10 shtator 2015 – Dy ditë të paharruara vjeshtore në plazhin e Durrësit për të rinj e të reja kryesisht nga fshatrat e disa bashkive të vendit.
Rreth 150 të rinj nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë kanë marrë pjesë në një konferencë kombëtare dyditore (9-10 shtator 2015) mbi risinë, ndryshimin dhe fuqinë e krijimtarisë. Ata vijnë nga Dibra, Kurbini, Elbasani, Librazhdi, Vlora, Korça dhe Tiranë, më së shumti nga fshatrat dhe periferitë e qyteteve, tha zëdhënësja Elda Spaho Bleta. Klea Cenga, nga Dibra citohet të jetë shprehur:
“Në këtë konferencë mësova se edhe një 18-vjeçare mund të ketë ide, risi dhe mund t’i vërë ato në jetë, nëse këmbëngul. Dhe për këtë nuk ka pse të jesh gjeni. Mësova se forcën e krijimit ne e kemi brenda vetes”.
Konferenca u zhvillua në Durrës nga organizata ndërkombëtare World Vision. Këshilltarja e programit të Rinisë në World Vision, Jurgena Hajdaraj deklaron:
“Është hera e tetë që organizojmë këtë konferencë kombëtare për të rinjtë. Qëllimi ynë për këtë vit është që, përmes sesioneve praktike, ata të nxiten të zbulojnë forcën e madhe krijuese që ka secili brenda dhe se si mund ta lidhin këtë forcë për të sjellë ndryshim në shoqërinë ku jetojnë. Do të mësojnë si t’i vënë në jetë idetë e tyre, si të punojnë me një plan biznesi, si mund të drejtojnë njerëz, procese, ide, si mund të ndryshojnë jetën e tyre dhe të tjerëve në zonën ku banojnë”.
Për t’ua mësuar të rinjve të gjitha këto, njerëz me përvoja të pasura pune, të cilët shquhen për vënien në jetë të ideve të reja, drejtuan sesionet e konferencës në fjalë. Dorian Kamberi, organizues i Startup Grind Tirana; Julian Balliu, drejtues i rrjetit tw kafeneve “Mon Cheri”; Laura Payne, themeluese e Outdoor Albania; Jonida Beqo, drejtore e Qendrës Rinore të Tiranës dhe Klajdi Eski, dizajner dhe animator u treguan praktikisht të rinjve shqiptarë mbi sipërmarrjen në biznes, turizmin e Shqipërisë, poezinë si ndryshim shoqëror dhe fuqinë krijuese vetjake. Të rinj të ndryshëm folën gjatë konferencës për të treguar si kanë marrë pjesë ose kanë udhëhequr nisma të ndryshme, të cilat kanë sjellë ndryshim në zonën ku banojnë. World Vision bashkëpunon me rreth 2 000 të rinj në Shqipëri për t’i bërë të aftë të përmirësojnë jo thjesht veten, por sidomos shoqërinë dhe vendin e tyre.
Info
World Vision është një nga organizatat më të mëdha humanitare, zhvilluese dhe advokuese në botë për fëmijët dhe të rinjtë. Ajo punon prej rreth 60 vitesh, në 100 vende të ndryshme. World Vision gjendet në Kosovë që prej vitit 1998 (gjatë kohës së konfliktit me Serbinë) dhe në Shqipëri që prej vitit 1999 për të punuar në edukim, mbrojtje fëmijësh, ndërtim paqeje dhe për çështjet e rinisë
/portali DurresLajm/