Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi se ka arrestuar tetë policë, të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Sipas njoftimit për media, operacioni i koduar “Jugu” u realizua në orët e hershme të mëngjesit në tre lokacione në Prishtinë.

Të arrestuarit dyshohen për: “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, “Cënim të së drejtës për ushtrimin e mjetit juridik”, “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim ndikimi dhe falsifikim të dokumentit zyrtar”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Policor.

Po ashtu bëhet e ditur se në cilësinë e provave janë konfiskuar sende të ndryshme. Hetuesit e Inspektoratit paralajmëruan edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast.