28 korrik 2015 – Afro 3 km vijë bregdetare në qendër të gjiut detar të Durrësit kanë shpëtuar nga makutëria e ndërtimeve pa kriter, që ka dëmtuar rëndë pjesën tjetër të bregdetit.
Që nga sektori Iliria, 5 km larg qytetit, deri në përroin e Plepave, aktualisht ndodhen njëra pas tjetrës rezidenca qeveritare (që njihet me emrin Blloku i udhëheqësve), Shtëpia e Pushimit të Ushtarakëve të Ministrisë së Brendshme e njohur si Konvaleshenca, resorti turistik “Tropikal” që deri para 15 vitesh funksiononte si Shtëpia e Pushimit të Pionierëve dhe më pas Selia e Komandës së bashkuar ushtarake, brenda së cilës ndodhet edhe Shtëpia e pushimit të oficerëve të Ministrisë së Mbrojtjes.
Janë disa dhjetra hektarë plazhe të mrekullueshme, të cilat përbëjnë një thesar në zonën mes plazhit tradicional e të ngjeshur me pallate të Durrësit dhe zonës turistike problematike të krijuar rishtas përballë Shkëmbit të Kavajës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





