30 maj 2015 – Markelian dhe Klevis Doçi akuzohen për vrasjen në Holandë të Durim Sulkut, krim ky që çoi në masakrën e trefishtë të së mëkurës në Tiranë. Gjykata e Krimeve të Rënda dha sot masën e sigurisë për tre të mbijetuarit e ngjarjes së rëndë, ku u vranë Mentor Lufi, Besnik Sulku dhe Gerti Goxhaj. Sipas prokurorisë, italiani i “Camorra”-s Salvatore Letizia është paguar nga Besnik Sulku për të vrarë Mentor Lufin për hakun e të vëllait. Ndërsa Markeljan Doçi akuzohet për vrasjen e Sulkut te bulevardi “Zogu i Parë”, pak sekonda pasi iu bë atentat dajës së tij, Lufi. Për Klevis Doçin u kërkua arresti me burg, sepse ai akuzohet se vrau Durim Sulkun në Holandë, bashkë me vëllanë, Markeljanin.

Nga hetimet paraprake të Prokurorisë së Krimeve të Rënda rezulton se nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, dy vëllezërit Doçi rezultojnë se ndodheshin jashtë territorit të Shqipërisë që prej datës 6 prill 2015.

Konflikti që çoi në marrjen e 4 jetëve brenda 1 muaji zë fill mes Lufit dhe Sulkut, për shkak të çështjeve të drogës dhe kromit në Bulqizë. Në dhjetorin e shkuar Mentor Lufit iu bë atentat, por pa lëndime, ndërsa në prill u ekzekutua Durim Sulku. I vëllai ishte betuar për t’i marrë hakun, por veç shënjestrës, mbeti dhe vetë i vrarë.

 

 

 

 

Agjencia e lajmeve “Dyrrah”