21 shtator 2015 – Qarku bregdetar zë vendin e dytë në republikë për numrin e autoveturave për njëmijë banorë. Po ashtu qyteti ka dhe tregun kryesor të shitjes së makinave të përdorura.
Në Durrës, në vitin 2014 numërohen 161 autovetura për njëmijë banorë, ndërkohë që në vitin 2010 kjo shifër ishte 124 autovetura për njëmijë banorë, mbi mesataren e republikës. Instituti i Statistikave (INSTAT) bën të ditur se numri i autoveturave në vitin 2010 ishte 101 autovetura për 1000 banorë, ndërkohë për vitin 2014 është 131 autovetura për 1000 banorë, ku qarku i Tiranës zë 37,6 për qind të numrit gjithsej të autoveturave.
Sipas grafikut, në vitin 2014, kryeqyteti ka numrin më të lartë të autoveturave për njëmijë banorë: 180; pasuar nga Durrësi me 161, Gjirokastra me 153, Vlora me 146, Shkodra me 136, Lezha me 128, Fieri me 113, Berati me 90, Korça me 85, Kukësi me 82, Elbasani me 72 dhe Dibra me 63.
/th. m. portali DurresLajm/