DURRËS, 2 korrik 2015 –  Në zbatim të planit të bashkëpunimit midis Forcës Detare dhe Zyrës së Bashkëpunimit Ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes (ODS), gjatë kësaj jave në kantierin detar të Pashalimanit, filloi riparimi i anijeve të dhuruara këto 17 vite nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA. Siç informon komandanti i flotiljes detare Pashaliman, kapiten i rangut I Subi Zenelaj, janë 10 anije amerikane: 3 motovedeta (MV) të klasit 65 foot, 2 MV të klasit 46 foot dhe 5 anijet patrulluese “Archangel”, që i janë nënshtruar një riparimi të plotë në kantier.

Zenelaj shton:

“Për realizimin sa më mirë të këtij riparimi në, si komandë, bashkë me efektivat dhe specialistë e grupeve të anijeve, kemi marrë të gjitha masat e nevojshme tekniko-organizative. Ky proces, nga më të rëndësishmin për Forcën Detare, filloi më 29 qershor dhe do vazhdojë deri më datën 18 korrik 2015. Gjatë kësaj periudhe specialistët amerikanë dhe shqiptarë do të kryejnë riparimin e defekteve dhe problemeve teknike që janë konstatuar në anijet amerikane, gjatë operacioneve të kryera në hapësirën tonë detare. Është fakt që gjatë këtyre viteve këto anije kanë mbajtur peshën kryesore në realizmin e detyrave dhe operacioneve të shumta të Forcës Detare, si ato për zbatimine ligjshmërisë, të kërkim-shpëtimit apo stërvitjet e ndryshme në det”.

Kuadro të vjetër mekanikë dhe motoristë, që kanë shërbyer për vite në këto anije si Ylli Leka, Besnik Bërdoj, Arben Koçi, Haki Stafa, Vaso Jazo, Artan Kojtari, Viron Brezhani, Roland Cane, Jako Kojani, Gëzim Hyseni, Alfred Mara, etj, kanë kujtimet më të bukura të jetës së tyre në det me këto anije.

Ish-kryemekaniku i MV-118, Ylli Leka, tani motorist tek anija tregtare, “Frojdi II”, thotë:

“Anije të forta, me karakteristika të mira teknike, që s’të lenë në mëshirën e dallgëve të detit, në kuptimin e plotë të fjalës, Luan Deti”.

Ndërkohë koordinatori i zbatimit të projektit për Forcën Detare, kapiten i rangut III Olsi Avduli (zëvendëskomandant i grupi I patrullues) sqaron:

“Që ditën e parë puna filloi nëpërmjet një bashkëpunimi perfekt midis specialistëve amerikanë, ekuipazheve tona dhe specialistëve të kantierit detar të Pashalimanit. Të gjithë duan të bëjnë më të mirën, duke vënë aftësitë e tyre mendore dhe fizike për çdo defekt që konstatohet. Një fillim i mbarë për realizimin me sukses të kësajdetyre të rëndësishme”.

Puna kryesore gjatë këtij riparimi të plotë është riparimi i tubolarëve të anijeve “Archangel” P-01, P-03 dhe P-05, për të cilat pala amerikane ka sjellë pjesë këmbimi, pajisje dhe materiale për riparim, zëvendësim e ndërrim për të gjitha anijet. Theksojmë se gjithë kostoja financiare e këtij procesi prej dhjetëra mijë dollarësh mbulohet nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA.

 

 

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”. Kontribuoi Shefqet Kërcelli/