23 korrik 2015 – Shtëpia botuese “Jozef” në dy vitet e fundit ka publikuar 24 vepra dramatike përkthyer nga Prokop Gjergo (3 korrik 1917 – 26 shkurt 1997) dhe botimi do të vijojë për të gjitha përkthimet e tjera.
Sipas familjarëve të Gjergos, përkthyesi i mirënjohur nga Durrësi, që ka ndërruar jetë në vitin 1997 ka lënë në dorëshkrim përkthimet nga gjuha frënge të 49 veprave të autorëve që nga Molieri e Rasini, Korneji, Bomarshe dhe Hygoi.
Shtëpia botuese “Jozef” e familjes Kaçulini i ka kushtuar fillimisht kujdes të veçantë kolanës së Molierit, Kornejit dhe Rasinit.
Botuesi Aurel Kaçulini, thotë se në tre vëllimet me përkthime nga komediografi i shquar francez Molier (1622 – 1673) janë përfshirë “Mizantropi”, “Zemërim dashurie”, “Zganareli”, “I shastisuri”, “Tartufi”, “Gratë dijetare”, “Anfitrioni”, “Siciliani”, “Shkolla e burrave”, “Dashuri shëruese”, “Princesha Elidë” dhe “Shkolla e grave”. Nga Pierre Corneius (Pier Kornej) (1606 – 1684) janë botuar tragjeditë “Sina”, “Sidi”, “Horaci”, “Rodogyna”, “Nikomedi”, “Gënjeshtari”, “Poliekti” dhe “Vdekja e Pompeit”. Ndërkaq ka filluar botimi i përkhimeve të veprave të Jean Baptiste Racine (Zhan Rasini), (1639 – 1699) “Atalia”, “Ester”, “Berenisa” dhe “Efigjenia”.
Përkthyesi Prokop Gjergo me profesion financier kishte botuar në vitet 1970 vepra si “Sirano dë Bërzherak” nga Edmond Rostan, “Krimi i Silvester Bonarit” nga Anatol Frans, etj. Tragjeditë, komeditë, romanet e poezitë e përkthyera prej tij kapin shifrën marramendëse prej 75.128 vargjesh.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/