·        Kryeministri Dmitri Medvedev kërcënon Shqipërinë, Islandën, Gjeorgjinë, Lihteshtejnin, Malin e Zi, Norvegjinë dhe Ukrainën se do t’u ndalojë eksportet e ushqimeve dhe fruta-perimeve

·        Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë nuk ka informuar opinionin publik se, më 29 korrik 2015, Tirana mbështeti BE-në në sanksionet kundër Krimesë dhe Federatës Ruse

·        Ministrisë së Bujqësisë i del huq blerja e certifikatave të reja fitosanitare për eksport me elemente më të forta sigurie

NGA THANAS MUSTAQI

5 gusht 2015 –  “Lamtumirë, peshk islandez dhe arra shqiptare: edhe 7 vende do të futen në listën anti-sanksione të Rusisë”, ky është një nga titujt e shumtë të medieve ruse pas deklaratës së kryeministrit rus Dmitri Medvedev.

HESHTJA E BUSHATIT

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë nuk ka informuar opinionin publik se, më 29 korrik 2015, Shqipëria (së bashku me Islandën, Gjeorgjinë, Lihteshtejnin, Malin e Zi, Norvegjinë dhe Ukrainën) mbështeti BE-në në sanksionet kundër Krimesë dhe Federatës Ruse. Kurse një javë më parë, sipas njoftimit për shtyp të BE-së,  Shqipëria dhe 6 vendet e tjera iu bashkuan vendimit të BE-së së 22 korrikut 2015 për zgjatjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë deri më 31 janar 2016. Kjo është e nevojshme për të përgatitur eksportuesit shqiptarë për të dalë me sa më pak humbje nga kundër-masat e Moskës.

REAGIMI

Edhe pse në listën paraprake të Presidentit rus Vladimir Putini (20 korrik 2015) nuk ishte përfshirë Shqipëria në embargon për produktet bujqësore, në mbledhjen e qeverisë, më 4 gusht 2015, kryeministri Dmitri Medvdev (në foton kryesore djathtas) tha se do t’i bëhet një kërkesë Presidentit për të zgjeruar listën, duke përfshirë edhe Shqipërinë, Islandën, Gjeorgjinë, Lihteshtejnin, Malin e Zi, Norvegjinë dhe Ukrainën. Kryeministri ngarkoi Ministrinë e Bujqësisë dhe administratën e qeverisë për të ndjekur këtë çështje dhe pastaj do të përgatitet kërkesa drejtuar Presidentit me propozimin për të përfshirë dhe këto 7 shtete në listën kundër-sanksione, duke plotësuar kështu dekretin e 20 korrikut 2015 “Mbi masat e veçanta speciale për sigurinë e Federatës Ruse”.  Kreu i qeverisë njoftoi gjithashtu se do të kryesojë personalisht komisionin për zëvendësimin e importeve, që të përbëhet nga dy nëngrupe për industrinë civile dhe atë ushtarake. 

Info / Certifikatat e reja fitosanitare për eksport

Ky kërcënim nga Moska përkon dhe me një fakt kureshtar: më 26 qershor 2015  Ministria shqiptare e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave lidhi kontratë për blerjen e certifikatave të reja fitosanitare për eksport me elemente më të forta sigurie (shih faksimilen). Modeli i tyre është bërë në marrëveshje me Ministrinë ruse të Bujqësisë pas zbulimit të certifikatave false shqiptare të shtypura në Çeki.

Sipas Flamur Lazes, drejtor i përgjithshëm i Shërbimeve Bujqësore dhe Peshkimit në dikasterin e Edmond Panaritit, përveç elementeve të tjera të sigurisë, të cilat kanë qenë edhe tek certifikatat e mëparshme fitosanitare (pulla e sigurisë, letër me elementë sigurie, ngjyrime mbi të), në prodhimet e reja është shtuar edhe një shirit sigurie. Ky shirit është vendosur në krahun e djathtë të saj, ngjyrimi me shënime karakteristike është me i zbehtë, me qëllim që të dalin më në pah shkrimet, të cilat bëhen për ngarkesat me bimë apo prodhime me origjinë bimore, si dhe është ndryshuar numri i serisë tashmë me shtatë numra. Është hartuar gjithashtu një regjistër për shpërndarjen e certifikatave fitosanitare. Në këtë regjistër shënohen: numri i serisë së certifikatave që merr çdo Drejtori Rajonale e Bujqësisë (DRB) si dhe datat në të cilat janë tërhequr këto certifikata. Shpërndarja e tyre bëhet sipas intensitetit që kanë eksportet në rajonet që mbulon DRB-ja. Për çdo certifikatë fitosanitare të lëshuar mbahet një kopje e saj si dhe në një regjistër të posaçëm mbahen të gjitha shënimet e çdo ngarkese. Prodhimi i tyre bëhet sipas procedurave të tenderimit. Modeli i ri i certifikatës nuk përdoret vetëm për eksportet me Rusinë. Për të gjitha eksportet pavarësisht nga vendi pritës, përdoret vetëm modeli i ri i certifikatës fitosanitare.

/ agjencia e lajmeve “Dyrrah”/