Nga Andi Bushati
Sot kanë ndodhur dy ngjarje, në pamje të parë pa lidhje me njëra- tjetrën, por që tregojnë shumë për mënyrën sesi do të zhvillohet fushata elektorale që kemi në prag.
E para ka të bëjë me konfirmimin zyrtar se opozita do të hyjë e përçarë në zgjedhje, fiks ashtu sikurse e donte Edi Rama me grisjen e marrëveshjes së 5 qershorit dhe ndryshimet e njëanshme të kushtetutës. Koalicioni i dakordësuar në selinë e PD-së konfirmoi se në dokumentin që do të dorëzohet në administratën zgjedhore, LSI mungon.
E dyta ka të bëjë me konferencën e zhvilluar në presidencë, ku Ilir Meta i ktheu mbrapsht parlamentit votimin me aq vota sa do ta kishte zili edhe diktatura më e egër, për të zgjatur me 13 vjet afatin e koncesionit të aeroportit të Rinasit. Sipas kreut të shtetit, ky dyfishim periudhës së shfrytëzimit të një pasurie kombëtare, pa garë dhe tender, përbën një akt klientelist dhe preferencial, që shkel njëkohësisht ligjin dhe kushtetutën.
Duke parë se LSI ka mbetur jashtë koalicionit të cilit i prin PD- ja dhe duke vëzhguar se Ilir Meta, si lideri de fakto i saj, ndryshon shumë nga Lulzim Basha, në mënyrën se si e ka zhvilluar përballjen ndaj klientëve të Ramës, përfituesve të koncesioneve, favoreve apo privilegjeve që ai u ka shpërndarë, nënkuptohet edhe një arsye e shëndoshë se përse dy partitë e mëdha të opozitës sot nuk gjenden përkrah njëra tjetrës.
Ndërsa Ilir Meta po kthen mprapsht koncesionin e Rinasit, ndërsa pak kohë më parë ai hodhi të njëjtin hap për heqjen e rentës minerare, Basha është mjaftuar në këto raste vetëm me një deklaratë sa për të larë gojën dhe nuk e ka përdorur kurrë kazusin e fuqishëm që i ka ofruar presidenca, për ta shndërruar në argument politik.
Ndaj nuk është aspak herezi të konstatosh se një nga arsyet se përse PD dhe LSI po dalin të përçarë në zgjedhje, duhet kërkuar në qëndrimin që ata mbajnë ndaj oligarkëve të Ramës.
Natyrisht, në këtë dyzim nuk mund të bëhet një ndarje me thikë, mes të mirit dhe të keqit, të moralshmit dhe të pa moralshmit. Qasja duket se është thjeshtë taktike.
Nga njëra anë Ilir Meta mendon se është e pamundur të përmbyset Rama pa luftuar oligarkët e tij. Ai është i qartë se çdo lloj indulgjence ndaj tyre është zvoglim trysnisë publike mbi kryeministrin, se ajo përkthehet në më shumë para për të blerë mediat dhe për të vjedhur votat, në favor të tij.
Me një naivitet proverbial (nëse nuk i besohet atyre që aludojnë për një pakt të fshehtë), Basha beson se mundet ti rëmbejë kolltukun Ramës duke kursyer kollonat financiare që e mbajnë në këmbë atë. Atij i mungon besimi dhe fuqia për të imagjinuar një opozitë të pa mbështetur nga klientët e regjimit e aq më tepër në një betejë të hapur me ta.
Natyrisht që ky nuk është hendek i vogël. Këto dy rrugë të ndryshme për të arritur tek i njëjti qëllim, e bëjnë të pamundur futjen në një llogore të LSI dhe PD. Përndryshe, brenda të njëjtit istikam ata do i binin, dikush gozhdës e dikush patkoit.
Prandaj sa herë që dëgjoni se demokratët dhe lësëistët po hynë veç në zgjedhje për të ruajtur identitetin politik mes të majtës dhe të djathtës, se ata po e bëjnë këtë për të maksimalizuar votën, mos harroni edhe një detaj: ata nuk janë bashkë, për shkak të qasjes së ndryshme ndaj oligarkëve të Ramës.