24 qershor 2015 – Godinat e ndërtuara në vitet 1930 në Durrës kanë fituar të drejtën e qytetarisë dhe konsiderohen nga vendasit dhe të huajt si një trashëgimi e rëndësishme e qytetit bregdetar. Godina e Bashkisë, kompleksi i drejtorisë së Autoritetit Portual apo Banka Kombëtare Tregtare jo vetëm kanë ruajtur destinacionin fillestar për të cilin u ndërtuan para 80-90 vjetësh, por kanë pasur edhe vëmendjen e drejtuesve aktualë.
Krejt ndryshe ka ndodhur me hotelin “Vollga” dhe me Vilën mbretërore mbi kodër, të cilat pas shkëlqimit dhjetravjeçar, aktualisht janë lënë krejt pas dore nga pronarët e tyre. Ndërkaq, shteti nuk ka kërkuar që fasadat e tyre të mbulohen me elemente dekorative të përkohshme në pritje të restaurimit dhe imazhi i tyre është i mjerueshëm.
Sidoqoftë, ndërtesat ku strehohen institucionet kanë qenë më me fat. Godina e Bankës, e ndërtuar në vitin 1925, disa kohë më parë iu nënshtrua një restaurimi të thellë, edhe në pamjen e jashtme të saj. Të njëjtin kujdes të përvitshëm tregon edhe APD-ja për dy godinat e ndërtuara pas vitit 1928 dhe që janë kthyer në simbol të portit më të madh të vendit.
Një firmë e specializuar është kontraktuar për mirëmbajtjen dhe pastrimin e fasadave. Bashkia e Durrësit që nuk e ka ndryshuar “shtëpinë” e saj prej më shumë se 85 vjetësh është përpjekur të ruajë të paprekur elementet e fasadës mbi sheshin “Liria”. Më shumë suksese ka pasur ajo në nismën për fasadat e banesave në bulevardet “Dyrrah” dhe “Epidamn”.
Qyteti ka fituar një dimension të rëndësishëm.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/