9 qershor 2015 – Pas acarimit të raporteve, paralajmërimeve, notave të protestës dhe tensionit të nëndheshëm, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë kanë kaluar në një fazë tjetër. Edhe pse janë dy vende anëtare të NATO-s, Shqipëria dhe Greqia duket se janë në prag lufte. Ndoshta mes Athinës dhe Tiranës nuk do të ketë kurrë konflikt ushtarak, por Greqia ka dhënë një mesazh force, duke zhvendosur ushtrinë në kufirin me Shqipërinë. Disa ditë pasi ish-krerët e ushtrisë greke, përfaqësues aktualë të ushtrisë greke dhe shefi i shërbimeve sekrete greke zbarkuan në Jug të vendit për të parë terrenin, Greqia ka vendosur të afrojë ushtrinë në kufirin me Shqipërinë, nga paranoja se Shqipëria, pas paralajmërimit për detin, mund të kërkojë territoret shqiptare të aneksuara dhe të përvetësuara nga grekët, shekullin e fundit. Qeveria greke, ndonëse në krizë të thellë financiare, ka vendosur të hapë posta dhe qendra ushtarake në kufirin me Greqinë. Qendrat e reja ushtarake janë vendosur në Pogonit të Janinës. Kjo lëvizje ka ardhur në kuadër të planit për të blinduar kufirin me Shqipërinë si dhe në një kohë kur, autoritetet greke dhe kompanitë kanë pezulluar kërkimet për naftë në zonat e përbashkëta detare, pas paralajmërimit të Tiranës. Po ashtu, në ditët në vijim janë planifikuar edhe patrullimet dhe fluturimet me helikopter në kufirin me Shqipërinë. Po ashtu, ushtria greke do të demostrojë edhe manovra të tjera force. Nuk përjashtohet mundësia se pas rreshtimit të ushtrisë në kufi fshihet edhe plani për të vijuar me forcë kërkimet në zonat detare, të cilat i përkasin Shqipërisë. Të gjitha këto lëvizje janë pasqyruar nga gazeta greke “Kathimerini”. “Si pjesë e riorganizimit që është bërë dhe në bazë të urdhrave të dhëna nga unë dhe nga Shefi i Ushtrisë, në ditët e ardhshme do të shtohet prania e rekrutëve. Më tej do vijohet me rihapjen postave ushtarake. Njësitë komando do të bëjnë ushtrime me helikopterë, për t’u dhënë banorëve një ndjenjë sigurie. Ushtria, policia greke dhe autoritetet lokale të bëjnë përpjekje, të bëjnë një punë më të mirë, por ne duhet të ringjallin fshatrat. Djemtë e rinj që kanë lënë atdheun e tyre dhe janë të papunë në Athinë, duhet të kthehen për të kultivuar tokën”, shkruan “Kathimerini”, duke cituar ministrin grek të Mbrojtjes.
Ministri grek i Mbrojtjes
Ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Panos Kamenos, i ka dhënë një mesash force dhe sfide kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili disa ditë më parë tha se Shqipëria nuk negocion kurrë sovranitetin e saj territorial për të përmirësuar marrëdhëniet me Greqinë. Kështu, ministri i Mbrojtjes greke ka deklaruar se Athina nuk ka askënd frikë, ndërsa ka shtuar se Greqia nuk negocion asnjë milimetër det, ajër dhe tokë. Ndërkaq, deklaratat e kryeministrit Edi Rama, ministri i Mbrojtjes së Greqisë i ka konsideruar si kërcënim ekonomik për Athinën.
"Sovraniteti i vendit nuk do të negociohet. Askush nuk mund ta negociojë. Deklarata është konsideruar si kërcënim ekonomik apo kërcënim i jashtëm. Por, Greqia nuk ka frikë. Greqia nuk jep asnjë centimetër ajër, tokë dhe det”, ka deklaruar Panos Kamenos. Ai u ka bërë thirrje grekëve pranë kufirit me Shqipërinë që të ndjehen të gjithë të sigurtë.
Provokimi grek në vitin 1949, si dështoi ushtria helene
Në 2 gusht 1949, territori jugor shqiptar në juglindje me bazë rajonin e Korçës, por edhe deri në Konispol të Sarandës në Likojan, u bë objekt sulmi ushtarak prej Greqisë. Sipas dokumenteve të asaj kohe, në sulmin e 2 gushtit 1949, grekët përdorën kundër Shqipërisë ushtrinë me topa, avionë, ushtri tokësore e gjithçka që përdor çdo ushtri që synon të pushtojë një vend tjetër. Ushtria shqiptare, iu kundërpërgjigj sulmit pushtues grek, me luftë të armatosur, në mbrojtje të kufijve e trojeve që u sulmuan. Shqiptar mobilizoi dhe futi në luftën mbrojtëse 10 mijë ushtarë, ndërkohë që po mbante në gatishmëri edhe 30 mijë trupa të tjerë pranë zonës së sulmuar. Siç dihet, Greqia ka pasur historikisht pretendime e synime për rrëmbim territoresh shqiptare, të cilat në 100 vitet e fundit i ka manifestuar edhe me provokacione e diversione ushtarake, duke tentuar të zaptoj forcërisht trojet shqiptare. Grekët kishin 8 muaj që bënin provokacione në kufirin shqiptar. Pasi nuk kishin mundur të shkaktonin acarim të palës shqiptare për nisje konflikti, krejt të dëshpëruar dhe të acaruar, në 2 gusht 1949, ata nisën sulmin ushtarak, duke goditur me mortaja dhe artileri kodrën “1309” mbi fshatin Vidohovë, nga predhat e të cilave u vranë 2 oficerë dhe 6 ushtarë, ku njeri nga oficerët e vrarë ishte kapiten Memo Nexhipi, nga fshati Dukaj i Tepelenës, tashmë “Hero i Popullit”. Por si filloi dhe si u realizua ky sulm? Në mëngjesin e 2 gushtit 1949, në orën 04.30, në zonën e Bozhigradit (Mirasit) filloi përgatitja me artileri e forcave ushtarake greke, të dislokuara përgjatë kufirit me Shqipërinë. Predhat ranë deri 300-400 m në thellësi të territorit shqiptar. Në orën 05.00 filloi sulmi i fanterisë greke me 3 batalione të Br.51F dhe Br.52F të D1F, të mbështetur nga një Regjiment Artilerie dhe një skuadrilje aeroplanësh gjuajtës, të tipit “Spitfiter”, me bazë në aerodromin e qytetit Kastoria. Ata sulmuan kuotat 1309 dhe 1425 që ndodheshin 100 m në thellësi të territorit shqiptar, në sektorin e postës kufitare Vidohovë-Bilisht. Mirëpo nuk kaluan veçse disa orë dhe Forcat Kufitare Shqiptare filluan kundërsulmin dhe i detyruan trupat ushtarake greke të tërhiqen me dështim të plotë.
/Gazeta Sot/