Nga Alfred Lela

Lulzim Basha ndoshta e ka pritur, e ndoshta është habitur edhe vetë, reaksionin zinxhir të ngjarjeve që kulmoi të hënën me një letër dorëheqjeje të deputetit të Partisë Socialiste të Lezhës, Arben Ndoka. Socialistët i kishin dhënë munxët një tjetër deputeti, një ditë më parë, duke u distancuar prej tij në të njëjtën kohë kur mediat dhe opozita flisnin për përpjekje të strukturave shtetërore për të fshehur pjesë të ngjarjes.

Nuk ishte ngjarje dosido, por një betejë me armë, thika e shkopinj bejsbolli, ku mbetën shtatë të plagosur. Në këtë skenar far west ishte përfshirë edhe deputeti, tashmë i përjashtuar, Armando Prenga. I të njëjtit qark si Ndoka, atij të Lezhës. I së njëjtës parti, asaj Socialiste. I zgjedhur nga i njëjti bimbash liste, Edi Rama. I akuzuar për të shkuar kriminale nga e njëjta parti, ajo Demokratike.

Kjo është përmbledhja e kronikës së tri ditëve ose klimaksi i një përpjekjeje tashmë dyvjeçare të shefit të opozitës Basha, të përqendruar te një aksion i etiketuar dekriminalizim. Të cilin, kryetari i ri i PD-së e shndërroi thuajse në një Doktrinë. Nëse kjo fjalë u duket shumë, le të themi në një Pakt për Shtetin, politikën dhe qytetarin. Si shteti ashtu dhe politika e qytetari, për të mos thënë edhe mbështetësit e tij thuajse personalë, e panë me skepticizëm këtë fluturidhë politike të Lulzim Bashës. Këtë laureshë kur opozitës, sipas tyre, i duhej një kalë beteje.

Basha vazhdoi, megjithatë, thuajse i vetëm, pa shfaqur asnjë prej ‘trimërive’ që ne u kërkojmë udhëheqësve, por me një tonelatë durimi prometean, të rrinte në shkëmbin ku e kish ngulur gjykimi i shoqërisë, partisë së vet dhe politikës. Ai e artikuloi për shtypin dhe opinionin, ia përsëriti partisë së vet dhe e palosi në krye të valixhes diplomatike. Nuk u lodh së thëni de-kri-mi-na-li-zim. Nganjëherë dukej si mbreti George në filmin Kings Speech, që stërviste gjuhën me një fjalë për të shmangur shenjat e fundit të marrjes së gojës.

Në fund nuk ka shprehje më të mirë për të përshkruar atë që ndodhi sesa aforizma popullore: I ngjiti fjala. Lulzim Basha është sot fjalëngjitur sepse diti dhe mundi, që një aksion të rendit vleror (diçka jo e prekshme nga qytetari si dritat apo nafta) ta shndërrojë në kapital politik. Por nuk është te ky përfitim taktik triumfi i tij. Aspak. Basha i ka bërë Republikës një shërbim të madh. Nën flamurin e betejës së tij të gjatë, ra e po dergjet rreziku i një dergje, i një murtaje që ishte gati ta niste Republikën në Sanatorium. Për të dhënë atje frymën e fundit.

Nuk është gjë e vogël ajo që ka ndodhur: katër deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, të gjithë të mazhorancës qeverisëse, secili skandalin e vet, kanë dalë nga dera e Parlamentit, jo si ligjvënës apo ligjzbatues, por si ligjshkelës. Kryetari i Parlamentit është akuzuar nga njëri prej tyre për një konspiracion vrasjeje.  Ky walk of shame do të vazhdojë me sa duket me të tjerë cuba.

Legjislatura ka rënë. Ky është një vajmedet për Republikën. As shefi i opozitës nuk ka pse të qeshë, sepse kjo është një humbje edhe e tij, duke qenë se është e të gjithë shqiptarëve me dy pare mend. Por, për ata që e përqeshnin se ai vetëm qesh e nuk bën opozitë, Basha mund ta ndezë një grimasë me cepat e buzëve.

Delegjitimimi i kundërshtarit dhe i oponencave okulte dhe dekriminalizimi, që ka ngjitur që ç’ke me të, ia jep këtë të drejtë. Ka prapë punë dhe rrugë për të bërë, por meqë ndër dy shtigje në pyll more atë më të parrahurin: buzëqesh, Lul!

9 shtator 2015, "Mapo"