19 shtator 2015 – Sot është afati i fundit për t’u regjistruar në universitete për të gjithë kandidatët që kanë fituar të drejtën për të vazhduar studimet e larta.

“Kujtojmë të gjithë fituesit për raundin 1, se faza e dytë, data 19 shtator 2015, është afati i fundit për regjistrimin përfundimtar me formularin A2 pranë sekretarive mësimore të fakulteteve”, thuhet në njoftimin e MAS-it.

Ministria risjell në vëmendje dokumentacionin që duhet të dorëzojnë aplikantët pranë sekretarive mësimore të fakulteteve, që të rezultojnë të regjistruar përfundimisht në programin e studimit ku janë shpallur fitues: 

1. Dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e një prej dokumenteve të identifikimit (e panoterizuar);

2. Fotografi personale;

3. Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1600 lekësh paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare apo bankave të nivelit të dytë për llogari të IAL-së përkatëse.

Sipas udhëzimit të Ministrisë, kandidatët që nuk regjistrohen u jepet mundësia që të aplikojnë në raundin e dytë, me formularin A3.

“Maturantët që kanë konkurruar në raundin e parë me formularin A2 (fitues ose jo dhe të regjistruar ose jo) dhe dëshirojnë të vazhdojnë garën për të qenë fitues ose për të kaluar në një preferencë më të lartë, duke ruajtur renditjen e preferencave të formularit A2 të plotësuar në raundin e parë, nuk plotësojnë formular të ri, por vetëm shprehin vullnetin të vazhdojnë konkurrimin on-line”, njofton MAS-i.

Të gjitha universitetet publike dhe private do të hapin dyert më 12 tetor.

/portali DurresLajm/