27 korrik 2015 – Siç dhe është bërë e ditur edhe më parë, më 15 korrik 2015 hyri në fuqi ligji Nr. 62/2015 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006, ‘Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje’, të ndryshuar”, nëpërmjet të cilit u bënë një sërë ndryshimesh në ligjin bazë që rregullon proçesin e legalizimit të ndërtimeve informale në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Lidhur me ndryshimet konkrete në ligj dhe impaktin që sjell te qytetarët, për agjencinë e lajmeve “Dyrrah” flet drejtori rajonal i Aluizni-t Durrës, Z. Flamur Gjuzi.

Z. Gjuzi, çfarë ndryshimesh solli konkretisht ligji nr. 60/2015 dhe çfarë impakti pritet të sjellë për banorët e Qarkut Durrës?

Ndryshimi i parë dhe me impaktin më të madh ishte amnistia që iu bë të gjitha ndërtimeve informale të ndërtuara deri në datën 27 qershor 2014.

Nëpërmjet ligjit të mëparshëm nr. 50/2014, ndërtimet informale amnistoheshin në bazë të periudhës së ndërtimit të tyre dhe regjimit juridik të truallit. Thënë më thjesht, ndërtimet pa leje të ngritura në truall shtet apo në pronën e dikujt tjetër, do të mund të përfitonin vetëm në rast se do të ishin ngritur deri në datën 15 janar 2009.

Ndërsa ndërtimet informale të ngritura në truall në pronësi të vet poseduesit do të mund të përfitonin edhe nëse ishin ndërtuar përtej kësaj date, por deri në daten 27 qershor 2014. Ky kategorizim referuar përcaktimeve ligjore të mëparshme linte jashtë procesit të legalizimit mijëra ndërtime informale në truall shtet apo të tjetrit të ngritura përtej datës 15 janar 2009. Nëpërmjet ligjit të fundit u hoq kjo “barrierë” periudhash ndërtimi dhe tashmë të gjitha ndërtimet informale si ato në tokë të vet ashtu edhe ato të ngritura në truall shtet apo të të tretëve, do të jenë pjesë e procesit të legalizimit me kushtin e vetëm që të jenë të ngritura brenda datës 27 qershor 2014. 

Ky ndryshim ligjor do të thotë që do të fillojë proces i ri vetëdeklarimi. A ka filluar ky proces aplikimi pranë zyrave tuaja dhe si jeni organizuar në pritjen e tyre?

Patjetër që ndryshimi i ligjit do të shoqërohet me proces të ri vetëdeklarimi. Që prej datës 21 korrik 2015 nga Aluizni  Durrës ka filluar procesi i pritjes së qytetarëve të cilët duhet të deklarojnë patjetër ndërtimet pa leje të ndërtuara sipas përcaktimeve të këtij ligji. Momentalisht po punojmë me sportelet e disponueshme në tri degët tona, Durrës, Fushë-Krujë dhe Shijak. Por me ardhjen e emigrantëve pritet një fluks edhe më i madh qytetarësh. Kemi marrë masat e nevojshme për të shmangur radhat, pritjet e gjata dhe konfuzionin që krijohet në të tilla raste. Nëse do të jetë e nevojshme, do të hapim sportele shtesë si edhe do të punojmë edhe përtej orareve zyrtare për t’u ofruar shërbimin e duhur të gjithë qytetarëve që do të paraqiten për aplikim në zyrat tona.

Cili është afati i fundit ku qytetarët mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e procesit të legalizimit ?

Procesi i vetëdeklarimit tashmë ka filluar dhe ky proces do të zgjasë deri më datë 30 shtator 2015. 

Çfarë ndryshimesh të tjera thelbësore sjell ky ligj?

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm konsiston në përcaktimin e sipërfaqes së parcelës ndërtimore që kalon në pronësi.  Më konkretisht:

Sipërfaqja e parcelës ndërtimore përcaktohet ne varësi të funksionit të objektit nëse është banim apo social – ekonomik.

Sipas ligjit, parcela ndërtimore për  të cilën kalohet e drejta e pronësisë, përcaktohet:

A) në rastin e ndërtimeve pa leje me funksion banimi, si rregull, sipërfaqja e parcelës që kalon në pronësi, duhet të jetë deri në masën e trefishit të bazës së ndërtimit, por në çdo rast jo më e madhe se 500 m².

B) për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik zbatohet vetëm kriteri i trefishit të sipërfaqes së bazës së ndërtimit.

C) kur për shkak të përmasave ose planvendosjes së parcelës ndërtimore, krijohen sipërfaqe të lira që nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, ato i shiten poseduesit të ndërtimit pa leje sipas vlerës së pronës, të miratuar me V.K.M. Kalimi i të drejtës së pronësisë për këto sipërfaqe kryhet vetëm nëse poseduesi i ndërtimit pa leje shpreh vullnetin nëpërmjet një kërkese me shkrim.

Me ndryshimet në ligjin e ri, a do të vazhdojë favorizimi i shtresave të  pamundura si paraplegjik/tetraplegjik e të verbër ku u falen detyrimet financiare ?

Patjetër që do të vazhdojë. Ky është një proces që ka filluar që në vitin 2014 dhe për periudhën 2014-2015 Aluizni Durrës ka legalizuar totalisht falas 25 raste ndërtimesh pa leje me posedues  që kanë patur statusin e mësipërm paraplegjik/tertaplegjik e të verbër. Jam i lumtur që si përfaqësues i këtij institucioni u kam dhënë këtyre familjeve ogurin e mirë të legalizimit të banesave të tyre pa asnjë lloj detyrimi financiar.

Për ta mbyllur, cili është apeli juaj për qytetarët e interesuar të qarkut të Durrësit ?

U bëj thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve të interesuar të cilët nuk kanë aplikuar apo kanë ndërtuar pa leje pas janarit të vitit 2009 të mos neglizhojnë këtë proces dhe të paraqiten për të aplikuar pranë zyrave tona në Durrës, Fushë-Krujë dhe Shijak. U rikujtoj edhe një herë se afati i fundit për pritjen e vetëdeklarimeve është data 30 shtator 2015. Mosdeklarimi në afat nga ana e tyre do të sjellë si pasojë mospërfshirjen në këtë proces legalizimi.

Gjithashtu u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të zonave informale të paraqiten pranë zyrave tona për tërheqjen e faturave të parcelës ndërtimore dhe për të nënshkruar kontratën e kalimit në pronësi të truallit. Garantojmë ata për pajisjen me leje legalizimi brenda dy ditëve nga data e kryerjes së pagesës.

Qytetarët që ndërtimet pa leje i kanë në truallin e vet të paraqiten menjëherë pranë zyrave tona me certifikatën e pronësisë së truallit duke u garantuar për pajisjen me leje legalizimi brenda ditës.  

Intervistoi: Monad Fama

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/