15 shtator 2015 –  Mbi 26.4 për qind e të ardhuarve në shkallë republike për legalizimet si 8-mujor 2015 janë siguruar në qarkun e Durrësit. Sipas drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave / Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) Artan Lame, për periudhën janar-gusht 2015, janë arkëtuar 1,4 miliard lekë në shkallë vendi. Sigurisht Tirana dhe Durrësi, si “american dream”-i për migrimin e brendshëm, për pasojë dhe të ndërtimeve pa leje, japin më shumë arkëtime për legalizimet. Nëse drejtoria e ALUIZNI-t Tirana-1, arkëtoi 425 milionë lekë, në vend të dytë renditet drejtoria e ALUIZNI-t Durrës, me 370 milionë lekë ose me 26,4 për qind të totalit të vendit. Të dy drejtoritë e DURANA-s arkëtuan gjithsej 795 milionë lekë, ose rreth 57 për qind të arkëtimeve si drejtori e përgjithshme.

Po ku shkojnë këto të ardhura? Sipas Lames, në zbatim të Ligjit nr. 10239 të vitit 2010 “Për krijimin e Fondit Special të kompesimit të pronave”, e gjithë shuma e arkëtimeve, ka destinacion pagesën e pronarëve të shpronësuar nga procesi i legalizimit. Në këtë proces, edhe paratë që grumbullohen nga trualli shtet, shkojnë për të plotësuar shpërblimin e ish-pronarëve. Më konkretisht, për periudhën maj-dhjetor 2014,në shkallë vendi u kompensuan 460 ish-pronarë. Ndërsa për periudhën janar-gusht 2015, janë përfshirë në procesin e kompensimit 2 290 ish-pronarë. Nëpër drejtoritë rajonale, si edhe në drejtorinë e përgjithshme, janë depozituar një numër i madh kërkesash të ish-pronarëve që u është zënë trualli me ndërtime pa leje dhe që kërkojnë përshpejtimin e procesit të legalizimit, pikërisht me qëllimin që ata të përfitojnë kompensimin financiar për truallin e zënë.

/th. m. portali “DurresLajm”/