24 shtator 2015 – Mijëra besimtarë myslimanë kremtojnë sot ditën e sakrifikimit Eid al-Adha ose festën e Kurban Bajramit. Festimet që i takojnë kësaj dite shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit të Zotit dhe në emër të dashurisë për njeriun. Ajo përbën festën e madhe të mëshirës, të faljes, mirëkuptimit, mirësisë, vëllazërimit dhe paqes. Kremtimi i kësaj dite, siç është bërë traditë, fillon në orët e para të mëngjesit, kur mijëra besimtarë myslimanë falin namazin.

Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të madh konsiston në dy momente; e para është lutja nëpërmjet së cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar therret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit. Familja që e therr mund të mbajë aq mish sa i duhet dhe pjesën tjetër duhet ta ndajë me familjet e varfra. 

Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet. Në çdo familje myslimane gatuhen ëmbelsira, të cilat duhet t’u serviren dhe miqve. Ndërkohë, të gjithë besimtarët, si dhe shtëpitë e tyre duhet të stolisen sa më mirë të jetë e mundur.

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu duke uruar të gjithë besimtarët myslimanë, theksoi se kjo ditë synon bashkimin dhe për sa më shumë paqe dhe harmoni.  

“Në këtë ditë afrohen zemrat, harrohen urrejtjet, njerëzit shtrijnë dorën e pajtimit. Ripërtërihen lidhjet shoqërore e njerëzore me dashuri e sinqeritet, derisa çdo shtëpi dhe familje të mbushet me gëzim e hare”, uroi Spahiu. 

/portali DurresLajm/