8 gusht 2015 – Stendat e librarive të qytetit janë pasuruar me të tjerë tituj të rinj librash që vijnë kryesisht nga letërsia e huaj.
Ndër titujt e rinj më të kërkuar të këtyre ditëve mund të përmendim romanin “Gjuha e fshehtë e luleve” nga Vanessa Difenbaugh, “Zero, zero, zero” i gazetarit dhe shkrimtarit italian Roberto Saviano, “Rrëfimtarja” nga Jodi Picoult, “Gjak si boja” e shkrimtares gjermane Carnelia Funke etj.
"Gjuha e fshehtë" – Vanessa Difenbaugh
“Gjuha e fshehtë e luleve” i përshtatur në shqip nga Adrian Beshaj është romani i parë i shkrimtares amerikane Vanessa Difenbaugh, e cila për të shkruar këtë roman u frymëzua nga përvoja e saj si nënë birësuese. Në qendër të romanit është një vajzë e re, Viktoria e braktisur që në djep dhe fëmijërinë e saj e ka kaluar në disa familje birësuese, derisa takoi Elisabetën, e vetmja nënë e vërtetë që ka pasur ndonjëherë, ishte pikërisht gruaja që ia mësoi gjuhën e fshehtë të luleve dhe falë kësaj dhuntie vajza mori në dorë fatin e jetës së saj.
"Zero, zero, zero" – Roberto Saviano
“Zero, zero, zero” i gazetarit dhe shkrimtarit italian Roberto Saviano përshtatur në shqip nga Agim Doksani, është një tjetër botim mjaft i kërkuar nga lexuesi. Libri flet për kokainën dhe trafikimin e saj duke bërë dhe një “profil” të shitësve të saj. Në libër përshkruhen gjithashtu vrasjet që kanë kryer kriminelët e vendeve të Ballkanit. Në libër flet dhe për shqiptarët duke i përshkruar ata si të pamëshirshëm, ku shkruan se ata të zhdukin me fis e me farë.
"Gjak si boja" – Cornelia Funke
Shkrimtarja gjermane Cornelia Funke vjen me romanin e saj të fundit “Gjak si boja”. Autorja e këtij romani pas diplomimit për psikologji në Hamburg punoi për tre vjet si punonjëse sociale pranë fëmijëve në vështirësi. Ka shkruar mëse 20 romane e libra të ilustruar për fëmijë. Librat e saj janë kthyer sakaq në bestseller, “Mbreti i hajdutëve”, “Zemër si boja” dhe “Kalorësi i dragoit” tashmë janë ekranizuar.
"Rrëfimtarja" – Jodi Picoult
Romani “Rrëfimtarja” i Jodi Picoult dhe i përshtatur në shqip nga Taulant Hatia është një tjetër botim i ri. Shumë zëra rrëfimtarë përfshihen në këtë roman duke lidhur fijet e kujtimeve të së kaluarës me emocionet që trazojnë ujërat e së tashmes. Jodi Picoult është një nga romancieret më të suksesshme amerikane. Disa prej librave të saj janë ekranizuar në filma që shfaqen në rrjetet e ndryshme televizive.
/M.F. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/