24 shtator 2015 – Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka uruar qytetarët durrsakë dhe të gjithë shqiptarët me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Dako, krerët e tjerë vendorë, deputetë dhe zyrtarë të Bashkisë së Durrësit kanë qenë për vizitë në selinë e Komunitetit Mysliman në xhaminë e qytetit të Durrësit ku janë pritur nga myftiu i Durrësit Redi Quku dhe personalitete të tjerë të komunitetit mysliman të qytetit.
Gjatë kësaj vizite kryebashkiaku Dako ka bërë urimin e tij për besimtarët myslimanë:
“Uroj besimtarët myslimanë, qytetarët e Durrësit dhe të gjithë shqiptarët për festën e Kurban Bajramit.
U uroj të gjithë qytetarëve sa më shumë paqe, harmoni e dashuri mes tyre që janë pikërisht mesazhet që përcjell kjo ditë e shënuar. Kurban Bajrami është festa e sakrificës, solidaritetit, humanizmit si dhe harmonisë, ku të gjithë festojmë këtë ditë të shënuar që na kujton vlerat më të mira që karakterizojnë njerëzimin por edhe traditën e shkëlqyer të harmonisë fetare dhe njerëzore në qytetin tonë por edhe në të gjithë vendin”.
Ceremonia dhe koktejli i shtruar nga Komuniteti Mysliman ka kaluar në një atmosferë festive ku janë shkëmbyer urimet e rastit për më shumë paqe e harmoni.
/portali DurresLajm/