30 tetor 2015 – Jorgo Ilia, 60 vjeç, ka mbetur në udhëkryq për të ardhmen e familjes së tij. Ka tre vjet që sorollatet në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile në Tiranë, në zyrën e gjendjes civile në Kavajë, në Ministrinë e Brendshme e në Ministrinë e pushtetit lokal, gjithandej, por pa gjetur një zgjidhje.

I moshuari, thotë me lot në sy se familja e tij po paguan gabimet e punonjësve të shtetit. Djali i tij Miltjan Ilia, 32 vjeç, prind i 2 fëmijëve të mitur e në pritje të fëmijës së tretë, nuk mundet të regjistrojë fëmijët në gjendjen civile.

32-vjeçari jeton në Itali, emigrant prej vitesh, por nuk mund të kthehet dot as në Shqipëri, pasi afati i pasaportës i ka përfunduar, e nuk mund të pajiset as me pasaportë biometrike. Shkak është bërë gabimi i një punonjëseje të gjendjes civile Gosë, në vitin 2012, kohë kur është bërë edhe regjistrimi elektronik i popullsisë. Që atëherë kanë nisur problemet e familjes nga Gosa e Kavajës.

Me lot në sy e në dëshpërim të thellë, i moshuari tregon se askush nuk i ka dhënë zgjidhje, e tashmë është dorëzuar përballë indiferencës totale të strukturave të shtetit.

“Ku të shkoj, ku të përplasem, të gjitha dyert mi përplasin në fytyrë e nuk më japin zgjidhje. Bashkëshorten e kam të shtruar në spital, djali ynë me fëmijët ka mbetur në Itali! Nuk mund të vijnë dot, gruaja nuk mund të shohë nipat. Nuk është faji im që e kanë regjistruar gabim në gjendjen civile”, thotë banori i Gosës.

Historia e mbiemrit të familjes Ilia

Në vitin 1991, kjo familje emigroi në Greqi për 10 vjet. Në 12 tetor të vitit 1993 me vendim gjykate, Masar Saraçi ndërroi emrin në Jorgo Ilia, ndërsa bashkëshortja Nazime në Aleksia Ilia. Çifti ka dy vajza dhe një djalë, Miltjanin, i cili dy herë është pajisur me pasaportë me gjeneralitetet Miltjan Jorgo Ilia. Por në vitin 2012, në gjendjen civile është shkruajtur me emrin Miltjan Saraçi, ndërsa trungu familjar është me mbiemrin Ilia. 

/K.H. portali DurresLajm/