28tetor 2015 –  Në kuadër të muajit antitrafik në Durrës janë zhvilluar veprimtari të shumta ndërgjegjësimi.

ME NXËNËSIT

Në shkollat 9-vjeçare “Maria Kaçulini” dhe “Jusuf Puka” u zhvilluan evente me nxënësit e klasave 7,8 dhe 9, ku merrni pjesë edhe përfaqësues nga tryeza teknike, psikologët e shkollave dhe inspektori i zonës. U diskutuan tema të tilla si: ç’është trafikimi, faktorët që ndikojnë në trafikimin e fëmijëve, format e trafikimit, pasojat që sjell tek fëmijët etj. Gjithashtu në shkollën 9-vjeçare “Muharrem Dollaku” në Shijak u ekspozuan pikturave dhe u recituan poezi të nxënësve për trafikimin përshkruajnë të gjithë takimin. Gjatë diskutimeve nxënësit u njohën me aplikacionin Raporto-Shpëto dhe numrat e telefonave se ku duhet të drejtohen për trafikimin. Psikologu i shkollës kishte përgatitur dhe një pjesë teatrale me nxënësit me temë trafikimin.

ME GRATË E PAPUNA

Në mjediset e zyrës rajonale të shërbimit kombëtar të punësimit u organizua takim informues me të papuna të rrezikuara ndaj trafikimit, lidhur me shërbimet që ofron zyra e punës dhe projektet e nxitjes së punësimit. Takimi u zhvillua në formën e bashkëbisedimit me gratë e interesuara ku nuk mungonin dhe ato të cilat ishin punësuar dhe dhanë përvojën e tyre.

ME STUDENTËT

 

Në Universitetin “Aleksandër Moisiu” (UAMD) u organizua forumi i hapur rinor me studentë dhe pedagogë, ku ishin të pranishëm edhe prefekti i qarkut Rolant Xhelilaj,  zëvendësministret Elona Gjebrea dhe Nora Malaj, ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri Nicholas Cannon  zëvendësrektori Kristaq Kume, si dhe përfaqësues nga policia e shtetit, etj. U theksua rreziku i madh që paraqet trafikimi i personave për shoqërinë si dhe hapat e mëtejshëm për të ulur efektet negative të kësaj dukurie. U tha se çelësi për suksesin në luftën kundër trafikimit është bashkërendimi institucional dhe sensibilizimi i të gjithë shoqërisë nëpërmjet parandalimit, si dhe përfshirja në kurrikulat arsimore të temave që kanë të bëjnë me trafikimin. Në diskutimet e tyre studentët e universitetit u bënë pjesë e këtij procesi dhe e kauzës së vullnetarëve, e cila do të përfshijë studentët në të gjithë vendin.

Ç’THONË NDËRKOMBËTARËT

Institucioni i Prefektit në bashkëpunim me organizatën “Terre Des Hommes” (TDH) dhe USAID organizuan tryezën e përbashkët me temë: “Trafikimi dhe mekanizmat e mbrojtjes së fëmijëve”. Të ftuar për të shkëmbyer përvoja ishin përfaqësues të TDH nga Afrika e Veriut, Hungaria dhe Zvicra. Nëpërmjet studimit të rasteve konkrete dhe ndarjes në grupe të pranishmit nxorën në pah cilat janë grupet e fëmijëve më të rrezikuara, mosha e tyre, gjinia, vendndodhja si dhe masat emergjente që duhet të marrin strukturat, grupet multidisiplinare për të mbrojtur këtë kategori të rrezikuar.

/portali DurresLajm/