NGA BLEDAR KURTI

Në atë verë postkomuniste liria erdhi si një tundim i ëmbël dhe joshës, por shumë shpejt u kuptua që pa katarsis çlirimi nga një regjim, sado i egër e mizor të kishte qenë, nuk garantonte liri. Me sa duket, ferri nuk kishte qenë i mbushur vetëm me demonët që kishim lënë pas. Ferri ishin edhe njerëzit e tjerë.

Te vepra Huis Clos (Me dyer të mbyllura) Jean Paul Sartre shkruan: “Ferri janë të tjerët!”  

Në këtë vepër, tre shpirtra të mallkuar, Garseni, Inesi dhe Estela, përfundojnë në një dhomë në ferr. Në vend të torturave të tmerrshme ndëshkuese, gjejnë një dhomë të modeluar në stilin perandorak francez. Ata kuptojnë se nuk kanë përfunduar në atë dhomë rastësisht dhe janë aty pikërisht për ta bërë njëri-tjetrin të mjerë. Të tre krijojnë situata të vështira. Garseni kërkon të dalë. Dera hapet, por ai nuk mund të largohet dot. I tronditur dhe i dëshpëruar, Garseni e mbyll me këto fjalë:

Gjithë këto vështrime që po më hanë. Që po më gëlltisin mua. Çfarë? Ju jeni vetëm dy? Unë pandehja shumë më tepër. (Qesh.) Atëherë, ky na qenka ferri. S’kisha për ta besuar kurrë. A ju kujtohet se çfarë na është thënë për qelitë e torturave, flakët dhe squfurin, tokën e zjarrit. Ato tregimet e frikshme të plakave. Nuk paska nevojë për masha të nxehta që na shpojnë në trup! FERRI JANË TË TJERËT!

Anija Vlora e nisur më 7 gusht 1991 nga Porti i Durrësit, është një ndër ilustrimet më tragjike të ferrit të shkaktuar nga të tjerët, pra nga vetë ne. Elementi më tragjik i atij eksodi ishte ferri që i shkaktuam njëri-tjetrit.

Perdja e hekurt kishte rënë, por ne ende vazhdonim ta bënim njëri-tjetrin të mjerë. Ndoshta pa asnjë arsye. Ndoshta thjesht sepse dinim. Ku ishte vëllazëria e bashkëvuajtësve? Ku ishte solidariteti? Torturuesit nuk ishin më – përse nisëm të torturojmë njëri-tjetrin? A fshihet brenda njeriut dëshira për t’u ushqyer me dhimbjen e vëllait? Përse eksitohet e përndizet viktima kur viktimizon të tjerët? Pra, ferri janë të tjerët.

Në verën e vitit 1991, pak ditë pasi kisha marrë rrogën e dytë prej 250 lekësh të reja, në Drejtorinë e Monumenteve të Kulturës, u bëra katërmbëdhjetë vjeç. Ishte data shtatë gusht dhe ishte ditëlindja ime.

Me të arritur në punë, i thashë brigadierit që të më linte të shkoja herët në shtëpi me rastin e ditëlindjes. “Sot jemi për në Porto Romano”, – ma ktheu ai. – “Do të pastrojmë shkurret te muret e portës romake. Mbaro shpejt e shpejt dhe ik pastaj”.

Kur arritëm në Porto Romano, një gji i vogël deti paksa në veri të qytetit, brigadieri na ndau detyrat. Pas tri orësh nën diellin përvëlues, i lumtur se e kisha kryer punën time, i kërkova të largohesha sipas marrëveshjes që kishim bërë. “Eh, çfarë halli kam unë e çfarë halli ke ti”, – ma ktheu ai. – “Gruas sime i ka dalë një puçërr në bythë dhe i dhemb aq shumë, saqë kam tri javë pa bërë gjë. Mbeta duke i rënë me dorë! Por mirë, ja mbaro edhe këtë faqen këtu dhe mund të shkosh në shtëpi”. Ashtu bëra. M’u desh edhe një orë tjetër, por arrita ta përfundoja. Kur i kërkova sërish të largohem, pasi e kisha zbatuar kushtin e marrëveshjes së re, ai sërish u ankua për bythën e gruas, masturbimin dhe përsëri më dha një detyrë tjetër. Kjo tallje zgjati edhe disa herë të tjera, derisa vajti ora zyrtare për të lënë punën. Me kokën ulur, tejet i mërzitur nga ofendimi, i habitur se si një qenie njerëzore mund të tallej ashtu me një fëmijë dhe i trullosur nga imazhi që krijova në kokë nga puçrra në bythën e gruas së brigadierit, u nisa për nga stacioni i autobusit.

Në rrugën kryesore kishte një lëvizje të pazakontë automjetesh. Autobusi nuk po vinte. Pashë që po afrohej një kamion Ziz me njëzet burra dhe gra të hipur në rimorkion e pasme. Ia bëra me dorë të ndalonte dhe hipa edhe unë me ata. “Është hapur porti përsëri”, – më tha një burrë. – “Po nisen anijet për në Itali. Edhe ne po ikim”. Me të arritur në qytet, zbrita duke u hedhur sapo Zizi uli shpejtësinë dhe nxitova me vrap për në shtëpi, i pushtuar nga gëzimi fëmijëror i ditëlindjes dhe kureshtar se çfarë ushqimi të veçantë do të kishte gatuar mamaja për atë rast.

Ngjita nxitimthi shkallët deri në katin e tretë të pallatit parafabrikat, i gjithi ngjyrë gri, me atë ngjyrën e purgatorit, siç ishte ngjyer e gjithë Shqipëria. Sapo hapa derën, gjeta mamanë duke qarë. “Iku babi”, – më tha. – “Iku me anije për në Itali”. Sytë më zunë një shalqi të madh në aneks dhe katër pjata sultjash. Me sa dukej, ai ishte ushqimi i veçantë për ditëlindjen time.

Ndonëse i uritur dhe i etur, ia mora vrapit për në Portin e Durrësit. Kur arrita aty, pashë anijen “Vlora” të mbushur me aq shumë njerëz, saqë më dukej sikur po fundosej në det. Çava përmes mijëra njerëzve në dokun e portit dhe iu afrova bashit, më pas harkut bulbor të anijes. Ndonëse nuk kishte më vend për asnjë frymë tjetër, njerëzit vazhdonin të ngjiteshin sa nga shkallët aq edhe nga litarët. Nën atë panoramë tronditëse kërkoja me sy të dalloja babanë, por nuk e gjeja dot. Derisa dëgjova një zë që më thirri në emër. Ishte ai. “Më sill ujë. Të lutem. Jam i tharë. Po vdes nga vapa. Më pihet ujë. Shko bli ujë dhe ma sill të pi e ta kem për rrugës”. Nën atë diell përvëlues të gjithë ata që ishin në kuvertën e anijes po vdisnin nga të nxehtët. Unë çava përmes mijëra njerëzve në kërkim të një dyqani. Arrita të gjeja një kioskë dhe bleva vetëm dy bidonë, pasi aq para kisha me vete. Çava sërish midis njerëzve të cilët ishin edhe më të shumtë e më të dendur se më parë. “Më prit”, – mendoja unë si hero. – “Më prit. Po vij të të sjell ujë”. Por anija ishte nisur dhe vura re me mijëra duar që valëviteshin në shenjë lamtumire. Ndër ato duar ishin edhe ato të babait tim.

Ai brigadieri i cili u tall me një fëmijë si unë, nëse do të më kishte lejuar të shkoja në shtëpi më herët, siç më premtoi, do ta kisha përqafuar babanë tim ose të paktën do t’i kisha blerë dy bidonë me ujë. Ai nuk i përkiste ish-kastës komuniste. Ishte një fshatar i pashkolluar nga rrethinat e Shijakut dhe pozicioni që kishte, ishte të urdhëronte vetëm dy punëtorë më të mbaruar se vetë ai dhe një fëmijë si unë. Edhe ai kishte vuajtur nën komunizëm sikurse të gjithë shqiptarët. Por ja, torturuesit nuk ishin më. Përse ai zgjodhi të më torturonte mua?

Nëse dikujt ky mund t’i duket thjesht një akt minimal tallës dhe krahasim i pavend për sjelljen e një shoqërie pas komunizmit, atëherë le të udhëtojmë së bashku në kohë me anijen “Vlora”, për të mësuar se si marrëzia nuk ishte çrrënjosur ende nga planet afatgjata të regjimit dhe nga shumë zemra në mes të këtij populli. Disa elemente të atij eksodi janë mbajtur të pathëna si në media ashtu edhe në diskutimet e hapura publike.

Historia nis me atë çfarë ndodhi në bordin e anijes “Vlora”, më datë 7 gusht 1991.

Rrëfim nga përjetimi i babait tim, Rrapi Kurti:

Të etur e të përvëluar nga dielli, njerëzit u vërsulën në kuzhinën dhe mensën e anijes. Aty kishte punonjës që u jepnin njerëzve vetëm një garuzhde me ujë për person. Pasi uji mbaroi, të tjerët mbetën pa pirë deri të nesërmen kur arritën në Itali.

Nuk e kuptuam se çfarë kishte ndodhur, por në bord të anijes kishte ushtarë të vrarë të cilët ishin të mbuluar me batanije. Poshtë në hambar kishte tonelata me sheqer dhe mbi kapakët që mbulonin hambarin gjendeshin disa ushtarë të vrarë. Ne i dalluam menjëherë që ishin ushtarë nga spaletat dhe qethja e flokëve. Ajo anije po lundronte me njëzet mijë njerëz në kërkim të një jete më të mirë, ndër ta shumë gra shtatzëna dhe fëmijë. Por ai ishte udhëtim makthi. Shumë burra dhe gra u hodhën në det nga njerëz të panjohur. Gjatë natës dëgjonim ulërima dhe shumë banda të armatosura me thika të gjata tmerronin njerëzit. Trauma e eksodistëve dhe smerilimi i lirisë që kishim ëndërruar nisi që në bordin e anijes.

Me të arritur në bregun italian, rojat bregdetare do ta patrullonin rreptësisht anijen “Vlora” dhe ende pa u ankoruar në kalatën e portit, njerëzit nisën të hidheshin në det për të shuar të nxehtin që u kishte pushtuar trupin. Isha në gjendje të fikëti. Diellin e kisha mbi kokë. Nuk munda të duroj më dhe u hodha nga dymbëdhjetë metra lartësi. Kur preka ujin, forca e hedhjes më çonte thellë e më thellë nën ujë. Luaja këmbë e duar për t’u ngjitur, por vazhdoja të zhytesha. Ngrita kokën lart dhe drita e diellit sa vinte e zvogëlohej, derisa u bë terr. As edhe një rreze drite. Ky ishte fundi, mendova. Kujtova dy djemtë e mi dhe gruan. Nënën time, motrën dhe vëllain. Këmbët dhe duart më ishin mpirë dhe fryma po më mbaronte, megjithatë vendosa të shtyj me çdo muskul të trupit dhe me çdo grimcë të shpirtit të përpiqesha të shpëtoja. Nisa të ngjitem lart. M’u duk një përjetësi. Zot, më trego dritën. Të lutem, më trego dritën. Shtyva dhe u përpëlita derisa pashë një pikë të vogël drite e cila zmadhohej teksa ngjitesha gjithnjë e më shumë. Më në fund, dola në sipërfaqe, si një njeri i ringjallur nga vdekja.

Pas disa orësh na strehuan të gjithëve brenda stadiumit të Barit. Policia italiane e rrethoi stadiumin dhe na hidhte me helikopter ushqime e pije. Ne vërsuleshim si kafshë për të marrë diçka për t’u ushqyer dhe për të shuar etjen. Shpeshherë nuk ia dilnim, pasi kishte disa banda që vrisnin me sëpata e bajoneta këdo që merrte pakot me ushqime. Netët ishin të tmerrshme. Për shkak se ishte muaj i nxehtë, askush nuk e mori me mend që natën do të bënte aq ftohtë dhe ne ishim të veshur me bluza të holla, madje shumë burra ishin gjysmëlakuriq.

Kur erdhi mesnata, bashkë me të ftohtët nisën edhe përdhunimet. Shumë gra dhe vajza u përdhunuan sistematikisht gjatë atyre netëve brenda stadiumit të Barit. Ishte një terror përtej çdo imagjinate. Një dramë e gjallë. Që kur na strehuan brenda në stadium, e gjithë ajo hapësirë kontrollohej nga disa banda shqiptarësh të cilat ishin të armatosura. Madje njëra prej tyre kishte edhe një qen të egër që e mbanin me zinxhir. Si u armatosën, mendova unë. Po këtë qenin e egër ku e gjetën?

Njëra bandë njihej si e Laprakës, të tjerat si të Tiranës. Njëri prej drejtuesve të bandave, të cilat përbëheshin nga shtatë a tetë veta, mbante në kokë një kapelë kaubojsh, ndërkohë që pistoletën e mbante në brez.

Çdo mbrëmje këto banda shkonin nga njëri grup njerëzish tek tjetri, të shpërndarë në shkallët dhe fushën e stadiumit, zgjidhnin gratë dhe vajzat që u pëlqenin dhe i përdhunonin. Në një rast, më thirrën disa të njohur që të shkoja e t’i flisja Kujtimit, i cili punonte në të njëjtën ndërmarrje me mua. E kishin gjetur duke varur veten brenda një magazine nën shkallët e stadiumit. Kur shkova unë, ai ishte me një shkop në dorë me të cilin godiste dyshemenë. Bam, bam, bam dhe vërtitej nëpër dhomë. Bam, bam, bam. Sytë më kapën litarin që ishte ende varur në një tra metalik. E shthura nyjën dhe e mora litarin me vete. I fola, por ai vazhdonte të vërtitej dhe të godiste dyshemenë me shkop. Shoqja e tij me të cilën ishte takuar në anije, ishte përdhunuar një natë më parë. Ndoshta e kishin përdhunuar edhe vetë atë. Sytë e tij përpiqeshin të më thoshin diçka. Unë arrita të lexoja dhimbjen në ta dhe vuajtjen që kishte në shpirt. Por, ashtu si edhe njëzet mijë të tjerët në atë geto, isha i pafuqishëm.

Natën e dytë, teksa po ngrohesha bashkë me disa të tjerë në një zjarr të vogël me kartonë që kishim ndezur në shkallët e stadiumit, disa metra më poshtë ishin disa emigrantë nga Lushnja. Njëra prej bandave të armatosura, e kryesuar nga një burrë trupmadh i cili kishte vënë parukë të gjatë për t’u maskuar, iu afrua njërit dhe nisi ta godiste me shkop në kokë. Unë dëgjoja një tingull të thatë që jehonte deri te ne dhe mendova se ai po godiste shkallët e stadiumit e jo atë, por ajo zhurmë e thatë ishte koka dhe brinjët e lushnjarit. “Aman, mos më vrisni. Jam baba i pesë fëmijëve. Ma kurseni jetën. Aman, mos më vrisni. Aman, kush do të ushqejë fëmijët e mi. Mos më vrisni. Mos më vrisni”. E lanë për të vdekur. Nuk e di nëse vdiq apo jetoi.

Adrenalina bëri të vetën dhe emocionet e tmerrit na pushtuan trupin duke na shndërruar edhe ne në bisha. Kur flinim, mbanin hunj e hekura në dorë në rast se na sulmonin. Nuk ishte më Italia ëndrra jonë e madhe, por mbijetesa.

Për shkak se netët ishin të ftohta, njerëzit nisën të thyenin çdo derë që gjenin në kërkim të një mbulese, rrobe apo çadre me të cilat mund të mbanin veten ngrohtë gjatë natës. Dhe ja u gjet një magazinë me materiale sportive ku siguruam mjete rrethanore për të fjetur ngrohtë gjatë natës. Por në atë magazinë kishte edhe gjyle, shtiza, sëpata dhe mjete të mprehta. Me të rënë në duart e bandave, njerëzit brenda stadiumit u shndërruan në shënjestra për rrokje. Shumë njerëz u vranë me shtiza të cilat ua depërtuan trupin tej e përtej. Disa të tjerë me goditje gjyle e sëpata në kokë. Kush mbante në duar ushqime apo rroba, bandat i bënin pritë dhe e godisnin me shkopinj bejsbolli.

Dy ditët e para u vranë shumë njerëz. Të ulur në shkallët e stadiumit, shikonim të tmerruar se si shumë burra dhe gra goditeshin me shtiza në bark, pas shpine apo me gjyle e shkopinj mbi kokë. Më pas hidheshin në cepat e stadiumit dhe mbuloheshin me plastmasë.

Një mëngjes pamë një ushtar që vraponte nga njëra anë e stadiumit tek tjetra dhe bandat e ndiqnin me shtiza në dorë. Ai u shpëtoi shumë shtizave, por njëra prej tyre e zuri dhe e depërtoi mespërmes. Klithma e tij u dëgjua nga të gjithë ne.

Ferr. Ai eksod ishte ferr. Flakët po i ndiznim vetë për njëri-tjetrin.

Ferri janë të tjerët.

“Ne jemi një racë e veçantë që s’mund të kuptohemi veç mes veti. Por jemi kaq të paktë, saqë në rrokullimën e zezë të botës, mes së cilës vërtiten shpirtrat njerëzorë, rrallë, shumë rrallë, një herë në një mijë, ndoshta dhjetë mijë vjet, mund të na qëllojë të ndeshemi me ndokënd të gjindjes sonë,” – shkruan Ismail Kadare te libri Pasardhësi, ku i referohet enigmës më të madhe në historinë e Shqipërisë komuniste: vdekjes misterioze të pasardhësit të diktatorit komunist. Por, përtej asaj ngjarjeje, këto fjalë janë edhe dëshmi për ferrin që shqiptarët vazhduan të përjetonin edhe pas periudhës diktatoriale, duke shtuar flakët për pjekjen e njëri-tjetrit, duke shtuar squfurin për djegien e njëri-tjetrit, duke baltosur edhe më shumë për shfarosjen e njëri-tjetrit, duke krijuar vetë ferrin për njëri-tjetrin.

Një mëngjes, para disa muajsh, më ndodhi që të dëgjoja dy burra tek të gjashtëdhjetat që e përshëndetën kështu njëri-tjetrin në rrugë:

“Gjallë qenke ti? Po vdis o dreq që të hamë ndonjë copë hallvë.” “Hallvën do e ha unë i pari, – iu përgjigj tjetri, – se s’ke për ta pasur shumë të gjatë, o rrotë”. 

Shqiptarët janë një popull liberator dhe të besës. Vetë fjala “besë” rrjedh nga “besim”, pra besojmë tek njëri-tjetri, ndaj gjithësecili prej nesh duhet të jetë krenar që i përket vendit të shqiponjave, por ndryshe nga shqiponjat reale të cilat vetëm pak prej llojeve të tyre emigrojnë, ne jemi shqiponja emigratore që jemi shpërndarë në të gjitha skajet e globit, pasi kurrë nuk kemi arritur dot të ndërtojmë një shtëpi të begatë të përbashkët në këtë vend. Dhe arsyeja përse nuk kemi arritur dot është sepse nuk kemi kryer kurrë katarsis dhe nuk e kemi parë kurrë në sy të vërtetën. 

E vërteta. Vetëm e vërteta mund të na çlironte. Por në vend të saj jemi syrgjynosur anëembanë botës në vend që të shplaheshim prej fajeve të së kaluarës, të spastronim horrat dhe mendësinë torturuese të atyre që diktojnë fatet e shqiptarëve.

E vërteta, si kjo e vërtetë e anijes Vlora e cila nuk ka shërbyer aspak si mësim për të ardhmen tonë dhe brezat e rinj.

Anija Vlora kishte 20,000 mijë shqiptarë në bord kur arriti në Bari, pas refuzimit dhe bllokadës që iu bë për t’u ankoruar në Brindisi. 17, 400 prej tyre u riatdhesuan në Shqipëri ose përmes shpërblimit prej pak liretash ose me detyrim (me qenë, forca policie dhe të trasportuar në Rinas me avionë ushtarakë), ndër ta edhe babai im. Qeverisë shqiptare iu dhanë 90 miliardë lireta për ushqime dhe 60 miliardë lireta për industrinë dhe shkollat. Kjo ndihmë u dha që të mos kishte më eksode të tjera. U mbajtën zyrtarisht vetëm 1,500 shqiptarë, vetëm ata që paraqitën kërkesë për strehim politik. Por, gjatë 30 viteve në vazhdim, azili ekonomik dhe kërkesat e shqiptarëve për strehim politik në vendet perëndimore do rriteshin gjithnjë e më shumë. Në shifrat alarmante që jemi sot.

U larguan nga një vend i mrekullueshëm dhe i bekuar nga Perëndia por i sterrosur nga njerëzia, nga ajo që Jean Paul Sartre e quajti: FERRI JANË TË TJERËT.