DURRËS, 2 qershor 2015 – Termat / banjat romake të Durrësit, janë tashmë të vizitueshme, duke iu shtuar guidës së turizmit kulturor të këtij qyteti. Ky fakt, që ndodhi më 1 qershor 2015, kaloi pa u vënë re, ndoshta, për arsyen se veprimtaria zyrtare përkon me fushatën elektorale.
Termat / banjat u zbuluan rastësisht gjatë hapjes së themeleve të Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”, në vitin 1960, vit, në të cilin u vendos për lënien e tyre të hapura për vizitorët dhe ngritjen e ndërtesës me kolona. Projekti për pastrimin e monumentit antik tashmë ka dy vite që ka nisur dhe është bashkëpunimi i Ministrisë së Kulturës me Bashkinë e Durrësit. Duke konstatuar një gjendje të papranueshme të këtij monumenti për t’u vizituar nga turistë të huaj dhe vendas, drejtoria rajonale e kulturës kombëtare (DRKK) Durrës ngriti një grup pune për hartimin e një projekti, që synon konservimin dhe integrimin drejt një muzealizimi, të këtij monumenti. Në sajë të një bashkëpunimi të frytshëm me Institutin e Arkeologjisë dhe Universitetin Lion-2, Francë, nën koordinimin e frytshëm të arkeologut Eduard Shehi, u bë e mundur që Termat të pastroheshin dhe të ndriçoheshin me një ndriçim provizor deri në përfundim të realizimit të projektit të DRKK-së, i cili ende nuk ka kaluar fazën e miratimit në këshillin shkencor.
Të hënën, më 1 qershor 2015, në ambientet e Termave Romake të qytetit, u prezantua nga arkeologët francezë dhe shqiptarë projekti, që synon futjen e termave / banjave romake në një sistem GIS, të avancuar, së bashku me gjithë pasurinë arkeologjike të qytetit të Durrësit, para ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Kryetarit të bashkisë së Durrësit, zotit Vangjush Dako. Gjithashtu u prezantua edhe projekti i DRKK-së Durrës për termat, ku u falënderuan nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Marie Kaçulini”, pjesë në rrjetin “Miqtë e Monumentit”. Ata ishin frymëzim dhe nxitje për ta përfunduar shpejt dhe me cilësi projektin.
Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila, pasi pa nga afër punën e bërë, vlerësoi se monumenti antik, dëshmi e historisë, është një nga format e promovimit të trashëgimisë sonë kulturore e cila ndikon edhe në rritjen e turizmit në vend:
“Është një nga qendrat më të rëndësishme të Durrësit. Jemi vetëm në fillim të punës me kryetarin, sepse me kryetarin e ardhshëm prapë do të vazhdojmë t’i ndjekim, zoti Dako nuk do të na lëshojë, sepse është në interes të Durrësit për ti përfshirë monumentet e kulturës në itinerarin turistik dhe në interes të të gjithë trashëgimisë kulturore dhe të gjithë shqiptarëve që këto monumente, jo vetëm të mbrohen e të pasurohen, por edhe të promovohen për turistët dhe për vizitorët vendas”.
/red. kult. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/