12 tetor 2015 – Nëse nxënësit nuk do të paguajnë për llampat e dritave në klasa e korridore, mësimi do të bëhej në errësirë, e nëse nuk do të paguajnë për të salduar karriget, ata s’do të kenë mundësi të ulen në banka. Lista është e gjatë, duke nxjerrë në pah se çfarë kushtesh u ofrohen nxënësve në institucionet ku duhet të merret dije, se çfarë ndodh realisht, e pse arsimi publik prej vitesh nuk gjendet në pritshmëritë e duhura.

Por sa fonde kanë marrë shkollat nga bashkia për vitin shkollor? Çfarë baze materiale?

3 kosha, 3 kova me 3 shtupa, 10 llampa ndriçimi 220 vatëshe, 4 dryna por dy prej tyre ishin jashtë funksioni. Këto janë për të gjithë vitin. Sapuni, fshesat dhe shtupat vijnë çdo muaj. Këto kanë dërguar me faturë tatimore në çdo shkollë. Ndoshta kaq e kanë mundësinë të bashkisë.  

Disa prej drejtuesve të shkollave kanë reaguar pas një sërë shkrimesh problematike të trajtuara nga portali “DurrësLajm”, për ankesat e prindërve që u kërkojnë para mësuesit në shkolla. Mbledhjen e parave nga nxënësit, e ka zyrtarisuar ish-ministri i Arsimit Genc Pollo me një udhëzim të vitit 2007, numër 29.

Udhëzimi

Udhëzoj për grumbullimin dhe përdorimin e të ardhurave nga dhurimet e prindërve të nxënësve të shkollave të arsimit parauniveristar.

Kërkesat drejtuar prindërve miratohen nga bordi i shkollës.

Kërkesat miratohen nga stafi pedagogjik, lista e këkesave i propozohet bordit të shkollës. Prindërit duhet të pajisen me një kupon tatimor.

Të gjitha fondet duhet të kalojnë në një llogari bankare, ndërsa blerjet bëhen me faturë tatimore, dhe dokumentacioni ruhet për tre vjet”, janë pikat kryesore të këtij udhëzimi, ku nënvizohet se paratë janë dhurim dhe jo detyrim, për asnjë prind.  

Por çfarë ndodh realisht?

Të gjithë nxënësve të shkollave, u komunikohet nga mësuesit kujdestarë në shkollat ku mësojnë në arsimin nëntëvjeçar e të mesëm, si dhe në kopshte, të marrin nga prindërit 10 mijë lekë të vjetër për shkollën. Paratë u dorëzohen mësuesve kujdestarë, mësuesit drejtuesve të shkollave, që me bordin e shkollës i kalojnë në bankë për nevojat e vetë shkollës. Prindërit këtë e quajnë diskriminim, sepse shumë prej tyre nuik mund t’u bëjnë dhurata fëmijëve të tyre, dhe jo më shkollës për bazën materiale, për të cilën duhet të kujdeset pushteti lokal.

Moza Guleksi, drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare “Nënë Tereza” në Durrës, në një reagim për “DurrësLajm” tha:

“Nuk mund të mbaj përgjegjësi se çfarë bëjnë shkollat e tjera, por di që prej një viti që drejtoj këtë shkollë, ne nuk i detyrojmë nxënësit të pagujanë tarifën 10 mijë lekë. Ka disa nxënës në klasa që nuk i paguajnë sepse prindërit e tyre nuk kanë mundësi. Po kështu të përjashtuar nga donacioni janë fëmijët e prindërve me ndihmë ekonomike sociale, invalid etj., që vijnë nga shtresa vulnerable.

Mbledhja e të ardhurave bëhet mbi kërkesat që u adresojmë prindërve në bazë vullnetare. Prindërit pajisen me një kupon për paratë. Për çdo nevojë që ka shkolla shpenzohen paratë me procesverbal e kupon tatimor.”

Shkollat publike asnjë investim nga bashkia

Guleksi nënvizon se: “Para një viti që e kam marrë unë këtë shkollë ne kishim nevojë urgjente për ndriçim në klasa. Çdo klasë me 40 nxënës kishte vetëm një llampë 40 vatëshe, dhe nxënësit nuk shikonin njëri-tjerin, jo më librat. Unë i kërkova ndihmë rajonit të bashkisë dhe ata na siguruan fuqinë punëtore, ndërsa shkolla bleu materialet për ndriçim.

Problem tjetër imediat i një viti më parë ishte laboratori i informatikës. Asnjë prej 15 komjuterëve nuk ishte në punë. Të gjithëve iu ishte vjedhur RAmi, ose memoria. Me fonde të shkollës kemi bërë të mundur që 10 komjuterë të jenë në punë aktualisht, ndërsa 5 të tjerë i kemi në proces riparimi. Kush i vodhi ramët në komjutera unë nuk e di, kështu i gjeta kur më sollën drejtoreshë këtu.

Shkolla kishte vite të tëra që ishte pa u lyer e pa rikonstruksion. Edhe nëse shkolla ishte rikonstruktuar, asnjë gjë nuk ishte siç duhet. E lyem shkollën me fondet që mblidhen nga prindërit. Që nga boja e printerit e deri te poçat që vendosen për ndriçim në shkollë, blihen nga paratë që japin prindërit. Nuk mund të ndërhyj. I kërkova bashkisë rregullim sistemi të rrjetit elektrik, por nuk u bë gjë. E bëmë vetë”, thotë drejtoresha.  

Por përse u është mbledhur 10 mijë lekëshi këtë vit fëmijëve të kësaj shkolle?

“Këtë vit 10 mijë lekëshi u kërkohet nxënësve për lyerje, mirëmbajtje, bazë material, rregullimin e 200 karrigeve, shtrimin e pllakave të banjës që ishin të thyera e të shkatërruara. Erdhën punonjësit dhe kanë salduar 200 karrige, ne mendonim se do ishin 30, por ishin 200. Punimet u bënë në verë para nisjes së vitit arsimor. Bashkëpunim kemi me rajonin përkatës dhe Drejtorinë Arsimore. Por shkollat duan shumë vëmendje dhe shumë investime. Tani ne kemi një shkollë model në Durrës”, thotë drejtoresha e “Nënë Terezës”. 

/K.H. portali DurresLajm/