2 gusht 2015 – Rreth 38 mijë biznese që nuk kanë derdhur në afat kontributet shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve, do të përfitojnë falje të kamatëvonesave. Ligji që ka hyrë në fuqi dhe që nis zbatimin nga data 1 gusht parashikon “faljen në masën 100 për qind, të gjobave të lidhura me kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të cilat janë evidentuar deri më 31 dhjetor 2014, pavarësisht vlerës së detyrimit, kur kontributi dhe kamatëvonesa është paguar plotësisht deri në datën 30 shtator 2015”.  

Brenda 3 muajve, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, administrata tatimore fshin dënimet administrative dhe bën pasqyrimet konkrete të fshirjes në regjistrat e saj. Listat e subjekteve përfituese dhe vlera e gjobave përkatëse publikohen, brenda 3 muajve, në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Bazuar në gjendjen e detyrimeve, pagesave, gjobave e kamatëvonesave, nëpërmjet këtij ligji parashikohet që nga falja e gjobave të përfitojnë mbi 38 mijë subjekte, me një vlerë prej rreth 3 miliardë lekësh. Pjesë e faljes janë edhe gjobat që janë në proces apelimi administrativ apo proces apelimi gjyqësor. Nga ana tjetër, nëpërmjet zbatimit të këtij ligji, në relacion evidentohet se pritet që të arkëtohen rreth 6.5 miliardë lekë.  

Çfarë përcakton ligji për faljen e gjobave   

Në ligjin e miratuar para pak kohësh dhe ku tashmë janë bërë dhe ndryshimet përkatëse, e gjithë kjo iniciativë është ndërmarrë për të lehtësuar subjektet juridike dhe fizike nga barra e gjobave të gjeneruara dhe të papaguara për shkak të mosderdhjes, brenda afateve ligjore, të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Por nga ana tjetër kjo iniciativë u pa dhe si një mundësi e nxitjes së subjekteve juridike dhe fizike për të paguar kontributet e prapambetura, në kuadrin e fillimit të zbatimit të reformës së pensioneve, për të dhënë edhe një herë mundësinë për mbulimin me sigurim shoqëror të të gjitha periudhave të mëparshme, për të cilat nuk kanë paguar kontribute. Krahas lehtësimit të barrës së borxheve të ndërmarrjeve private dhe krijimit të hapësirave për përmirësimin e situatës së tyre financiare, në këtë ligj parashikohet edhe detyrimi i subjekteve debitore për të kryer pagesat e debisë dhe gjobave të vendosura për mosdeklarim të punëmarrësve etj., deri në një afat të përcaktuar, duke falur gjobat e vendosura për ato subjekte që detyrimin kontributiv, së bashku me kamatëvonesat, e kanë likuiduar deri në datën 31.3.2015.  

Kush nuk përfiton   

Kuvendi miratoi pak kohësh me 75 vota pro ligjin e paraqitur nga qeveria për faljen e gjobave për mospagimin në afat të kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga subjekte juridike dhe fizike. Ky ligj u miratua me një ndryshim tepër të rëndësishëm, të bërë nga deputeti Pandeli Majko, sipas të cilit masa e gjobës dhe kamatëvonesës falej plotësisht dhe jo në masën 80 për qind, siç edhe parashikonte varianti i qeverisë. Nga ky ligj përfitojnë 59 400 subjekte private dhe shtetërore që nuk kanë paguar deri në dhjetor të vitit 2014 siguracionet shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve të tyre. Por që këto subjekte të përfitojnë nga ky ligj kanë likuiduar totalisht detyrimet e kontributeve të papaguara deri në fund të muajit shtator.  

Në këtë ligj nuk është parashikuar falja e gjobave që janë gjeneruar për shkak të mosregjistrimit, për shkak të mosdeklarimit të punëmarrësve, si edhe të gjobave të nxjerra në zbatim, kur detyrimet janë pasojë e fshehjes, mashtrimeve, falsifikimeve etj. Gjithashtu nuk parashikon falje të kamatëvonesave, me argumentin se ato janë pjesë e fondit të sigurimeve shoqërore dhe do të duhet të paguhen. Nga 59 411 subjektet që përfitojnë nga ky ligj, 58 243 subjekte janë private dhe 1208 subjekte publike. Shuma në total që do të falet është 21 miliardë lekë.

Financat alokojnë 16.36 miliardë lekë detyrime të papaguara për biznesin

Qeveria shqiptare ka programuar që për këtë vit të shlyejë rreth 20 miliardë lekë për biznesin, i cili ka kryer prej vitesh punë dhe shërbime publike por ende nuk është paguar për to. Në kuadër të strategjisë së ndërmarrë nga qeveria "Rama", deri më datë 16 korrik, Ministria e Financave ka alokuar në total rreth 16.36 miliardë lekë detyrime të prapambetura të ndara sipas kategorive: Për investimet publike janë alokuar 5.9 miliardë lekë, për shpenzimet korente për mallra dhe shërbime, janë alokuar rreth 0.3 miliardë lekë, për rimbursim të TVSH-së janë alokuar 5.1 miliardë lekë, për zërin "Të tjera" janë alokuar 5.1 miliardë lekë, ku përfshihen detyrimet për "Vendimet gjyqë- sore", për të cilat janë alokuar rreth 3 miliardë lekë, "Shpronësimet", për të cilat janë alokuar rreth 1 miliard lekë dhe "Emergjencat dhe shpërblimet për lindjet" për të cilat janë alokuar rreth 1.1 miliardë lekë. Krerët e Financave kishin premtuar se i gjithë fondi i programuar për këtë vit do të disbursohet brenda gjysmës së parë të vitit. Kjo pritet të japë një efekt pozitiv si tek sipërmarrja ashtu edhe për gjithë ekonominë e vendit. Sipas strategjisë së hartuar tashmë nga Ministria e Financave, shlyerja e detyrimeve të prapambetura që qeveria shqiptare ka ndaj biznesit do të marrë 3 vjet kohë, ndërkohë që synohet parandalimi i krijimit të borxheve të reja. Për vitin 2014, qeveria ka paguar 35 miliardë lekë ose gati gjysmën e detyrimeve totale. Pjesa e mbetur do të shlyhet në dy vitet e ardhshme, përkatësisht 20 miliardë lekë në 2015 dhe 17.5 miliardë lekë të tjera në vitin 2016.

/Gazeta 'Sot'/