Nga Rudian Zekthi
1. Madje edhe në median nacionale, jo vetëm në median europiane, shkulmi i refugjatëve nga vendet e Azisë dhe Afrikës është përqasur me dyndjet barbare. Do të përpiqemi të tregojmë në vijim se kjo analogji është shumë më tepër impenjuese sesa nënkupton perspektiva eurocentrike që sugjeron që me të parën. Po ashtu, kjo analogji, nëse na ndihmon për të kuptuar gjeopolitikën e sotme, bëhet menjëherë subversive dhe kërcënon me parashikime të zymta, sidomos të ardhmen. Nën këtë perspektivë vendosen shënimet e mëposhtme.
2. Që në fillim duhet postuluar se emigranti, kurdo dhe kudo, potencialisht është një fëmijë, në kuptimin që shkulja nga vendlindja (deterritorializimi) e shtyn atë jashtë përvojës së vet deri në atë pikë saqë përvoja e deriatëhershme (nga vetë ky fakt, që është e vetmja që ai zotëron) bëhet për të e papërdorshme (nga vetë ky fakt e tepërt). I mbetur pa përvojën, emigrantit njësoj si fëmijës i duhet një përvojë e re, që mund ta ketë (njësoj si fëmija) vetëm duke e blerë me vite të ekzistencës së vet.
3. I tillë është emigranti i luksit, pra turisti, i cili pikërisht këtë kërkon, zhvlerësimin (dhe jo zgjerimin) e përvojës: nëse kërkimi i përvojës së re është permanent, atëherë vlera e përvojës qëndron te përdorimi (shijimi) i saj i parë dhe jo te përdorimi, që do të thotë, ripërdorimet e mundshme.
4. Aq më tepër i tillë është emigranti i nevojës, ai që nuk ka luksin të zgjedhë, por është i detyruar të çrrënjoset nga territori i vet për t’u implantuar në një dhe të huaj. Por ndryshe nga turisti që zhvlerësimin e përvojës e sheh si të vetmen mundësi për t’u ushtruar si qenie shqisore – estetike, emigranti i nevojës zhvlerësimin e përvojës shoqëruar me serinë e sensacioneve të panjohura e konsideron si një etapë kalimtare që duhet kapërcyer, duke përvetësuar nga e para përvojë të re (si fëmija që mezi pret të rritet).
5. Në këtë kuptim, disidenti që lë vendin e vet është krejt e kundërta e emigrantit dhe turistit: ai largohet pikërisht për të treguar se deterritorializimi nuk e vendos në varësi të imperativit për një përvojë të re, por përkundrazi e konfirmon vërtetësinë e bindjes së tij, përmes ruajtjes së përvojës së vjetër (duke mos e pësuar po se po, por edhe duke mos u joshur nga mundësia që të kushtëzohet si qenie estetike).
6. Po në këtë kuptim, popullatat nomade janë në zanafillë shprehja e parë e disidencës (jo ndaj trysnisë politike, por asaj klimatiko-gjeografike), të cilët megjithëse në gjendje permanente deterritorializimi, i janë shmangur kushtëzimit si qenie estetike-imanente (si fëmijë të përhershëm) nga transhendimi prej një botëkuptimi të përbashkët (si rregull religjioz). Përvojat përherë të reja, janë për to një klimaks i pandryshueshmërisë së transhendencës.
7. Për këtë arsye, në të kundërt, nomadëve u zhvlerësohet përvoja e mëparshme dhe nën alarmin e tejkalimit të kushtëzimit estetik gjenden në kërkim të një përvoje të re, vetëm nëse heqin dorë nga jeta nomade dhe nguliten në një vend të caktuar (territorializohen).
8. Turistë, emigrantë, disidentë, nomadë, këto janë katër statuset bazë të qenieve njerëzore përftuar nga relacionimi si kushte të përgjithshme të jetës nomade apo të ngulitur dhe kushtëzimit estetik apo aksiologjik. Por, përveç këtyre kushteve të përgjithshme, ndërhyjnë edhe kushtëzime të tjera si koeficientë që përcaktojnë rast pas rasti ruajtjen, shndërrimin apo edhe shpërbërjen e statuseve të mësipërme.
9. Një koeficient i tillë i fortë është konsumimi i statuseve vetjakisht apo në bashkësi, kushtëzim prej të cilit statusi fillestar mund edhe të transformohet krejtësisht. Kështu, turisti fillikat, me siguri që mbërrin atë që do, kushtëzimin e vetes si qenie estetike, kurse turistët në grup janë të kompromentuar eo ipso: detyrimi për të komentuar përvojat e reja, si rregull, është vetëm një simulim i mundësisë së qenies estetike. Po ashtu, disidenti i zhvendosur i vetmuar është gjithmonë i çrrënjosur (deterritorializuar), kurse një bashkësi disidentësh potencialisht mund të territorializohen nëse politikisht u krijohen kushtet për të ushtruar botëkuptimin e tyre.
10. Po ashtu, siç thamë, një emigrant fillikat synon si rregull që ta tejkalojë të qenët si qenie estetike, duke u stabilizuar me kalimin e kohës brenda një përvoje të re në përputhje me sistemin e vlerave të vendit të ri. Por nëse ai është zhvendosur – shtyrë përtej vendit të tij së bashku me bashkësinë së cilës i përket, ata do të kenë ende mundësi të përdorin përvojën e mëparshme mes vetes, duke shmangur mundësinë e të qenit qenie estetike. Do të jetë brezi i dytë i kësaj bashkësie emigrantësh që do të përballet me një ekzistencë infantile që mund t’i kushtëzojë gjithë jetën.
11. Dhe siç pa dyshim një nomad fillikat zhvishet nga çdo përvojë nëse ngulitet në një vend, po ashtu së bashku një popullatë nomade që ngulitet është e privuar nga përvoja e mëparshme dhe të gjithë së bashku janë të kushtëzuar si qenie imediate-estetike, derisa të blejnë përvojën e re.
12. Siç ka ndodhur jo njëherë në histori, por ne këtu do të trajtojmë çështjen e barbarëve në Perandorinë Romake. Fiset barbare ishin popullata të tëra endacake, të cilat pasi për tre shekuj i bënë porozë kufijtë e perandorisë romake, më në fund që nga shekulli i katërt dhe i pestë u ngulitën përfundimisht në trojet perandorake. Ndërkohë, sidomos në shekullin e fundit të Perandorisë, dhe edhe prej inkursioneve të pambarimta të fiseve barbare, vetë popullatat romake ishin përfshirë në një proces migrimi të brendshëm, me zhvendosje të vazhdueshme nga qytetet në fshat dhe anasjelltas. Me premisat tona, do të thotë se ato ishin përfshirë në një proces të vazhdueshëm deterritorializimi që besojmë se u ka mveshur një natyrë të fortë estetike (edhe prej faktit se kristianizmi nuk u lejua për to të shërbente si një transhendentues – tejkalues i imediate-estetikes).
13. Çka mjafton për të shpjeguar besueshëm ç’ndodh pas rënies së Perandorisë: Mesjeta e Hershme në shek. V-VIII, e vetmja Mesjetë e errët, në fakt e paqëndrueshme dhe infantile, qe e tillë pikërisht nga pamundësia për të formuluar shpejt përvoja të reja, dy lloje të ndryshme popullatash të kushtëzuara estetikisht: barbarët ngaqë këmbyen lëvizshmërinë me ngulitjen dhe romakët ngaqë këmbyen ngulitjen me lëvizshmërinë. Që një popullatë të kapërceje kushtëzimin estetik duhen së paku dy breza, por kur dy popullata të ngucura në të njëjtin territor, përballen njëkohësisht me momentin e kapërcimit të kushtëzimit estetik (kushtëzim me prejardhje të kundërt) drejt një transhendence ende të pastabilizuar, kjo shpjegon dhjetë – dymbëdhjetë brezat që iu desh Europës romako – barbare – kristiane, që me një përvojë të re, të stabilizohej si popullatë e ngulitur aksiologjike (jo më estetike).
14. Çka thamë hedh dritë për të pikasur ngjashmëritë e çuditshme mes dyndjeve barbare dhe vrundullit të sotëm të emigrantëve të luftës. Së pari, në të dyja rastet bëhet fjalë për një proces të shtrirë në kohë. Deportimi i individëve dhe grupeve joeuropiane në Europë e ka origjinën që në fund të shek. XIX me perandoritë koloniale, më fluksin e parë masiv pas Luftës së Dytë Botërore (magrebianët në Francë, indo-pakistanezët në Angli, turqit në Gjermani) pësuar nga një fluks tjetër pas viteve ’90 (shkaktuar ndoshta nga sensacioni mendjelehtë i fundit të historisë), çka ka bërë që në Europë tashmë të jetë shtresuar brezi i parë i emigrantëve joeuropianë. Çfarë po ndodh sot është vetëm fluksi i fundit në radhë, mesa duket pjesë e një serie fluksesh do të vazhdojë.
15. Së dyti, zhvendosja e ngulmët në një drejtim nga popullata të tëra, nuk mund të shpjegohet pa sugjestionimin masiv të tyre, sugjestionim i cili nuk mund të ndodhë e të zgjatë pa një media masive. Të njëjtin rol që luanin kuajt për barbarët të cilët ishin popullata mbi kalë, pra rolin e medias, pa dyshim që e luajnë sot mediat sociale me morinë e stërmadhe të ekraneve të personalizuar: furnizues me imazhe të pambarimtë mirëqenie, urbanizimi, spektakli, komforti. (Mund t’i përfytyrojmë vizigotët që e përshkuan Europën nga lindja në perëndim apo vandalët nga veriu në jug, si të përfshirë në një zapping natyror ku instinkti i nomadit njësohet me keqardhjen e heqjes dorë nga një pjesë e spektaklit.)
16. Së treti, në të dyja rastet është Europa që jep të njëjtin rezultat duke bërë projeksione të gabuara: barbarët ajo u sforcua të mos i konsideronte pushtues (sepse nuk mund të jetë dominues ai që është inferior); emigrantët sot sforcohet të mos i quajë pushtues (sepse nuk mund të jenë më inferiorë nëse janë dominues). Në këtë kuptim edhe “barbarë” edhe “emigrantë janë eufemizma: për arsye të thella të vetat, Europa shmanget t’u vendosë atyre emrin e vërtetë.
17. Së katërti, në të dyja epokat bëhet fjalë për një Europë në një marrëdhënie tranzicioni me kristianizmin: në Antikitetin e Vonë dhe Mesjetën e Hershme kristianizmi ishte duke ardhur në Europë, por nuk ishte stabilizuar ende; në Modernen e Vonë apo Postmodernen e Tashmë, kristianizmi është duke ikur nga Europa, por nuk ka ikur ende.
18. Por kjo ngjashmëri e fundit kërkon më tepër përqendrim, sepse bashkëlidhet me një ngjashmëri tjetër thelbësore: siç thamë, që popullata romake në kohën e dyndjeve barbare ishte mesa duket një popullatë e kushtëzuar estetikisht, përmes një procesi çrrënjosjeje të vazhdueshme përgjatë aksit qytet-fshat, po ashtu Europa e sotme, sigurisht për arsye të tjera (pasuria, teknologjia, të drejtat e njeriut) gjithmonë e më tepër banohet nga individë të përfshirë në një deterritorializim permanent, proces për të cilin pohuam më lart që nëse nuk patrohet nga një skemë transhendentale, i kushtëzon individët si qenie estetike (jo më aksiologjike).
19. Kjo mund të jetë frika e vërtetë, e fshehtë e europianëve: popullata të tëra, hëpërhë, të pakushtëzuara estetikisht mund t’i dominojnë popullatat europiane të përfshira tashmë në një proces estetizimi të pakthim. Mesa duket, në këtë moment është çështje numrash: një numër relativisht i vogël emigrantësh (njësoj si në flukset e mëparshme që përmendën më lart) mund të mbahet në kontroll dhe të përfshihen së bashku me popullatat vendëse europiane në një proces kushtëzimi estetik të pakthim (duke mos e ndryshuar – madje duke e përforcuar atë që europianët kanë zgjedhur- apo për inerci ndjekin- për veten.)
20. Nëse kjo ndodh (dhe jo versioni i një numri të pakontrolluar emigrantësh që mund të komprometojë seriozisht procesin e estetizimit të popullatës europiane), atëherë Postmodernja shfaqet befasisht analoge me Mesjetën e Hershme: dy lloje popullatash për arsye të ndryshme vërtet, por gjithsesi njësoj të kushtëzuara estetikisht, të ngucura në territorin europian, do të kërkojnë “shekujt e vet” për të provuar epërsitë e dobësimit, madje refuzimit të transhendencës.
21. Nëse rimarrim konceptet që i përpunuam që në fillim, kjo do të thotë se Europa, joeuropianët e tashëm që kanë rënë në portat e saj, në thelb i trajton si barbarë, formalisht i quan emigrantë, s’pranon kurrsesi t’i tolerojë si disidentë. Që t’ia pranojnë këto inkonsekuenca, Europa ofron vetëm një joshje: si brez i dytë emigrantësh, fëmijët e tyre kur të bëhen adultë, mund të përfitojnë statusin e turistit permanent.
18 shtator 2015, marrë nga “Panorama”