29 korrik 2015 – Arrestohen dy grabitësit që vodhën me thyerje shtëpitë e disa 'VIP'-ave brenda kompleksit ‘Lura’ te Gjiri i Lalzit.
Përveç shtëpisë së deputetit demokrat Arben Ristani, që u bë publike dje në media, është vjedhur gjithashtu dhe shtëpia e demokratit tjetër Flamur Noka, gazetarit Saimir Kodra dhe gjithashtu banesa e Petrit Mahos, specialist i SHISH-it.
Policia e Durrësit, në një njoftim për shtyp, bën me dije se autorët e të gjitha këtyre grabitjeve janë dy të rinjtë: Arnold Karaj, 19 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë dhe Donald Vatnikaj, 18 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
Ndaj të arrestuarve është dokumentuar se ata kanë qenë për 3 ditë me pushime, dhe ata kanë vjedhur me thyerje banesat e këtyre shtetasve:
–Arben Ristani, 46 vjeç, banues në Tiranë, ku kanë marrë shumën prej 1000 lekësh të rinj dhe një celular tip Samsung;
–Flamur Noka, 44 vjeç, banues në Tiranë, ku nuk kanë marrë gjë;
–Saimir Kodra, 46 vjeç, banues në Tiranë, ku kanë marrë 200.000 lekë dhe 1 telefon celular të markës Samsung.
–Petrit Maho, 48 vjeç, banues në Tiranë, ku kanë marrë 2 telefona celularë të markës VERTY dhe 1 telefon iPhone 6.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprën penale“Vjedhja” në bashkëpunim.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





