Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bën me dije përmes një postimi në rrjete sociale se situata me zjarret në vend është përmirësuar.

Më tej, ministri njofton se të gjitha vatrat që ishin në fshatrat Thirrë, Munellë e Domgjon në bashkinë Mirditë janë shuar.

“Në të gjithë vendin kanë mbetur pak vatra zjarri ende të pashuara, ndërsa tashmë është fituar beteja në Karaburun e Dukat.Të gjitha vatrat që ishin në fshatrat Thirrë, Munellë e Domgjon në bashkinë Mirditë janë shuar. Mbetet ende një vatër në fshatin Patalej në bashkinë Lezhë, ku është angazhuar edhe një mjet helikopter për shuarjen e flakëve nga ajri. Por situata është nën kontroll. Në Majën e Rrunës, në njësinë administrative Malzi të Kukësit situata është nën kontroll. Po punohet për shuarjen përfundimtare edhe të disa vatrave të vogla. Është raportuar një vatër zjarri në zonën pyjore, në malin e Tërbunit në Pukë, ku janë angazhuar forcat e shërbimit pyjor, të zjarrfikëses, Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe banorë të zonës për të vënë situatën nën kontroll.”, shkruan Peleshi.