10 gusht 2015 – Mesditën e së shtunës, më 8 gusht 2015, anëtari i Organizatës së Moxhahedinëve të Iranit (PMOI / MEK) Mohammad Hadi Taali ndërroi jetë në moshën 60-vjeçare, në një spital në Shqipëri, pas 40 viteve të luftës kundër dy diktaturave, të Shahut dhe mullahëve, njoftoi Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit. Taali vdiq nga kanceri në mushkëri për shkak të vonesave në trajtimin e tij, vonesa të shkaktuara nga bllokada antihumane mjekësore në Kampin e Lirisë dhe rolit të qeverisë irakiane në parandalimin transferimin e tij të përkohshëm në Erbil. Ai është dëshmori i 26-të i bllokadës mjekësore e kampeve Ashraf dhe Liria, tha Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit.
Në vitin 2013, mjekët në Bagdad e diagnostikuan për kancer të mushkërive dhe këshilluan që të transferohej në Evropë ose në Erbil për trajtim. Megjithatë, jo vetëm përpjekjet e përfaqësuesit rezident të OKB-së në Irak për transferimin e tij në Evropë ose Erbil ishin të pafrytshme, por kufizimet mizore dhe vonesat e qëllimshme nga forcat irakiane në trajtimin e tij në Bagdad rënduan sëmundjen e tij. Dhjetëra e letra nga Hadi Taali dhe përfaqësuesit rezidentë u janë drejtuar zyrtarëve të OKB-së dhe SHBA.
Më në fund, pas transferimit të tij në Shqipëri, Hadi Taali u vu menjëherë nën trajtim mjekësor, por për shkak të progresit të kancerit të shkaktuar nga vonesat në trajtim, përpjekjet e mjekëve ishin të kota kot dhe ai vdiq të shtunën, më 8 gusht.
Info
Më 16 mars 2013 Tirana u ka ofruar azil 210 pjesëtarëve të një grupi opozitar iranian që aktualisht jetojnë në një bazë ushtarake amerikane pranë Bagdadit.
Zyra e shtypit e Këshillit të Ministrave njofton se Kryeministri Sali Berisha priti më 16 mars 2013 në takim Zëvendësndihmës Sekretaren në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Zyrën e Çështjeve të Lindjes së Afërt, Barbara Leaf së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Irakun, Ambasadorin Martin Kobler, të cilët shoqëroheshin nga përfaqësues të Komisionerit të Lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), zëvendësambasadori amerikan në Tiranë, Henry V. Jardine, si edhe diplomatë të ambasadës së SHBA-ve në Tiranë. Qeveria shqiptare u tregua e gatshme dhe mori masa për t’u ofruar strehim për arsye humanitare 210 personave, të cilët janë të mirëpritur dhe do t’u krijohen të gjitha kushtet për një strehim të sigurt në Shqipëri, në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet e vendit. Grupi kundërshton regjimin klerikal të Iranit dhe ka kryer vrasje si dhe vendosje bombash në Iran derisa hoqi dorë nga dhuna në vitin 2001. OKB-ja thotë se mbi 3.000 pjesëtarë të MEK-ut jetojnë në ish-bazën amerikane. Ata refuzojnë të largohen nga Iraku.
Më 16 maj 2013 mbërriti grupi i parë me 14 anëtarë të organizatës “Mojahedin-e Khalq” (MKO, apo dhe me inicialet MEK, PMOI dhe NCRI) në Shqipëri. Më 19 maj 2013 Teherani ka reaguar kundër strehimit të 14 anëtarëve të opozitës në Shqipëri, pas njoftimit të dhënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Duke folur për problemet e zhvillimit, anëtari i komisionit të sigurisë dhe politikës së jashtme, një nga njerëzit më me ndikim në parlamentin iranian, deputeti Baqer Hosseini Seyed, paralajmëroi Tiranën për pasojat negative që do të sjellë prania e 14 azilantëve të sapoardhur. Hosseini pyeti në mënyrë retorike: “Si mundet që anëtarët e MKO-së, që nuk kanë pasur mëshirë për bashkatdhetarët e vet, të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore me shtetas të huaj?”. Për ligjvënësin iranian, “Qeveria shqiptare duhet të shmangë përsëritjen e gabimit që kanë bërë vendet e tjera në lidhje me pranimin e anëtarëve të MKO-së, sepse këta njerëz janë të rrezikshëm si për sigurinë kombëtare të atij vendi ashtu dhe të gjithë rajonit”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/