Nga BUJAR QESJA

Se kisha takuar në mos gaboj Florian Vlashin, që në verën e vitit 2003. Asokohe teksa drejtoja teatrin “A. Moisiu”, për herë të parë nisën të organizohen “Netët e muzikës klasike”. Florian Vlashi kishte bërë emër. Si profesionist, punonte në Orkestrën Simfonike të Galicisë në Spanjë dhe njihet si themelues dhe drejtues i grupit muzikor “Siglo XX”. Banimi i tij është në qytetin tërheqës të Corunës në Spanjë, ku laget tërë kohën nga oqeani Atlantik. Dhe kjo bienale nuk ka lëvizur tash 18 vite, duke u kthyer në fytyrën kryesore të veprimtarive verore në qytetin e Durrësit.

Floriani është djali i dytë i mitikut Gjegj Vlashi, të cilit për ditë e më shumë i falemi me fjalë nderuese, respektuese për çka bëri për Durrësin e tij dhe tonin. Në këtë linjë fatmirësisht është edhe i biri, Florian Vlashi, që krahas fisnikërisë së Gjergj Vlashit, ka marrë jo pak edhe nga urtësia e nënës së tij Shpresa Velaj. Floriani i është falur familjarisht muzikës. Ajo është kthyer në jetën e tij, në ëndërrën e tij, në frymëmarrjen e tij, në gjithça, në gjithçka, në gjithçka. Bashkëshortja është nga Lukaçët e njohur të Durrësit dhe të Tiranës. Ajo ka zgjedhur si bashkëshoqëruese në angazhimet profesioniste violonçelin. Dhe dy fëmijët i kanë të ndarë, Danieli ka kaluar në ekipin e violinës të Florit dhe Martini plotëson ekipin e Redianës nga violonçeli. Një kuartet i fuqishëm, gati i barabartë me miniaturën e një orkestre. Muzikë, muzikë dhe vetëm muzikë!

Kjo është kryefjala në familjen e Florian Vlashit, ndërsa i jati Gjergji lëronte me “traktorin” e tij, hapsirat e pafund të krijimtarisë letraro artistike.Familja Vlashi e themeluar nga babaxhani i kulturës dhe qytetarisë durrsake Gjergj Vlashi, ngriti katin e dytë të kështjellës së artit me Florian Vlashin, në përmasat e një orkestre, për të bërë të njohur këtë dinasti në Spanjë së pari, në vende të ndryshme të Europës së dyti, duke vazhduar të mbetet një gjenerator i fuqishëm, duke mbajtur të ndezura energjitë e artit dhe kulturës të qytetit afro 4000 vjeçar së treti.

Ky njeri i plotësuar, ky mik e bir miku, erdhi në konakun tim për të ndarë së pari buzëqeshje, optimizëm dhe ardhmëri bindëse, po pse jo edhe pak dhimbje. Kemi largimin nga jeta të kolosit tonë të letrave dhe të kulturës artistike Gjergj Vlashit, si dhe Renaton, vëllain e Rediana Lukaçit. Dhe koncertet e tanishme të Bienales së 10-të, të formatuara në siglën “Netët e muzikës klasike 2021” do t’i japin mesazhet e tyre. Do transmetojnë art dhe kulturë, për të kujtuar dhe mbajtur në mos harresë të mëdhenjtë tanë të artit dhe kulturës, ku padyshim Gjergji ynë mbetet kryekapitulli i tyre.18 vite Florian Vlashi vjen të kujtojë qytetin e lindjes, por jo thjesht si vizitor, por si një lajmëtar i vendosur për të ndikuar në kryelartësinë e kulturës së vendlindjes, qytet të cilin nuk lodhet së dashuruari.

“Unë e dua Durrësin edhe nëse kjo dashuri mund të më bëj dëm”, siç thotë Oviedo. Kështu shprehet Flori ynë i florinjtë.Erdhi tek unë. Na kishte marrë malli. Erdhi edhe me Redianin. Qendroi disa orë. Bisedat tona ishin nga më të ndryshmet. Kishin një emërues të përbashkët: përkushtimin ndaj artit dhe kulturës të qytetit tonë shumë të dashur Durrësit, por edhe nderimi për Gjergj Vlashin, që ne i thërritnim shkurt Xhoxhi. Flori po lodhet shumë. Para se të vijmë tek interpretimet solistike dhe në grup, përpara se të dëgjohen tingujt e magjishëm Stabat Mater e Pergolesi-t, në kuartetet e fundit të Beethoven-it, muzikën spanjolle për violinë, e deri tek Suitat e Bahut për violonçel solo. Interpretues të huaj dhe vendas.

Mrekullia e muzikës klasike, do të varet si një ogur i mirë në skenën drithëruese të “Aleksandër Moisiut”, ku Gjergj Vlashi krijoi estradën dhe e mbajti si mbretëreshë të humorit kombëtar derisa doli në pension.Por Flori ka dalë jashtë kornizës së një projekti. Ai sjellë tashmë edhe praktikën perendimore, por të mbrujtur me erën e artit të tokës mëmë. Jep edhe nga vetja. Një artist i vërtetë, bën art të vërtetë dhe i dhimbset arti i vërtetë dhe kërkon ta ruajë si sytë e ballit. Florian Vlashi nuk mund të harroj hapat e para, kur nisi të dashurojë rrugën e artit. Është mirnjohës deri në detajë. Kultura që zotëron është e shkallës sipërore.

Thjeshtësia gjithashtu. Modestia gjthashtu. Po gjithashtu edhe humori. Se si më është krijuar bindja, që Florian Vlashi nuk vendos shenja dallimi ndërmjet shokësh dhe miqsh. I respekton të gjithë njëlloj. Kur bën art nuk i veçon njerëzit, pasi tingujt magjikë që dalin nga instrumenti i tij që transmeton ndjenja dhe shpirt, është gjithpërfshirës.I thashë Florit:-Kur të shikoj ty, kur bisedojmë së bashku më duket sikur Gjergj Vlashi na dëgjon, e kemi pranë dhe duket se në çdo mendim tonin, marrim edhe miratimin e tij. Dhe Xhoxhi i urtë, dhe Xhoxhi fisnik, dëgjon dhe si zakonisht miraton me lëvizjen e kokës. Edhe kur të fillojnë netët klasike Flori, ti e din se Gjergj ynë po të dëgjon, atje tek vendi i zakonshëm, në lloxhën e krahut të majtë. Dhe muzika është edhe për të.

Dhe kjo muzikë për 10 ditë, bëhet për nder të tij, në atë vënd që ndërtoi nderin dhe prestigjin e tij, në atë vend që tashmë është kthyer në kujtimin dhe mos harresën e tij.Dhe të dalim atje ku e nisa pak më sipër. Në këtë Bienale, familja e Florian Vlashit ka prekur buxhetin familjar. Dhe për çfarë? Për artin, për kulturën durrsake, për artin dhe kulturën shqiptare. Kanë organizuar një konkurs me 4 gusht 2021, ku të marrin pjesë instrumentistë nga Durrësi, që nuk janë mbi stekën moshës së 18 viteve. Është vendosur një çmim: “Solisti i ri i Bienales 2021”. Ky çmim shoqërohet me pllakën e realizuar me qeramikë në Deruta (Itali). Por kjo punë nuk mbaron me kaq. Fituesi do të japë koncerte në Spanjë, i ftuar nga violinisti Florian Vlashi dhe bashkëshortja e tij, violonçelistia Rediana Lukaçi.

Të gjitha këto financohen nga familja e Florit. Dhe për të evituar çdo keqkuptim apo paragjykim, niset nga Italia për të marrë detyrën e kryetarit të jurisë violinisti solist italian Simone Gramaglia, pjesë e “Quartetto di Cremona”.Sikur të gjitha të bënin me kaq zemër dhe shpirt, me kaq dashuri dhe përkushtim, kështu si Flori gjërat sigurisht do të ishin më ndryshe. Nejse nuk është ky qëllimi i shkrimit. Florian Vlashi është në të njëjtën rrugë si i jati, mendimtari ynë Gjergj Vlashi që si pasuri të vetme dhe të pashtershme la punën e tij, emrin e tij, fama e të cilave është gdhëndur si vetë emri i qytetit.Ka disa ditë që ka ardhë në Durrës. Dhe si i jati, çdo minutë e ditës e planifikuar deri në detaje. Studion, takon njerëz, prek organizimin e punëve, rrufit kafetë miqësore të miqve të tij dhe të të jatit, një prej të cilëve jam edhe unë.Të falenderoj Flori për ardhjen në shtëpinë time të improvizuar! Bashkë kemi planifikuar edhe takime të tjera, që t’i sigurisht i ke në planet e tua. Mua më ke këtu. Je miku im i më i mirë.

Veç kësaj je edhe bir i mikut tim të jashtëzakonshëm Gjergj Vlashit. Realizuam një takim shumë të sinqertë, ku nuk folëm me tingujt e fjalës, por me tingujt e shpirtit, të atij shpirti që aq saktë e gatuan baballarët tanë.Do takohemi sërish Flori. Puna jote i ngjason plotësisht emrin tënd. Dhe ky është një përkim më shumë se i veçantë. Ti flet dhe nuk mburresh. Të dëgjon dhe nuk veçon arritjet e tua. Ti je një emër i madh, për ne durrsakët në tokën e huaj. Dhe ne e dimë fort mirë se çfarë do të thotë të shkëlqesh në tokë të huaj, me targën e pandryshuar të Durrësit tonë.Ti vjen në Durrës jo për të dhënë mënd, por për të nxitur identitetin tonë kulturor dhe për të shtyrë mundësitë më të mira tonat. Ti e don tokën tënde dhe i falesh njerëzve të saj.

Ti je as më pak dhe as më shumë Gjergj Vlashi në miniaturë.Pikërisht për të gjitha këto të duam Flori. Sepse urtësia popullore ka një sentencë të mënçur:”Duaj të të duan”.

Dhe ti na don të gjithëve. Prandaj edhe ne të gjithë të duam ty floriri ynë Flori.

Durrës: 24 korrik 2021