25 shtator 2015 – Shqiptarët megjithëse janë të varfër, janë ata që sakrifikojnë financiarisht më shumë për t’u arsimuar në krahasim me vendet e BE-së.
Sipas Eurostat, në vitin 2014 familjet e Bashkimit Europian shpenzuan mesatarisht 1.1 për qind të buxhetit mujor për shkollim. Niveli më i ulët i këtij treguesi është në Lituani, ku familjet shpenzojnë mesatarisht 0.5 për qind të buxhetit për shkollim, ndërsa ekstremi më i lartë shënohet në Greqi me 2.1 për qind. Kjo i bën grekët popullin që shpenzon më shumë për t’u arsimuar brenda Bashkimit Europian si përqindje ndaj buxhetit të disponueshëm.
Por, nëse merr rastin e Shqipërisë vëren që kampionët e BE-së mbeten dy herë pas. Sipas Institutit të Statistikave, në vitin 2014 familjet shqiptare dedikuan për shkollim 4.2 për qind të shpenzimeve konsumatore për arsimin. Kjo është 2 herë më shumë se sa Greqia dhe gati 4 herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian.
Të dhënat zyrtare tregojnë se pesha e shpenzimeve për arsim në buxhetet e familjeve shqiptare është rritur me ritme të shpejta nga viti në vit.
Rritja e fortë e peshës së shpenzimeve për arsim gjatë viteve të fundit mund të jetë e lidhur me disa fenomenë. Së pari zgjerimin e universiteteve private dhe së dyti me faktin që shqiptarët tani kryejnë më shumë vite shkollimi.
Sipas Instat, gati gjysma e fondeve që familjet shpenzojnë për arsimin shkojnë për programet master. Por cilado qoftë arsyeja, shifrat tregojnë se në Shqipëri të shkollohesh është një sakrificë jo e vogël, të paktën nga ana financiare.
Dhe pas miratimit të ligjit të ri për arsimin, gjasat janë që në vitet e ardhshme shkollimi të bëhët edhe më i shtrenjtë, duke marrë gjithmonë e më shumë nga buxheti i familjeve.
/portali DurresLajm/