4 nëntor 2015 – Xhemile Zeka dhe familjarët e saj kanë mbërritur nga fshati Karinë i Peqinit për të operuar bashkëshortin me gurë në tëmth në spitalin e Durrësit.

“Erdhëm para një jave, bëmë planifikimin e operacionit. Bashkëshorti Beqir Zeka është pensionist 70 vjeç. Në Peqin nuk ka mjekë fare, është spitali copë-copë, në Elbasan bëmë të gjitha analizat dhe erdhëm në Durrës për të bërë operacionin. Të shkonim në Tiranë atje ka shumë radhë e shumë rrëmujë. Këtu është më qetë. Përveç kësaj, ne premë një faturë 20 mijë të vjetër për shtrim dhe më pas do të shohim.

Deri tani mjekët nuk na kanë kërkuar para, na kanë parë që jemi pensionistë por të shohim deri në fund”, thotë e moshuara.

Ndërkaq, të afërmit e saj thonë se patjetër që për çdo operacion paguhet mjeku, infermierët anestezisti, i gjithë ekipi mjekësor.

“A të bëjnë operacion pa para mjekët në Durrës? Asnjëherë nuk ndodh. Para duan, por të bëjnë edhe punë të mirë, se andej nga vijmë ne nuk ka mjekë fare”, thonë të afërmit e pacientëve në spital.

Spitali i Durrësit pret pacientë nga e gjithë Shqipëria e mesme

Spitali i Durrësit nuk po pret vetëm pacientët nga qytetet fqinje, por edhe nga e gjithë Shqipëria e mesme. Pacientë nga Elbasani, Peqini, Gramshi, Rrogozhina, Fieri, Lushnja e Kavaja, po marrin shërbimet kryesore. Mesatarisht 10% e planifikimeve i takojnë pacientëve nga rrethet. 5 pacientë në ditë planifikohen për rezonancë magnetike dhe skaner në spitalin e Durrësit, me një mesatare mujore prej 120 pacientësh. Rreth 15 pacientë të tjerë planifikohen për operacione, nga ata të lehtë, deri tek operacionet e vështira të zemrës e të kokës.  

Por edhe në urgjencë ka një fluks të madh pacientësh nga rrethet.

Ndërsa numri i pacientëve që i drejtohen repartit të urgjencës është edhe më i lartë, duke arritur në rreth 60 mijë. Edhe numri i traumave që mbërrijnë në këtë urgjencë është i lartë, rreth 300 janë trauma në muaj, duke nisur nga rëniet prej lartësive, aksidentet etj.

/K.H. portali DurresLajm/