Nga Armand Shkullaku
Një fotografi e publikuar së fundi, ku Edi Rama shfaqet në tribunë gjatë një mitingu politik në Lezhë, në krah të një personazhi me kapele kaubojsi, përbën instalacionin e vërtetë të “artit” politik me të cilin kryeministri komunikon me publikun e tij. Ai është subjekt dhe objekt i këtij instalacioni. Në krah të tij, përveç “kaubojsit” Eduard Ndocaj (aktualisht kandidat për të hyrë në Kuvend) janë edhe Armando Prenga (deputet i arrestuar) dhe Arben Ndoka (ish-deputet i dorëhequr). Këta të tre nuk janë më pjesë e instalacionit socialist. Nga “Triumfi Socialist Verior” i 23 qershorit kanë ikur edhe Tom Doshi e Mark Frroku. Edhe ata nuk janë më pjesë e Partisë Socialiste të Edi Ramës.
Këtë vepër të ngjizur prej tij, që po i shpërbëhet në një reaksion zinxhir e që nuk dihet se kur do të ndalet, Edi Rama po tenton ta lërë pa autor apo më mirë ta kalojë në harresë autorësinë e tij. Në të gjitha daljet publike, madje edhe në një intervistë të gjatë të martën mbrëma për kolegun Babaramo, kryeministri nuk mori asnjë fije përgjegjësi mbi vete për raportin e tij politik dhe personal me të zgjedhurit e mësipërm. Të krijohet përshtypja se nuk ka qenë ai njeriu që i ka bërë këto zgjedhje, por dikush tjetër që ia ka imponuar ato. Kryeministri po e përdor diferencimin si justifikim për të larë duart nga një histori, e cila nuk fillon e mbaron te fati i dy apo më shumë deputetëve, por te filozofia e një lideri që përdor këdo për interesa të çastit dhe që standardet e larta etike (për të cilat flet edhe raporti i Departamentit të Shtetit) i ka zëvendësuar me kompromiset e ulëta bazike.
Për qytetarët shqiptarë problemi nuk është se si reagon kryeministri kur një deputet i tij vihet nën akuzë, por tek angazhimi i tij moral dhe politik për të ndryshuar filozofinë e deritanishme të marrjes dhe mbajtjes së pushtetit. Dhe ky angazhim nis në radhë të parë te pranimi i përgjegjësisë, ndjesa publike dhe aktet politike në vijimësi. Edi Rama nuk po e bën këtë. Përkundrazi, po përpiqet që fajin t’ua faturojë të tjerëve, të merret me opozitën, të përhapë fjalë se të këqijat i vijnë nga Meta, apo t’i trajtojë rastet në fjalë si aksidente dhe jo si pasoja të mendësisë së tij politike. Mirëpo do të mjaftonte sfida që kryeministri i bëri BE-së dhe SHBA-së, duke kandiduar në zgjedhjet lokale persona me rekorde kriminale, për të kuptuar që këtu nuk bëhet fjalë as për aksidente dhe as për zgjedhje të imponuara nga aleati kryesor në qeveri. Bëhet fjalë për një rrugë që Edi Rama e ka zgjedhur me vullnet dhe ndërgjegje për të mbajtur pushtetin e tij.
Qëndrimi i tij i fundit për t’u distancuar nga deputeti Prenga apo dorëheqja e Ndokës janë më shumë një “kurban” për të qetësuar Perëndimin e zemëruar sesa një reflektim mbi rrugën që duhet ndryshuar. Në funksion të kësaj loje, Edi Rama po ndërton një mekanizëm që synon ta shkarkojë tjetërkund përgjegjësinë e tij. Njerëzit pranë tij i kanë shpeshtuar rrëfimet për ndërhyrjet e Ilir Metës dhe vështirësitë e Ramës përballë tij. Ata tregojnë se si kryeministri u çudit kur mori vesh se laguna e Patokut i paskësh shkuar vëllait të deputetit të tij. Se këto gjëra u bëkan me bekimin e Metës dhe lideri i madh i së majtës nuk di asgjë. Se Meta ndërhyn edhe në gjykata për deputetët e tij dhe ai përsëri nuk di gjë. Madje ai, edhe për ministrat e tij e ka mësuar nga ndërkombëtarët që qenkan bërë arrogantë dhe për këtë, pikërisht në këtë kohë kur i takon të marrë përgjegjësi, lan duart duke nxjerrë nga arkivat një letër qesharake. Dhe për t’i vënë kapak gjithë mekanizmit të shpëlarjes propagandistike, një editorial te “Shekulli” i së mërkurës, ku kryeministri “kritikohet rëndë” se nuk po arreston Sali Berishën. Koordinimi i këtyre lëvizjeve brenda një kohe të caktuar dëshmon se shqetësimi i Ramës është kapërcimi i situatës dhe jo zgjidhja e saj. Pse email-i i gjashtë muajve më parë doli tani, pse Ndoka nuk e dha dorëheqjen kur u akuzua por tani, pse po fryhet krisja me Metën këto kohë? Sepse kryeministri, mesa duket, di vetëm të reagojë dhe jo të reflektojë.
E gjithë kjo energji e shpenzuar në një betejë për të bindur shqiptarët dhe ndërkombëtarët se nuk është Rama përgjegjësi për kriminalizimin e politikës dhe për të justifikuar pamundësinë e tij për të bërë dekriminalizimin. Mirëpo, në vend të thashethemeve dhe lojërave të vogla, Ramës shumë shpejt do t’i duhet të flasë me akte dhe fakte. Ndërkombëtarët nuk mund të hutohen nga instalacioni modernist i kërpudhës dhe strehëzës në godinën e Kryeministrisë. Ata e kanë parë edhe instalacionin e kaubojsit që ka për autor të njëjtin kryeministër. Edi Rama duhet të vendosë se me cilin prej tyre do të konkurrojë, me të dyja nuk ecën dot më përpara.
10 shtator 2015, “Mapo”