13 gusht 2015 – Instituti i Arkeologjisë në veprat e fondit të tij ruan disponon dhe objekte, që i takojnë zbulimeve të arkeologjisë nënujore. Këto objekte që kanë dalë në dritë nga ekspeditat kërkimore që janë bërë gjatë viteve të fundit, janë cilësuar nga specialistët e fushës së arkeologjisë shqiptare si shumë të rëndësishme. Drejtori i Institutit të Arkeologjisë, prof. dr. Luan Përzhita, pohon se për këto objekte që janë zbuluar duhet të ketë një muze të veçantë. Ndërtimi i këtij muzeu sipas drejtorit të IA-s vjen në një kohë kur është grumbulluar një pasuri e konsiderueshme e këtyre objekteve edhe me rëndësi historike. Ndërtimin e një muzeu të tillë, drejtori i Institutit të Arkeologjisë e shikon të mundshëm në disa vende, ndërsa nëse do të ketë një pavion të madh ai mund të hapet në mjediset e Muzeut Arkeologjik në Durrës.  

I inauguruar këtë vit, muzeu nga tri kate funksionon vetëm me një kat.

“Kemi pasur disa diskutime sa i takon zhvillimit të mëtejshëm të Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Ai duhet të ketë parametrat e një Muzeu Kombëtar Arkeologjik. Duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë. Nga tri kate ai funksionon vetëm me një kat, këtu mund të hapet një pavion, që mund t’u dedikohet kërkimeve nënujore shqiptare. Vende të tjera ku mund të hapet një muze për këto pasuri të arkeologjisë nënujore janë dhe Orikumi ku atje janë disa godina të vjetra të ish-qendrës detare dhe njëra prej tyre mund të shfrytëzohet për muze, apo dhe në Vlorë e në Himarë”, pohon profesor Luan Përzhita.

Thirrjen e tij si drejtor i Institutit të Arkeologjisë për ndërtimin e një muzeu të tillë ai e bën në drejtim të Ministrisë së Kulturës, që sipas tij mund të bashkëpunojë me specialistët e IA-s për këtë muze. “Për muzeun ne i propozojmë Ministrisë së Kulturës, që të ngrejë një grup pune dhe në bashkëpunim me IA-n që të fillojë puna për muzeun. Mos harrojmë që bota prej vitesh i ka muze të tills”, shprehet Përzhita.   

Muzeu atraktiv për turizmin  

Sipas arkeologut të njohur ky muze mund të jetë joshës dhe për turizmin. “Ai mund të jetë ndër muzetë e rralla unikale në Shqipëri dhe mund të jetë shumë joshës dhe atraktiv për turizmin elitar, për të kuptuar se një jetë tjetër që ndodhet sot nën ujërat e detit Adriatik dhe Jon përmban një histori të madhe, që dalëngadalë do t’i shpaloset të gjithë popullit shqiptar”, shton më tej drejtori i IA-s. Ideja për ndërtimin e një muzeu të tillë erdhi në këtë kohë, pasi kërkimet në arkeologjinë nënujore kanë qenë vetëm vitet e fundit, më herët nuk ka pasur ekspedita të tilla, e nga këto ekspedita kanë dalë dhe zbulime të objekteve nga periudha ilire, romake, deri tek ajo bizantine.  

“Nga këto zbulime përshembull kanë dalë objekte nga anije të mbytura të ilirëve, romake, deri te periudha bizantine. Kanë dalë të dhëna mbi objektet që përdoreshin për transporte, materiale që lidhen me ngjarje historike si ato me Jul Çezarin, etj”, shton më tej në fjalën e tij Përzhita.

Përballë kërkesës për ndërtimin e një muzeu të pasurisë arkeologjike nënujore, drejtori i IA-s sjell shembuj nga bota, ku muzetë e ndërtuara janë shumë atraktivë. “Në Bodrum, Turqi, është ndërtuar një muze i tillë, i cili ka një pasuri të madhe arkeologjike dhe ka shumë vëmendje edhe nga turistët. Po ashtu kemi dhe në vende të tjera muze të tilla, që vlerësohen shumë”, pohon drejtori i IA-s. Arkeologjia nënujore ka ngjallur interes të veçantë për studiuesit shqiptarë dhe të huaj gjatë këtyre viteve. Më herët për njohjen e trashëgimisë arkeologjike nënujore shqiptare shumë vëmendje mori dhe ekspedita e përbashkët shqiptaro-amerikane.

/Gazeta “Sot”/