Nga kontrollet policore të bëra në vend tek automjetet e shtrenjta ose të luksit, Policia Rrugore njofton se në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 123 drejtues mjetesh. Bëhet e ditur se nga kontrollet policore janë gjetur mangësi në dokumentacion si dhe shkelje të ndryshme që lidhen me normat e sjelljes në rrugë.

Në të gjithë vendin përgjatë kësaj jave janë ndëshkuar me masë administrative 123 drejtues mjetesh të kësaj kategorie, shumica e të cilave nga Policia Rrugore e Tiranës për mangësi në dokumentacion, për gara shpejtësie, për manovra të rrezikshme në rrugë, mos vendosje targash në vendin e caktuar, për errësim të xhamave jo në përputhje me udhëzimin e organeve përkatëse.

Theksohet se janë proceduar penalisht disa drejtues mjetesh që kanë falsifikuar certifikatat e errësimit të xhamave.

Gjithashtu,  Policia Rrugore e Durrësit në bashkëpunim me Forcat Shqiponja kanë ndaluar një mjet  tip “Benz” i blinduar në pronësi të F. A., me drejtues  L. S, i cili qarkullonte i pa pajisur me autorizimin nga organet kompetente.

Për rastin, është vënë një gjobë  12.000 lekë të reja si dhe është sekuestruar automjeti.