17 maj 2015 – Kur të majtët ishin në opozitë një nga akuzat më të rënda e më problematike drejtuar kabinetit Berisha ishte blerja dhe përdorimi nga Ministria e Mbrojtjes, (kreu i së cilës ishte Arben Imami), i një pajisje speciale e të kushtueshme përgjimesh, jashtë kritereve të përcaktuara nga ligji.
Socialistët në opozitë akuzonin Imamin dhe Berishën se me këtë pajisje ishte përgjuar opozita shqiptare, diplomatë, miq dhe aleatë si edhe janë kryer përgjime në Kosovë për interesa private të politikanëve të Tiranës. Pas ardhjes në pushtet të “rilindësve” meseleja e pajisjes së përgjimit dalëngadalë u harrua. Nuk u mor vesh a ishin të vërteta akuzat e ish-opozitës? A e kishte shkelur Arben Imami Konventën e Vjenës së vitit 1961 “Mbi imunitetin diplomatik”? A ishte përdorur pajisja përgjuese për interesa private?, etj.
Për të shuar kuriozitetin e lexuesve dhe për të tentuar rihapjen e historisë së “përgjimeve Imami” po botojmë një foto të pajisjes përgjuese të instaluar në ambientin e punës në zyrat e ish-SHIU-t, zbulimit ushtarak shqiptar. Fotografia botohet për herë të parë dhe vazhdon funksionimin edhe aktualisht, kur ministrinë e drejton Mimi Kodheli.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah”