Piktori dhe skulptori durrsak Ilirjan Xhixha i ka dhuruar një vepër arti qyteti të tij të lindjes që i bën homazh dritës së qytetit bregdetar duke i dhënë një tingull të ri sheshit të tij kryesor.

 

Veprat monumentale e artistit Durrsak Ilirjan Xhixha, i cili u largua nga qyteti i tij i lindjes drejt Italisë dy dekada më parë, hijeshojnë sheshe dhe koleksione private nga Tokio në Nju Jork.

Megjithatë, tanimë Xhixha është rikthyer me një krijim të ri të titulluar ‘Kaligrafia e dritës së qytetit të Durrësit,’ i vendosur në sheshin e rikonstruktuar Liria, që shtrihet midis bashkisë dhe teatrit Aleksandër Moisiu.

Vepra e Xhixhës është një instalacion gjigant inoksi që gjarpëron horizontalisht në shesh, duke thithur dritën dhe reflektuar imazhet e strukturave ekzistuese përqark tij, si imazhet fikse dhe ato në lëvizje.

Pasqyrimi imazheve në lëvizje ose fikse në të gjithë shtrirjen kohore të ditës, në ecje ose të palëvizshme, si dhe përzierja e  ngjyrave të objekteve e kthen sheshin e ri në një pikture të madhe abstrakte, informale.

“Ideja fillestare për këtë vepër lind [me pyetjen] se si mund të ekuilibrohet kjo hapësirë, ky shesh në funksion me të gjithë arkitekturën rreth e përqark ekzistuese, ku kemi disa lloj kulturash, një mishelë që vështirë të ekuilibrohej me një të vetme skulpturë, sa do mrekulli vepër arti të ishte,” shpjegon Xhixha.

“Lindi ideja e potencës nevralgjike të qytetit të Durrësit, të potencës së dritës, të dritës marramendëse të këtij qytetit dhe kërkova t’i jap një tingull këtij sheshi,” shton ai.

Sipas Xhixhës qyteti i Durrësit ka një dritë të pastër, që është njohur që nga kohërat antike ku ai shpesh përshkruhej si një qytet me dritë dhe si taverna e Adriatikut.

Sheshi dhe monumenti i ri u përurua të enjten nga kryeministri Edi Rama, i cili nuk i kurseu vlerësimit për ish-studentin e tij.

“Unë dua t’ju falënderoj edhe një herë nga zemra, ish studentin tim dhe jam shumë krenar sepse, në qoftë se një profesor apo një mësues nuk e lënë mbrapa studentët, ai nuk është as profesor dhe as mësues,” u shpreh Rama.

“Kështu që jam shumë krenar që Iliri është një nga ata dhe nuk është i vetmi që ma kanë kaluar dhe kanë arritur të kthejnë atë që kanë marrë nga unë, por edhe atë që kanë ushqyer me pasionin e tyre, në një rrugë artistike të vlerësuar në arenën ndërkombëtare, të vlerësuar nga kritika, por sigurisht, edhe të vlerësuar nga koleksionistët,” shtoi ai.

Megjithatë, rijetëzimi i sheshit Liria dhe sidomos zhvendosja nga ky shesh i shatërvanit të viteve 1920 nuk kaluar pa debate.

Xhixha thotë që si shumë Durrsak të tjerë ai mbart gjithashtu shumë nostalgji për shatërvanin, por nënvizon që sheshi i mëparshëm ishte konceptuar për një qytet për 18,000 banorë një shekull më parë dhe nuk i përgjigjej evoluimit të tij.

“Në fizionominë dhe evoluimin e përditshëm, bota ecën me hapa gjigante, dhe nëse ne kërkojmë të lëvizim ky është një fakt pozitiv,” thotë ai.

I diplomuar për pikturë dhe skulpturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe të Brerës në Milano, Xhixha ka studiuar me disa nga figurat më në zë të rrymës informale në artit në Itali, si Gottardo Ortelli, Davide Benati dhe Paolo Minolli, të cilët tashmë janë kthyer në simbole të kësaj lëvizje.

Veprat e tij avangarde dhe informale kërkojnë të modelojnë dritën nëpërmjet modelimit të strukturës por dritën nëpërmjet strukturës, ku materiali i tij preferuar mbetet inoksi.

Artisti Durrsak shpjegon se e ka titulluar veprën e tij Kaligrafia e dritës së qytetit të Durrësit, sepse “të gjithë përfaqësohemi nga një kaligrafi, të gjithë e kemi bërë një spontanitet kaligrafik.”

Frekuenca e dritës shpjegon ai, i ka të gjitha ngjyrat brenda, të cilat krijojnë një tingull të veçantë kur modelohen në një vepër arti. Artisti shpjegon që gërvishtjet që do të lënë qytetarët duke shkelur mbi pasqyrat e inoksit do ta rimodelojnë përjetësisht këtë vepër.

“Gërvishtja banale është një alterim që ndikon në ndërrimin e frekuencës së ditës dhe kjo rimodelon përsëri këtë vepër me gjurmën e qytetarit që kalon,” Xhixha thotë . “Është një vepër në vazhdimësi si me qytetarët ashtu dhe me dritën në pafundësi,” shton ai.

Pa dashur ta kategorizojë veprën e tij, ai e përshkruan atë si një vepër arti ku përplasen shumë faktorë, në një shesh që ka disnivelet e tij, nga pikat e vështrimit nga më të ndryshmet, duke shtuar që sheshi ekzistues kishte nevojë për një tingull drite.

“Ishte imponimi i hapësirës ekzistuese që unë ta zgjidhja në këtë mënyrë, të dominonte ky tingull drite që i mungonte, dhe nuk mund t’u ekuilibronte sipas meje në drejtim tjetër. Kjo u bë duke modeluar diçka autoktone, jo provinciale, jo ballkanike, por bashkëkohore,” tha ai.

 

Besar Likmeta (BIRN)