Lorenc Vangjeli

Tashmë është fenomen. Si një markë. Si një brand. Njihet qoftë dhe vetëm  nga emri. Kur thua Grida dihet se për kë bëhet fjalë. Shumë burra mezi e kanë arritur një gjë të tillë dhe kryesisht vetëm me mbiemrat: Berisha, Rama, Meta, Basha apo dhe Nano dikur.

Grida është fenomen. Çfarë do që të bëjë dhe çfarë do të mos bëjë, tek gruaja që po tenton të fitojë bashkinë e Durrësit përqëndrohen në mënyrë të rrufeshme të gjithë projektorët dhe vemendja publike. Eshtë një krijesë edhe mediatike, edhe ekzotike.

Historia dhe më pas edhe histeria e një fotoje nga pas shpinës që duke nisur nga e enjtja mbasdite nisi të qarkullojë nëpër celularë në fillim dhe në rrjetet sociale më pas, është një argument më shumë për të shpjeguar Gridën. Realisht ishte një këngëtare polake, fustani i të cilës i kishte treguar erës që frynte ëndrrën e shumë burrave. Burra me jetë të lumtur bashkëshortore, burra që e dredhin dhe jua dredhin, burra që dashurojnë marrëzisht siç mund të bëjnë vetëm poetët apo dhe burra që paguajnë për shërbime seksuale, pra, të shumicës dërmuese të burrave. Fatkeqësisht, kjo ishte një ëndërr importi. Një ëndërr polake.

Nuk është megjithatë ky problemi. Problemi është i shumëfishtë.

Së pari ka të bëjë me triumfin e formës mbi përmbajtjen. Shumë pak ka idenë se çfarë propozon Grida të bëjë për Durrësin në veçanti apo për politikën shqiptare, por të gjithë janë të gatshëm të diskutojnë me hir apo pahir për hiret e saj femërore; shumë pak janë ata që dëgjojnë se se çfarë i propozon ajo të ardhmes, por ngordhin nga kurioziteti për të njohur të shkuarën e saj.

Në Konventën e PD-së të fillimit të të fushatës elektorale, Grida ishte më e duartokitura nga publiku dhe më e “urryera” nga PD-ja tradicionale: xhelozia është njerëzore. Edhe kur nuk gjen arsye për xhelozinë, suksesi i dikujt projekton dështime personale dhe mjafton për të ngjallur së paku mospëlqim.

Së dyti ka të bëjë me një llogari të gabuar elektorale. Bindja mashkullore se duke e fyer me një foto të tillë, Grida nesër merr më pak vota në Durrës është e gabuar. Politikisht dhe etikisht. Eshtë e gabuar njëlloj si ajo bindja e ligë që gjykoi tetë vjet më parë se nëse e shihnin Edi Ramën lakuriq në plazhet franceze, do ta votonin më pak në Tiranë. Me shumë gjasë ndodhi e kundërta.

Sot është një situatë gati e ngjashme, por me nota komike dhe dramatike njëherësh. Eshtë e hidhur të pranohet, por “vuajarizmi” brutal dhe barbar që shpërtheu mbi shpinën e një gruaje, mund të turpërojë çdo burrë, të secilës kategori, që nga shenjtorët realë e të detyruar dhe deri tek mëkatarët tradicionalistë.

Shoqëria shqiptare ka ende probleme jashtëzakonisht serioze në këtë fushë. Ajo është e gatshëm ta dënojë me përbuzje një të mitur që i kërkon dhunuesit të saj lekë për një karficë flokësh, si Nazimja e famshme, por përulet me respekt përpara çdo lloj shkëmbimi në natyrë në politikë apo në jetët e personazheve të njohur.

Shoqëria shqiptare shpërtheu e lënduar fort kur Bleona, sa për të marrë një shembull, vendosi të fotografohet me një fustan të (zh)veshur në SHBA. Thelbi ishte që këngëtarja kontraverse kishte dëmtuar imazhin e Shqipërisë. A thua se imazhi i vendit të burrave që preferojnë ngjyrën e zezë në veshje do të ishte i pacënuar dhe më i nderuar nëse vithet e Bleonës do të ishin si të Jlo apo të Kim Kardashianit.

Grida, në mos qoftë viktimë e një shakaje që sot falë internetit merr përmasat e ortekut sa hap e mbyll sytë, është një llogari e gabuar. Me botimin e fotos së rreme sot ajo është një grua e lënduar, por një politikane e fituar. Dhe nuk meriton as njërën as tjetrën. Së paku jo me këtë lloj teknologjie. Grida tashmë është markë. Njihet vetëm nga emri. “Interneti” donte ta bënte të njihej dhe vetëm duke e parë nga pas, por gaboi. Na shërbeu dhe njëherë si pasqyrë për të parë vetveten.

Si një mundësi për t’i kërkuar ndjesë Gridës.

Eshtë koha e saj. Edhe nëse sot është dëshmi e dështimit të përmbajtjes nën formë apo anasjelltas, e triumfit të formës mbi përmbajtjen.