· Detyrimi ndaj hekurudhave të tjera për orëqëndrimet e vagonëve në territorin shqiptar, deri më datën 31 tetor 2014, arrin në 1 370 057 euro
· Nuk janë zbatuar plotësisht procedurat ligjore për arkëtimin e vlerës 198 386 USD nga kompania “K-Shipping GmBH” Gjermani, detyrim i lindur në vitin 2007 për transport qymyri koks nga Elbasani dhe mineral hekur-nikeli Guri i Kuq-Elbasan-Kinë
· Nuk kryhet asnjë veprim financiar dhe kontabël në lidhje me detyrimet financiare që rezultojnë nga kamatëvonesat për orëqëndrimet e vagonëve të huaj
· Mjaft hekurudha të huaja (mes tyre, ato bullgare apo polake) kanë filluar të refuzojnë nisjen e mallrave nga importi me origjinë nga vendet e tyre me vagonët e vet
· Në të gjitha rastet nuk disponohet deklarata doganore, si dhe nuk ka marrëveshje me administratën doganore
· Për diferencat e vëllimeve të mallrave të konstatuara ndërmjet fletëngarkesës ndërkombëtare të transportit të mallrave me hekurudhë dhe sasive të faturuara të mallrave nuk mbahen procesverbale të konstatimi të këtyre diferencave, si dhe nuk pasqyrohen shkaqet e rezultimit të tyre
NGA THANAS MUSTAQI
DURRËS, 11 qershor 2015 – Rrumpallë në transportin ndërkombëtar të mallrave, teksa krijohen borxhe deri në 1 370 057 euro dhe nuk mblidhen borxhe deri në 198 386 USD. E pabesueshme, por fakt: në dokumentacionin e transportit të mallrave në përgjithësi mungon lista e vagonëve bashkëngjitur faturës dhe fletëngarkesës përkatëse, duke krijuar në këtë mënyrë një mosevidentim të saktë të vagonëve të hyrë e të dalë nga territori shqiptar, si dhe orëqëndrimet përkatëse për secilin vagon. Për diferencat e vëllimeve të mallrave të konstatuara ndërmjet fletëngarkesës ndërkombëtare të transportit të mallrave me hekurudhe dhe sasive të faturuara të mallrave, nuk mbahen procesverbale të konstatimi të këtyre diferencave, si dhe nuk pasqyrohen shkaqet e rezultimit të tyre. Në të gjitha rastet e transportit ndërkombëtar të mallrave Hekurudha Shqiptare nuk disponon deklaratën doganore, si dhe nuk ka marrëveshje me administratën doganore me qëllim lehtësimin e kontrollit dhe rregullshmërisë doganore të mallrave. Është një kaos i trashëguar prej dhjetëvjeçarësh për kohëqëndrimin e vagonëve të huaj; mospërkthimin në shqip të rregullores mbi shkëmbimin reciprok të vagonëve. Transporti ndërkombëtar hekurudhor bëhet në dy forma: nëpërmjet spedicionerëve hekurudhorë (Pansped-Serbi dhe 16 February-Mali Zi), me të cilët HSH ka lidhur kontratat përkatëse, ku këta spedicionerë kanë marrë përsipër likuidimin e detyrimeve të transportit për llogari të pritësit të mallit për destinacionin stacioni kufitar Bajzë-stacioni hekurudhor pritës; dhe nëpërmjet vetë subjekteve të ndryshme, të cilët paguajnë detyrimet e transportit për relacionin stacioni Bajzë-stacioni pritës.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah” po boton një përmbledhje fragmenti të auditivit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
1 MILION E 370 MIJË EURO DETYRIMET PËR KOHËQËNDRIMIN E VAGONËVE TË HUAJ
Nga auditimi u konstatua se nuk është bërë likuidimi në kohë i detyrimeve për kohëqëndrimin e vagonëve të huaj, problem shqetësues dhe me pasoja për Hekurudhën Shqiptare. Detyrimi që ka kjo e fundit ndaj hekurudhave të tjera “Për orëqëndrimet e vagonëve në territorin e Hekurudhës Shqiptare”, deri më datën 31 tetor 2014 është në vlerën 1 370 057 euro. Në këtë vlerë nuk janë përfshirë penalitetet për moslikuidim në kohë të detyrimeve që Hekurudha Shqiptare ka ndaj hekurudhave të tjera për përdorimin e vagonëve. Këto penalitete janë si rrjedhojë e mosllogaritjes, duke mos u kontabilizuar, por vetëm principali. Principali është kontabilizuar mbi bazën e urdhrave të çdo muaji nga drejtori i njësisë, çka do të thotë që vlera totale ndaj hekurudhave të tjera është më e madhe. Për këtë shkak hekurudhat e huaja kanë filluar të paraqesin dhe detyrimin për kamatëvonesat në likuidimin e detyrimeve; mjaft hekurudha të huaja (mes tyre ato bullgare apo polake) kanë filluar të refuzojnë nisjen e mallrave nga importi me origjinë nga vendet e tyre me vagonët e vet. Moslikuidimi për një kohë të gjatë ka ndikuar dhe në performancën e Hekurudhës Shqiptare ndaj të huajave, problem ky, i cili mund të ngrihet dhe në forumet ndërkombëtare të këtij transporti.
MOSRAKORDIME ME TË HUAJT
Nuk është bërë përkthimi në gjuhën shqipe i marrëveshjes RIV (Rregullore mbi shkëmbimin reciprok të vagonëve), lidhur me dokumentacionin shoqërues të vagonëve për transportin e mallrave dhe aplikimin e kamatëvonesave për orëqëndrimi të vagonëve të huaj, duke ndikuar direkt në rezultatin financiar, pasi kjo krijon vështirësi në përcaktimin e detyrimeve ndërmjet Hekurudhës Shqiptare ndaj hekurudhave të huaja, sipas procedurave të parashikuara në RIV. Nuk kryhet asnjë veprim financiar dhe kontabël në lidhje me detyrimet financiare që rezultojnë nga kamatëvonesat për orëqëndrimet e vagonëve të huaj ndaj hekurudhave të huaja. Ky mosveprim nga ana e HSH-së nuk krijon besueshmëri për raportimin e saktë dhe të besueshëm të detyrimeve dhe rezultateve financiare, për shkak se kamatëvonesat e dërguara nga hekurudhat e huaja pranohen të mirëqena, pa bërë përllogaritjen e penaliteteve dhe përfshirjen e tyre në raportimet e pasqyrave financiare. Nuk janë kryer rakordime ndërmjet HSH-së dhe hekurudhave të huaja, lidhur me dokumentacionin e hyrje-daljeve të vagonëve. Në dokumentacionin e transportit të mallrave në përgjithësi mungon lista e vagonëve bashkëngjitur faturës dhe fletëngarkesës përkatëse, duke krijuar në këtë mënyrë një mosevidentim të saktë të vagonëve të hyrë e të dalë nga territori shqiptar, si dhe orëqëndrimet përkatëse për secilin vagon. Kjo ndikon drejtpërdrejt në përkeqësim të gjendjes ekonomike të HSH-së, pasi, sipas kapitullit 3.3 të RIV, pika 71.1.2, për vagonët e një rëndësie të ulët komerciale aplikohet një tarifë e rritur me 15% nga ora e 241 e qëndrimit për vagonët në territorin shqiptar, e cila rritet me 100% nga ora e 721 e qëndrimit. Ndërsa për vagonët e cilësisë së lartë komerciale aplikohet një tarifë e rritur me 30% nga ora e 241 e qëndrimit për vagonët në territorin shqiptar, e cila rritet me 100% nga ora e 721 e qëndrimit.
PA DEKLARATË DOGANORE
Faturave tatimore të transportit të mallrave, nuk u bashkëngjiten fletëngarkesat e transportit të mallrave. Ky veprim përbën risk në zbatimin korrekt të tarifave, duke i krijuar mundësi aplikuesit dhe përfituesit për shkelje financiare në dëm të Hekurudhës Shqiptare. Ky veprim është në kundërshtim me Vendimin e Këshillit Mbikëqyrës nr. 4, datë 03.02.2014, kapitulli II, pika 1.4.a. Në shumë raste fletëngarkesat ndërkombëtare (CIM) nuk përputhen me tonazhin e shënuar në faturë. Për diferencat e vëllimeve të mallrave të konstatuara ndërmjet fletëngarkesës ndërkombëtare të transportit të mallrave me hekurudhë (CIM) dhe sasive të faturuara të mallrave nuk mbahen procesverbale të konstatimi të këtyre diferencave, si dhe nuk pasqyrohen shkaqet e rezultimit të tyre. Në të gjitha rastet e transportit ndërkombëtar të mallrave Hekurudha Shqiptare nuk disponon deklaratën doganore, si dhe nuk ka marrëveshje me administratën doganore me qëllim lehtësimin e kontrollit dhe rregullshmërisë doganore të mallrave, siç është parashikuar në nenin 7 të Ligjit nr. 9167, datë 22.01.2004 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare “Për lehtësimin e kalimeve kufitare për mallrat e transportuara me hekurudhë”.
FATURA TATIMORE PA DOKUMENTET BANKARE
Faturave tatimore të lëshuara nga Njësia e Biznesit të Mallit, për efekte parapagimi të mallrave që do të importohen sipas kërkesave verbale të iks shoqërie, nuk u bashkëngjiten dokumentet bankare, që të vërtetojnë arkëtimet e sakta dhe në kohë të parapagimeve. Faturat tatimore të lëshuara për efekt parapagimi hartohen dhe nënshkruhen nga sektori i marketingut bazuar në imejlet (e-mail) që dërgon shoqëria. Zbritjet në fatura për rastet e parapagimeve apo të uljeve komerciale janë përgjithësisht pa referenca. Edhe në rastet kur ka referenca, kjo e fundit nuk i përgjigjet numrit të faturës së parapaguar. Për vitin 2014, nuk janë lidhur kontrata me dy klientë, veprim në kundërshtim me vendimin nr. 4, datë 03.02.2014 të Këshillit Mbikëqyrës, kapitulli për “Uljet Komerciale”, pikat 1,2,3. Në kontratat e lidhura ndërmjet transportuesit HSH dhe klientëve, për transportin e mallrave të ndryshme, nuk janë përcaktuar penalitetet për mosrealizim të kontratës në sasi, si dhe për likuidimet e vonuara të faturave nga klientët.
KOKSI DHE HEKURI PËR KINË / NUK ARKËTOHEN MBI 198 MIJË DOLLARË “GJERMANË”
Nga shoqëria “Hekurudha Shqiptare”, nuk janë zbatuar plotësisht procedurat ligjore për arkëtimin e vlerës 198 386 USD nga kompania “K-Shipping GmBH” Gjermani dhe “Star Speed”, në cilësinë e agjentit të përgjithshëm, detyrim i lindur në vitin 2007. Edhe pse KLSH-ja, më 25 mars 2010, ka rekomanduar “Të kërkohet në rrugë ligjore arkëtimi i vlerës 194 386 USD nga agjenti i përgjithshëm i kompanisë “K-Shipping GmBH”, deri më 10 shkurt 2014, Hekurudha Shqiptare sha Durrës, nuk ka bërë ndryshimin e kërkesëpadisë, por vazhdon çështja gjyqësore me një kompani, për cilën konsullata shqiptare në Gjermani ka dërguar zyrtarisht konfirmimin e se kjo kompani ka falimentuar në vitin 2001. Ky veprim është bërë për të shmangur vjeljen e këtij detyrimi nga përfaqësuesi ligjor, i cili ka nënshkruar faturat dhe fletëngarkesat e transportit të qymyrit koks nga Elbasani me destinacion Kinën dhe mineralit të hekur-nikelit Guri i Kuq-Elbasan-Kinë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/