7 tetor 2015 – “Ku të shkoj? Burri më ndau, dhe familja e burrit nuk më pranon në shtëpi. Në shtëpinë e prindërve nuk ka vend ku të rri. Në shtëpinë e prindërve janë 7 veta në një dhomë, ndërsa unë jam me djalin 2 vjeç, pa asnjë të ardhur e asnjë dritë shprese.”

Kështu e nis rrëfimin e saj 23-vjeçarja Tefta Gjeci, nënë e një fëmije 2 vjeç, e cila pret vendimin nga gjykata e Durrësit, pasi bashkëshorti e ka paditur duke i kërkuar divorcin.

“Ka 11 muaj që na hodhi në rrugë, na nxori nga shtëpia dhe shkak ishte vjehrra, e cila nuk më donte. Në këta 11 muaj nuk ka pyetur ansjë ditë për djalin as kur ka qenë sëmurë. Po unë ku të shkoj, nuk kam para as të marr avokat. Gjykata duhet të vendosë që të mos mbetemi të pastrehë”, thotë 23-vjeçarja.

“Unë isha nga Librazhdi, erdha në Durrës te halla, punoja në rrobaqepësi. Familja e burrit nga Skrapari, nga fshatrat e thellë. Më panë, dhe erdhën e kërkuan dorën te halla. Kështu u martova kur isha 19 vjeçe. Para martese, te familja e burrit më mbanin mirë, nuk më bënin llafe apo sherr. Punoja në rrobaqepësi vetëm unë, dhe ushqeheshin burri dhe prindërit e tij, se pa punë ishin. Deri ditën që linda kam punuar në rrobaqepësi, bëja edhe punët e shtëpisë duke gatuar e gjithçka tjetër.

Vjehrra donte vetëm sherr. Ajo ishte sebep i ndarjes. Nëse ulesha, thoshte pse u ule, pse shlodhesh. Nëse flija, thoshte pse fle. Po të flisja thoshte pse flet. Të mos flisja, pse nuk flet? Ma nxiu jetën, ndërsa burri mbante anën e së ëmës. As kur martova motrën nuk më linin të shkoja te prindërit e mi që ishin në Librazhd. Më përzunë nga shtëpia, dhe shkova te halla. Pastaj te prindërit në fshat. Po atje janë 7 veta me një dhomë. Nuk kanë kushte të më mbajnë edhe mua me fëmijë. Babai është i sëmurë e më tha t’i dal jetës vetë përballë”, thotë 23-vjeçarja, e cila nuk kërkon asgjë tjetër përveç se një strehë.

Tefta u paraqit sot në seancën e pajtimit që bëhet nga gjykata, por shpresat për pajtim janë të pakta, për të thënë se nuk ekzistojnë fare, sepse bashkëshorti sipas saj, ecën ende me mendjen e prindërve.

“Para 7 muajsh erdha te dera e burrit, i lashë djalin, por e mbajtën vetëm 5 minuta e ma solli prapë te halla. Në këto 11 muaj nuk është kujtuar të pyesë fare për të. Nuk i ka blerë sikur një çokollatë. I thashë që të dalim më vete, të marrim shtëpi me qira e të punojmë e të rrisim djalin, por më tha se nuk ndahet nga prindërit. Tani ka marrë avokat dhe vjen në gjykatë për të bërë divorcin. Unë dua që gjykata kur të japë vendimin të shikojë se ku do të na lërë neve. Nuk dua të japë ansjë lekë ushqim për djalin, por një dhomë ku të srehohemi, të fusim kokën. Do punoj në rrobaqepësi e do ta rris tim bir.”

Numri i divorceve në Durrës ka arritur kulmin

Mestarisht nga 10 deri në 12 çifte në ditë i drejtohen gjykatës së Durrësit për shkurorëzim. Po kështu nga tri deri në katër persona në ditë kërkojnë urdhër mbrojtjeje nga gjykata, duke shkuar drejt divorcit të sigurt. Fenomeni i divorcit në çifte ka shkaqe të shumta, por kryesoret janë shkaqet ekonomike-sociale, dhe disniveli kulturor brenda ciftit.

Burime nga gjykata e Durrësit bëjnë me dije se numri i divorceve ka arritur kulmin, dhe institucioni i familjes është në rrezik, si rezultat i kërkesave të larta, të cilat nuk vijnë nga një grup i caktuar shoqëror, por nga të gjitha shtresat pa përjashtim.

/K.H. portali DurresLajm/