13 korrik 2015 – Dëmtimet – Pala serbe ka deklaruar se dëmtimet e lojtarëve shqiptarë janë bërë gjatë ndeshjes, por paneli i CAS-it e ka hedhur poshtë pretendimin, duke pranuar se ato janë bërë gjatë sulmit të tifozëve.

Xhani De Biazi – Trajneri ka vlerësuar se ndeshja ishte e pamundur të vazhdohej.

“E mirëkuptova vendimin e lojtarëve të mi. Nëse nuk do ta kishin marrë ata, do ta kisha marrë unë për ta”.

Branislav Ivanoviç – Kapiteni i Serbisë, ndonëse dëshmoi për të mbrojtur kombëtaren e tij, në fakt ka mbrojtur Shqipërinë duke deklaruar se gjyqtari nuk kishte dhënë urdhër direkt për kthimin në fushën e lojës.

Nioni kërkonte vijimin e ndeshjes pa qenë në dijeni të situatës. Zyrtarët nuk respektuan asnjë rregullore.

Paaftësia e zyrtarëve të UEFA-s gjatë ndeshjes Serbi – Shqipëri e bëri shumë më të thjeshtë vendimin e CAS-it të Lozanës në favor të kombëtares shqiptare të futbollit. Mosrespektimi i rregulloreve thelbësore të ndeshjes nga gjyqtari Martin Atkinson, delegati i UEFA-s, Herri Bin, dhe oficeri i sigurisë së UEFA-s, Vincent Egbert, si dhe fakti se secili prej tyre mundohej t’ia kalonte kompetencat tjetrit rreth menaxhimit të ndeshjes, ka bërë që çdo akuzë ndaj palës shqiptare të binte lehtësisht para panelit të CAS-it. Duke e cilësuar Serbi – Shqipëri si një ndeshje të rrezikshmërisë së lartë, teorikisht UEFA duhej të ishte e përgatitur për çdo skenar të mundshëm në stadiumin “Partizan” të Beogradit, përfshirë këtu edhe ndërprerjen e takimit. Por personat e dërguar në Beograd si përfaqësues të UEFA-s kanë bërë gjithçka gabim në administrimin e kësaj ndeshjeje në momentet kur profesionalizmi i tyre duhej të dilte në pah. Megjithatë, paaftësia ka filluar nga zyrtarët e lartë të UEFA-s në Nion, të cilët menaxhojnë nga qendra operative e tyre ndeshjet që luhen.

Në paragrafin 216 të argumentimit të CAS-it, vihet në dukje se zyrtarët që gjendeshin në Zvicër, mes të cilëve eksperti i sigurisë së UEFA-s, Keni Skot, dhe shefi i Garave në UEFA, Xhiorxhio Marketi, kërkonin me ngulm gjatë kontakteve të tyre telefonike me përfaqësuesit që gjendeshin në stadium që ndeshja të rifillohej. Sipas CAS-it, në Zvicër nënvlerësonin rëndësinë e ngjarjeve dhe rrezikun që perceptonin futbollistët shqiptarë në Beograd. Më pas, paneli i CAS-it ka bërë të qartë se si nuk ekzistonte asnjë lloj qartësie mes tre zyrtarëve kryesorë që duhej të administronin në stadium ngjarjet që ndodhën më 14 tetor. Pika kryesore ishte mbi personin që duhej të merrte vendimin për vazhdimin apo jo të ndeshjes, pasi secili prej tyre ka dhënë një variant të ndryshëm. Gjyqtari Atkinson kishte pranuar para UEFA-s se ishte këshilluar me oficerin e sigurisë Egbert dhe se detyra e tij ishte të kujdesej që “lojtarët dhe fusha të ishin të sigurta”. Por ai ka pranuar se ishte detyra e oficerit të sigurisë të “kujdesej që siguria në stadium të ishte e përshtatshme, të sigurohej që ndeshja mund të vazhdonte dhe që të thoshte se ishte e sigurt që lojtarët të ktheheshin në fushë”.

Por oficeri i sigurisë, nga ana e tij, ka dëshmuar se ai ishte në stadium “për të këshilluar delegatin e ndeshjes”, se nuk këshillonte gjyqtarin dhe se bashkë me këtë të fundit ishin thjesht “asistentë të delegatit të UEFA-s për ndeshjet e rrezikshmërisë së lartë”.

Nga ana tjetër, në kontrast të plotë, delegati i UEFA-s ka bërë të qartë se roli i tij “nuk ka përgjegjësi për sigurinë, e vetmja gjë që mund të bëjë është të këshillojë njerëzit e sigurisë”. Delegati Bin theksoi se ai dhe gjyqtari Atkinson kishin rënë dakord që ndeshja të vazhdohej në këto rrethana, por nuk i kujtohej nëse oficeri i sigurisë, Egbert, kishte bërë një arsyetim për rifillimin e takimit. Për CAS-in, ishte absurd fakti se si qendra operative e UEFA-s nuk kishte caktuar përgjegjësitë e secilit në këtë rast. Në pikën 221 të shpjegimit të vendimit të CAS-it, nuk ngurrohet të cilësohen vendimet e zyrtarëve të UEFA-s si të paqarta dhe jologjike. Sipas CAS-it, hapi i parë ishte të deklarohej se do të rifillohej ndeshja, pasi të garantohej siguria.

Por palës shqiptare nuk iu dha asnjëherë kjo siguri, aq më tepër pas një sulmi të stjuardëve kundër lojtarëve shqiptarë. Paneli e ka cilësuar të papërshtatshme edhe kërkesën që u është bërë skuadrave për t’u kthyer në fushë pa bërë asnjë bilanc të sigurisë në stadium në ato momente, gjë që, sipas dëshmive të protagonistëve, nuk ka ndodhur as në një moment të mëvonshëm, pasi Lorik Cana ka deklaruar se nuk mund të ktheheshin në fushë. CAS-i e ka cilësuar si shumë të çuditshëm faktin që ekipeve u bëhej një propozim pa u treguar se ekzistonte siguria në stadium dhe se një kontroll i tillë do të bëhej vetëm nëse pala shqiptare do të pranonte të kthehej në fushë.

Të gjitha këto shkelje të vazhdueshme të rregulloreve nga ana e zyrtarëve të UEFA-s, si dhe fakti që në asnjë dëshmi të shqiptarëve, UEFA-s apo edhe palës serbe nuk ekzistonte prova që Shqipërisë i ishte kërkuar në mënyrë të pakundërshtueshme nga gjyqtari të kthehej në fushë, ka bërë që të bjerë pretendimi i UEFA-s që kuqezinjtë kishin braktisur ndeshjen.

Ndaj, në pikën 248 të argumentimit, në të cilin pranohet se droni kishte qenë thjesht një nga elementet e ngjarjes, CAS arriti në përfundimin se ndalimi i ndeshjes dhe braktisja e saj erdhën “si pasojë e mangësive në siguri të palës organizatore dhe akteve të tmerrshme dhe të patolerueshme të dhunës së ushtruar ndaj lojtarëve shqiptarë nga tifozët serbë dhe të paktën një stjuardi të sigurisë. Incidenti i dronit sigurisht nuk ndihmoi në qetësimin e ngjarjeve, por në të gjitha rrethanat, janë këto akte të tjera të tmerrshme sjelljeje që bëhen faktorë domethënës në braktisjen e ndeshjes”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/