ndonëse sipas saj realiteti është i trishtë. Aktivistët e të Drejtave të Fëmijëve raportohen këto shifra:
-mbi 100.000 mijë fëmijë në Shqipëri jetojnë në kushte të varfërisë ekstreme;
-mbi 40 % e fëmijëve, të cilët ndjekin arsimin parauniversitar janë të uritur, të paveshur dhe në kushte të diskriminimit social.
– kërkesa për të siguruar një vakt ushqimi falas në shkollë për fëmijët e varfër dhe rishikimi i ndihmës ekonomike për cdo familje është parë si zgjidhje urgjente nga aktivistët e të drejtave të fëmijëve.
-ndërkohë që Organizatat ndërkombëtare vënë alarmin për numrin në rritje të fëmijëve të rrugës që tashmë ka shkuar mbi 50 mijë.
“Sot është momenti t’i bëjmë pyetje vetes: a kemi bërë sa duhet ne deputetët për këta fëmijë? A ka bërë shoqëria civile aq sa duhet? Ligjet që kemi kaluar në Parlament a kanë ndikuar në përmirësimin e jetesës së tyre? Fakti që shifrat ulërasin të çon në atë që nuk kemi bërë sa duhet!!! Si shtet e shoqëri u kemi një borxh të madh fëmijëve që janë e ardhmja e shoqërisë shqiptare”, tha Vokshi.
Ajo e vuri theksi se duhet një strategji për fëmijët e familjeve azilante që po i kthejnë në Shqipëri, pasi nuk ka mundësi integrimi për ta.
/portali DurresLajm/