20 korrik 2015 – Një nga “dallëndyshet” e biznesit paskomunist, kur për herë të parë u përdor togfjalëshi anglisht “xhoint-vençër” (joint venture – ndërmarrje e përbashkët), sikurse ishte ALMOD shpk për prodhimin e këpucëve sportive në ish-Gomën Durrës, në agoni prej 10 vjetësh, tani po përjeton likuidimin e plotë.
NË VITIN “E LARGËT” 1994
Në vitin “e largët” 1994, në gjykatën e Tiranës do të regjistrohej ndërmarrja e përbashkët shqiptare-italiane ALMOD shpk. Teksa vendi po përjetonte kolapsin e “80-përqindshit” komunist, shteti shqiptar, me 81,83 për qind të aksioneve në ish-Ndërmarrjen e Këpucëve 2 të Gomës Shkozet, krijoi një xhoint-vençër me firmën e famshme italiane të veshjeve sportive SIMOD spa, që do të kishte 18,17 për qind të aksioneve. Shpresë për punësim dhe mbijetesë për një pronë publike. Por punët nuk ecën mirë. 11 vjet më vonë, në dhjetor të 2005-s, është mbajtur mbledhja e ortakëve të shoqërisë për likuidimin e shoqërisë së përbashkët.
PROCEDURA
Njoftohet se më 20 gusht 2015 do të organizohet në Shkozet, një tender i hapur i organizuar nga ALMOD shpk, ndërmarrje në likuidim, për shitjen e një magazine (ndërtesë dykatëshe me kolona, e veshur me tulla) e shoqërisë ALMOD shpk, lagja nr. 14 (Shkozet, ish-plastika). Prona është vlerësuar nga një eksperte e miratuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (MZHETS), ndërkohë që ky raporti i vlerësimit të objektit është miratuar në mbledhjen e asamblesë së përgjithshme të ortakëve më 16 qershor 2015, shoqëruar me qëndrimin e MZHETS-it.
SI FILLON ANKANDI
Vlera e truallit për sipërfaqe 900 metra katror të objektit: 900 metra katror x 11 780 lekë/metri katror = 10 602 000 lekë.
Vlera e sipërfaqes së ndërtesës = 19 910 081 lekë.
Vlera gjithsej e pronës: vlera e truallit + vlera e ndërtesës 10 602 000 lekë + 19 910 08 lekë = 30 512 081 (rreth 220 mijë euro) lekë.
Info
Xhoint vençëri ALMOD Shpk do të vepronte në fushën e fabrikimit të këpucëve dhe artikujve të tjerë sportivë dhe artikujve për kohën e lirë, komponentëve dhe aksesorëve. Po ashtu do të merrej me projektimin dhe studimin e impianteve për prodhimin e këpucëve dhe artikujve sportivë dhe komponentëve dhe aksesorëve te tyre; me dhënien e asistencës teknike know-how në studimin e tregut dhe tregtimit të prodhimeve. U parashikua një kapacitet prodhues prej 600 000 palë këpucë dhe çizme në vit dhe 600 000 palë faqe në vit. Madje, shoqëria do të jepte asistencë për të realizuar në territorin e Shqipërisë për prodhimin e këpucëve dhe artikujvë të tjerë sportivë dhe për kohën e lirë si dhe për realizimin e projekteve të konstruksioneve deri dje me shërbime financiare të pasurisë së paluajtshme dhe të luajtshme, etj.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/