· Aspekte pak të njohura nga historia e gërmadhave të sistemit të fortifikimit të perandorit bizantin durrsak Anastas I

5 gusht 2015 –  Edhe në mbetjet e fortifikimit të perandorit bizantin durrsak Anastas I [430-518], në monumentin e murit të kalasë në Porto Romano është bërë një punë e madhe nga punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare (DRKK) Durrës. Janë realizuar vëllime të konsiderueshme dhe të vazhdueshme pastrimi të dherave dhe vegjetacionit në kushtet e një terreni tepër të vështirë. Është për t’u vënë dukje se ky monument gjendet në rrethina dhe në një zonë industriale-portuale karburantesh dhe mund të neglizhohej, prandaj është për t’u përgëzuar DRKK-ja për strategjinë e mirëmbajtjes dhe ruajtjes së monumenteve të kulturës, qoftë edhe një të tilli si ai në Porto Romano. Sipas historianëve dhe ekspertëve, gërmadhat e Porto-Romanos i përkisnin sistemit të fortifikimit të perandorit Anastas I dhe qenë pikërisht pjesa e jashtme e rrethimit me tri radhë muresh. Nga këto fortifikime sot ruhet vetëm një trakt rreth 60 m i gjatë dhe një kullë katërkëndëshe. Harku i portës që përshkon murin është rrëzuar, ndërsa muri që i ngjitet kodrës deri në lartësinë 80 është zhdukur thuajse krejtësisht. Muri që mbyllte ngushticën ndërmjet detit dhe kënetës ka një gjerësi prej 1,75 m dhe përshkohet nga breza tullash prej 4 rreshtash me intervale prej çdo 0,60-0,70 cm.

Info

Rreth 7 km në veri të qytetit [të Durrësit]… në Porto-Romano, ruhen ende sot [në vitin 1981] mbetjet e një muri, që mbyllte dikur rripin e ngushtë të tokës, ndërmjet detit dhe kënetës. Hezei i përshkruan shkurt këto ndërtime, duke vënë në dukje se muret mbyllnin ngushticën, që kishte një gjatësi jo më tepër se 200 m dhe se sistemi i tyre me breza tullash paraqiste një ngjashmëri të madhe me pjesët më të rregullta dhe më të vjetra të rrethojës së madhe të Durrësit.

Një përshkrim pak më të plotë të këtyre mureve e kemi nga Shoberi. Sipas këtij, muri verior që mbyllte ngushticën ishte pajisur me kulla drejtkëndëshe të vendosura në largësi të barabarta, ndërsa prej këndit perëndimor të tij, një mur tjetër ndiqte konturin e kodrës nga ana e detit deri në lartësinë 80. Sipas Shoberit “këto gërmadha i përkisnin sistemit të fortifikimit të perandorit Anastas I dhe qenë pikërisht pjesa e jashtme e rrethimit me tri radhë muresh”. Nga këto fortifikime sot ruhet vetëm një trakt rreth 60 m i gjatë dhe një kullë katërkëndëshe. Harku i portës që përshkon murin është rrëzuar, ndërsa muri që i ngjitet kodrës deri në lartësinë 80 është zhdukur thuajse krejtësisht. Muri që mbyllte ngushticën ndërmjet detit dhe kënetës ka një gjerësi prej 1,75 m dhe përshkohet nga breza tullash prej 4 rreshtash me intervale prej çdo 0,60-0,70 cm në disa tulla është gjetur shenja Ф e stampuar në reliev. Kulla 5,95 x 6,15 m ka qenë dykatëshe, me nga një hyrje në çdo kat të hapur në murin e prapmë të saj. Në katin e dytë të çon një shkallë dyrampëshe, e mbështetur në murin e prapmë të kullës [shih planimetrinë]. Porta, prej së cilës ka marrë emrin krejt fortifikimi, ka pasur një gjerësi prej 3,80 m. Nga brenda saj dallohen gjurmët e dy mureve që i mbështeten kurtinës në dy anët e hyrjes, të cilat kanë shërbyer si bazamente të shkallëve, që të çonin në shtegun e rojeve, duke i dhënë njëkohësisht përparësi mbrojtjes së portës. Përveç murit që ndiqte konturin e kodrës nga ana e detit, në lartësinë 80 mund të hetohen gjurmët e një fortifikimi të vogël trekëndësh, që lidhej organikisht me këtë mur. Muri i portës u ndërtua për të mbrojtur qytetin e Durrësit prej një sulmi të mundshëm nga veriu, duke shfrytëzuar në këtë rast dhuntitë e terrenit, afërsinë e detit me kënetën e Durrësit. Kështu duhet të ketë qenë fortifikuar nga ana jugore edhe zona e urës së Dajlanit, ku vetëm një rrip i ngushtë toke ndante detin nga këneta. Në rast se nuk do të ndërtohej muri i portës, armiku mund të ndodhej papritur përballë mureve më të arritshme të qytetit, që shtriheshin në zonën fushore.

Sipas Gjerak Karaiskajt në librin “Pesë mijë vjet fortifikime në Shqipëri”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/