Gjergj Thanasi
30 prill 2015 – Një nga premtimet e Rilindjes së vitit 2013 ishte që investitorët e huaj, që duan të investojnë në Shqipëri, nuk duhet të kalojnë nëpërmjet kalvarit rrjepës të sekserëve. Si propagandë elektorale nuk kishte të sharë. Të tërheqësh investime të huaja direkte në kohë krize është me të vërtet mrekulli, por nga e thëna në të bërë është ndërmjet një det i tërë.
Në këtë kontekst do t’u sjellim lexuesve një shembull se si investitorët e huaj sorrollaten, mërziten dhe në fund fare u “varet kollarua”, njëlloj në mos shumë fish më zi se në kohën e Berishës.
Kompania norvegjeze me aktivitet në Portugali Frupor S.A. me CEO dhe pronar Ole Martin Siem, mendoi të investonte në bujqësinë shqiptare, që në vitin e largët 2008. Në këtë kohë fermën e kompanisë Frupor në Portugali e vizituan Baftjar Zeqo ( Kryebashkiak i majtë i Fierit), Luan Mucaj (Kryetar i qarkut Fier i djathtë), disa kryetarë komunash përfshirë edhe atë të Komunës Topojë, ku mendohej të kryhej investimi. Ky investim prej 22 milion eurosh parashikohej të kryhej në një sipërfaqe toke prej 1 000 hektarësh tokë kryesisht e kripur pak e përshtatshme për bujqësi. Më pas kalvari vazhdoi me ish-ministrin e famshëm të bujqësisë Genc Ruli, ku investitorët sorrollateshin e sorrollateshin deri sa të dilnin në “fotografi” te Rruli. Fatkeqësisht norvegjezët nuk para marrin vesh nga teoria e lyerjes së rrotës së qerres për të zgjidhur problemet. Ata të mësuar me praktika europiane të paktën që nga qershori i vitit 2010, kur takuan Kryeministrin e atëhershëm Berisha, shpresuan që do të kishin mundësi të fillonin të investonin, sepse për këtë kishin edhe përkrahjen zyrtare të Berishës. Në shtator 2012 norvegjezët zyrtarisht me një memo iu drejtuan përsëri Kryeministrit Berisha për të ndërhyrë për të mos vazhduar pengimi i investimit nga Ministria e Bujqësisë (ministri Rruli). Deri në maj të viti 2013, ish-dikasteri Rruli nuk i dha përgjigje qoftë edhe negative kërkesave me shkrim të investitorit potencial norvegjez.
Pas ndërrimeve të pushtetit u pa që kishin ndërruar njerëzit, ministrat, por jo mentaliteti anadollak. Investitori norvegjez, që në nëntor 2013 i përsëriti kërkesën me shkrim ministrit të bujqësisë Panariti po për të njejtin investim në tokat e Komunës Topojë. Ministri Panariti siç është zakon me ministrant e LSI-së topin e kaloi te Meta. Norvegjezët për të bindur “të plotfuqishmin” Meta i organizuan edhe një vizitë njohëse-turistike në Portugali në gusht 2013, me qëllim që kryeparlamentari të shikonte me sytë e vet fermën Frupor investim i kompanisë me CEO Ole Martin Siem.
Në qershor 2014 investitorët norvegjezë me kërkesën e ministrit Panarit organizuan një takim me të, ku pala norvegjeze ra dakord, që investimin ta kryente në këtë tokë duke e marrë me qira sipërfaqen prej 1 000 hektarësh.
Në 30 tetor 2014 kompania norvegjeze dorëzoi kërkesën për marrje me qira të sipërfaqes së tokës mbështetur në VKM-në nr. 460. Ndonëse ligji parashikon, që investitori duhet të marrë përgjigje (pozitive ose negative) brenda 15 ditëve nga bërja e kërkesës, përgjigja nga Ministria nuk ka ardhur as deri më sot 30 prill 2015.
Më 17 janar 2015 Ministria e Bujqësisë njofton në media për hapjen e procedurave për dhënien me qira të kësaj sipërfaqeje toke. Për personat që donin të konkuronin për marrjen me qira të tokës, kishte afat për të dërguar dokumentacionin deri në 17 shkurt 2015. Baza ligjore për këtë ankand të Ministrisë ishte përsëri VKM-ja nr. 460.
Hapja e zarfave të kërkesave u bë vërtet më 17 shkurt 2015, por kjo procedurë u krye në kundërshtim flagrant me VKM-në nr. 460, e cila vë theksin në transparencën e të gjithë operacioneve të tenderit.
REZULTATI:
Papritmas e pa kujtuar fitues i tenderi u shpall një subjekt i quajtur “Agri Products Europe” SHPK, ku paketën kontrolluese të aksioneve e zotëron z. Mohammad Abaidul Karim me shtetësi bangladeshase. Investitorët norvegjezë e pësuan si Lipe Shtogu, personazhi i skecit të Estradës së Fierit, emri i të cilit kishte mbetur prapa liste. Firma fituese e investitorit bangladeshas ishte regjistruar në KQR vetëm në 12 dhjetor 2013. Nga një anë norvegjezët me durim përplaseshin me burokracinë shqiptare, që në vitin 2008, nga ana tjetër papritmas e pakujtuar dilte bangladeshasi si fandi spathi. Për të përshkruar këtë aferë na vjen në ndihmë personazhi i Shokut Zylo të Dritëro Agollit. Për efekt përshkrimi ne po e adoptojmë citatin e Zylos si: Panarit more Panarit kakaris në furrikun e norvegjezit dhe vezët i bën në furrikun e bangladeshasit!
Cili jeni ju z. bangladeshas?!
Z. Mohammed Abaidul Karim është pronar i disa kompanive në Bagladesh si psh. Orion Group, Kohinoor Chemical Co LTD, apo bashkëpronar në kompani të tilla të tipit “joint Venture” si IEL Consortium and & LTD, Dutch Bungla Power& Associates LTD. Firmat në pronësi apo në bashkëpronësi të z. Mohammed janë marrë me lloj-lloj veprimtarish si psh. prodhim të produkteve për tualetet (banjot) të linjës Tibet, ndërtim gratacielash në Daka, kryeqyteti i Bangladeshit, ndërtim shfrytëzim TEC-esh me qymyr, aviacion, tekstile, pasuri të patundshme, ndërmarrje farmaceutike etj.
Dy fjalë për flamurtarët socialistë të integrimit europian
LSI-ja është një parti, që në emër ka si kryefjalë të saj integrimin europian. Parrulla elektorale e LSI-së në zgjedhjet e fundit ishte “ Të ecim më shpejt”. Pas rastit të këtij bangladeshasit na lind e drejta të themi se për LSI-në e kryetarit Meta, integrimi në Europë kalon nga Bangldeshi jo nga Norvegjia, sepse me bangladeshasit “gjërat” vërtet ecën më shpejt. Nuk ke se çfarë t’i bësh, tani e mbrapa për bujqësinë shqiptare rruga për në Bruksel kalon nga Bangladeshi!!!!!!!!
Ka zëra, që personalisht unë nuk dua t’i besoj se ky zotëria nga Bangladeshi merret edhe me pastrim parash duke përdorur shoqëri financiare të regjistruara në Holandë. Unë nuk u besoj këtyre zërave edhe për faktin se Z. Meta, që kur iu arrestua bashkëpunëtori Almir Rrapo në ato zyrat e Rrugës së Elbasanit, nuk merret absolutisht jo as me kokainë e as me pastrim parash.
Për zotin ministër Panariti shpreh keqardhjen time të sinqertë, që publikimi i këtij investigimi koincidon me kalimin në parlament të projekt-ligjit Veliaj për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, dosje me të cilat ka pasur lidhje edhe ministri Panariti, gjithnjë sipas deklaratave publike të publicistit Kastriot Myftaraj. Të kuptohemi drejt z. Ministër Kastriot Myftaraj, jo Kastriot Dervishi ish-drejtori i Arkivit të Minsitrisë së Brendshme, ku është depozituar pjesërisht edhe arkivi i ish-Sigurimit të Shtetit.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/