/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/
Paradoksi/ Ishmakët e mancakët – më të djathtë se durrsakët
· STATISTIKA PËR BETEJËN DUMA-DAKO. Kështu fshati “blu rrethoi” qytetin, por fitorja “vjollcë” u vulos në zonën urbane
· Duma dhe Tirana të pranojnë hapur se kanë gabuar me anashkalimin që iu bë strukturave të bazës
13 gusht 2015 – Me të drejtë kandidatja e së djathtës për kryetare bashkie, Grida Duma, më 27 qershor, ditë të shtune, 6 ditë pas votimeve të 21 qershorit 2015, shkoi në Ishëm (në foto), ku ajo fitoi mbi rivalin e saj të majtë me 12,46 pikë (380 vota më shumë). “Duke falënderuar përzemërsisht dhe me mirënjohje të gjithë qytetarët e Ishmit dhe jo vetëm, të cilët votuan për alternativën e zhvillimit të vërtetë”, shkruan në një status në llogarinë e saj në rrjetin social FB. “Dyrrah”-u ka përgatitur një tabelë të rezultateve (shih poshtë).
BASTIONET BLU
Të njëjtat falënderime u duhen bërë banorëve të Manzës, ku Duma fitoi me 8,94 pikë (354 vota më shumë) dhe të Katundit të Ri me 4,66 pikë (244 vota më tepër). Edhe në Sukth Duma nuk ka dalë keq: ka humbur me 1,58 pikë (120 vota më pakë). Befasia ndodhi me Rrashbullin denbabaden me PD, ku dhe ish-kryetari veteran i komunës Hysen Gashi punoi shumë, pasi është në listën për këshilltar. Janë habitur dhe të majtët me Rrashbullin: Duma humbi me 10,5 pikë (ose me 973 vota mangët). Kjo bëri që zona rurale e bashkisë së Durrësit ta nxjerrë pothuajse “jek e jek” Dumën, ku diferenca me Dakon prej 0,39 pikë (115 vota) të anojë nga ky i fundit. Parë në tërësi, zona rurale e Durrësit është më e djathtë se ajo urbane e qytetit (bashkisë së vjetër). PD-ja është më e besueshme në fshat, falë dhe punës së mirë që kanë bërë seksionet në Manzë, Katund të Ri dhe Ishëm.
ISHMI ME DY FYTYRA
Megjithatë, duhet pranuar se në Ishëm vota masive dhe e majtë pro Dumës ishte dhe një votë kundër ish-kryetarit të majtë të komunës, për të cilin flitej se mund të emërohej nga Dakoja si administrator. Gjithashtu ka ndikuar dhe fakti se kryetari socialist i Ishmit u hoq nga posti i drejtorit të Postës në Durrës pak para zgjedhjeve, gjë që ndikoi në votimin kundër Dakos si autor i lëvizjes së militantit “vjollcë”. Ky qëndrim anti-Dako nuk pasqyrohet në votimin për këshilltarët, ku koalicioni i majtë (vetëm tre prej anëtarëve: PS, LSI, PDIU) mori 1 774 vota kundrejt atij të djathtë (vetëm tre anëtarëve: PD, PR, PKD) me 1 031 vota. Madje vetëm LSI-ja ka marrë 971 vota, kundrejt dy forcave të tjera rivale PD+PR që morën 895 vota.
QYTETI NDËSHKUES
Por Dakoja e vulosi fitoren me diferencën e bujshme brenda në qytetin e Durrësit (bashkia “e vjetër”) me një diferencë prej 19,68 pikë ose 13 605 vota më tepër, shtuar dhe 115 votat “rurale”, kjo diferencë shkoi në 13 720 vota. Dështimi spektakolar në zonën urbane, tradicionalisht pro PD-së, kërkon analizë të hollësishme për çdo qendër votimi. Për herën e tretë Dakoja pati një diferencë mbi 16 herë më të madhe se në mandatin e parë dhe 4 herë se në mandatin e dytë!
“NËNA” MË E RE SE I “BIRI”
Thashethemet për fajësinë në rezultatin e 21 qershorit nuk ndreqin asgjë. Madje nuk nxirren ende mësime. Vazhdohet me metodat e vjetra: “Dako dogji makinën e Telitit”; “Janë sjellë votues nga qytete të tjera”; “Rama-Meta blenë votat dhe me betonin e Dakos”. Duhet vënë në dukje se mes këshilltarëve demokratë la përshtypje jo të mirë, madje, pa u konsultuar me ta, ditën e konstituimit të këshillit bashkiak, kur kreu i grupit të PD-së Armand Teliti bëri një deklaratë të ashpër. Teliti kontrastonte dukshëm me fjalën e hijshme, civile të këshilltares më të vjetër, Mira Kauri, që hapi punimet e mbledhjes. Kauri, “nëna” e Telitit ishte më e re në qëndrimin publik se kryetari i grupit të saj.
RREZIKU NË VITIN 2017
Në analizat e veta si kryesia e degës ashtu dhe selia qendrore në Tiranë u takon të dëgjojnë demokratë sui generis si doktoresha, thonë në PD. Do të ishte e udhës që Duma dhe Tirana të pranojnë hapur se kanë gabuar me anashkalimin që iu bë strukturave të bazës; të kritikojnë tangarllëkun e shpurës tiranase që mendonte se mund të fitohej me metodat “moderne” të spin-doktoringut që vë në qendër mediatizimin. Edhe mënjanimi i ndonjë figure, si ish-drejtori i Hekurudhave, ish-kryetar i grupit të këshilltarëve demokratë Zamir Ramadani nga lista ishte një gabim. Të paktën t’i fusnin të birin, pronar firme ngarkim-shkarkimi në port, thuhet në PD. Ramadani ka ndikim në shumë votues të thjeshtë të hekurudhës dhe portit (të paktën në një mijë të tillë, me mesatarisht 3 vota për familje). Përmenden edhe figura të tjera që nuk janë afruar.
Parë në këtë aspekt, analiza votë për votë, QV për QV, del se mund të ishte një tjetër rezultat. Po jo ky kaq diskreditues. PD Durrës rrezikon në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017. Deri tani qytetin e ka humbur. Rrezikon dhe fshatin, që është më i djathtë.
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit