8 gusht 2015 – Dy ngjarje të rënda me pasojë vdekjen raportohen nga policia mëngjesin e kësaj të shtune në qarkun e Durrësit.
Një 36-vjeçare nga Maminasi dhe një 14-vjeçare nga Katundi i Ri janë vetëhelmuar ditën e djeshme më 7 gusht.
Viktima 36 vjeçe në Maminas
Policia e Durrësit njofton se në Maminas është vetëhelmuar 36-vjeçarja me iniciale V.Xh. Ajo është dërguar në spitalin Nënë Tereza në Tiranë, ku fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetojë dhe ndërroi jetë në spital.
Viktima 14 vjeçe në Katund të Ri
Rasti i dytë është shënuar në fshatin Katund i Ri, ku 14-vjeçarja me iniciale E.J., ka pirë fotoksinë në banesën e saj.
Pas sinjalizimit nga ana e familjarëve, ata e kanë dërguar menjëherë në spitalin e Durrësit. Për një mjekim më të specializuar, ajo më pas është transportuar me ambulancë në spitalin Nënë Tereza në Tiranë, ku edhe ka ndërruar jetë.
Për të dyja rastet në fjalë nuk bëhet ende me dije se cilat kanë qenë shkaqet që i kanë çuar të ndjerat drejt aktit të vetëflijmit. Ndërkohë, në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, i cili po kryen veprimet e para hetimore.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





