6 tetor 2015 – Ndryshimi i një prej neneve të Kodit të Punës, i cili i jep të drejtën punëdhënësit të detyrojë punonjësin të punojë deri në 200 orë shtesë në vit, ka ngjallur debate në Komisionin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë. Sipas kryetares së këtij komisioni, Albana Vokshi, ky nen i Kodit të ri shkel hapur të drejtat e punonjësit, ndaj duhet të ndryshohet.
Por, sipas zv.ministres së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Gentjana Sula, orët shtesë do të negociohen në momentin e nënshkrimit të kontratës mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, çka do të thotë se do të bihet dakord paraprakisht për numrin e orëve shtesë që do të jetë i detyruar të bëjë një punonjës. Por, sipas Vokshit, në këtë rast nuk bëhet fjalë për negocim, çka mund të krijojë situata deri në largim nga puna. “Nuk ka negocim, por urdhërim. Punonjësit duhet t’i ofrohet mundësia ‘o bëj punë shtesë, ose refuzoji këto orë’. Por, në këtë formë punonjësi hidhet në rrugë”, u shpreh Vokshi.
Më konkretisht, në nenin 33 të projektligjit të mbërritur në Kuvend, thuhet se: “Punëdhënësi mund të urdhërojë, në mënyrë të njëanshme, kryerjen e orëve shtesë të punës, por jo më shumë se 200 orë në vit”. E shprehur në këtë formë, duket qartë se Kodi i ri nuk lë hapësira për negocim, pasi në të thuhet shprehimisht se mund të detyrojë punëmarrësin për t’i kryer këto orë pune.
NDRYSHIMET
Kodi i ri i Punës, i cili do të diskutohet nëpër komisionet parlamentare, parashikon edhe një sërë ndryshimesh të tjera. Sipas një prej ndryshimeve, punonjësit e administratës publike, që largohen nga puna, por me vendim të formës së prerë nga gjykata duhet të rikthehen në vendin e mëparshëm të punës, nuk do e kenë më këtë të drejtë.
Po ashtu, parashikohen ndryshime edhe sa u përket grave gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes së fëmijës. Sipas Kodit të ri, do të ndalohet puna për gratë shtatzëna 35 ditë para lindjes dhe 63 ditë pas lindjes, nga 42 ditë që është aktualisht. Vetëm pas periudhës 63-ditore të paslindjes, gruaja vendos vetë nëse dëshiron të punojë ose të përfitojë nga sigurimet shoqërore. /GSH
/portali DurresLajm/