Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Athinë. Një nëne 28-vjeçare shqiptare ia rrëmbeu foshnjën e sapolindur një grua 45-vjeçare, e cila dy muaj më parë kishte kryer një abort me fëmijën e tretë. Nëna shqiptare ishte në gjumë kur ndodhi ngjarja. 

45-vjeçarja greke, nënë e dy fëmijëve të moshës 4 dhe 10 vjeç, mori foshnjën e porsalindur, e mbështolli me një triko dhe u largua me taksi për në shtëpi.

Pasi abortoi fëmijën e saj, ajo pretendonte se ishte shtatzënë për muaj të tërë dhe foshnjën që rrëmbeu ia prezantoi bashkëshortit si të ishte fëmija i tyre. Shtatzëninë e fshehu për 2 muaj, pasi ishte mbipeshë, ndërsa partnerit i tregonte ekzaminime mjekësore të rreme.

Ndërsa shqiptarja, pasi lindi, u dërgua në një dhomë në katin e parë të maternitetit dhe më pas i çuan foshnjën, që qëndronte në shtratin e parë pranë derës. Rreth orës 04:45, maminë e zuri gjumi pasi ushqeu fëmijën me gji. Pak më vonë u zgjua nga një zhurmë e çuditshme dhe pa hije në korridor, shkruajnë mediat greke.

Brenda pak çastesh kuptoi që foshnja ishte zhdukur dhe nisi të bërtiste me të madhe nëpër korridore. Ndonëse tentuan të mbyllnin të gjitha portat për të parandaluar rrëmbimin, ishte tepër vonë.

Kur e çoi në shtëpi, gruaja nga Greqia i tha partnerit se lindi në një spital me metodën cezariane, por u largua shpejt se nuk donte të qëndronte. Ishte fqinja që e tradhtoi duke lajmëruar policinë për të dëshmuar të gjithë të vërtetën.

Foshnja, pasi iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore dhe analizës së ADN-së u konfirmua se ishte me të vërtetë fëmija i porsalindur i 28-vjeçares.

45-vjeçarja u arrestua dhe u dënua nga Gjykata Penale e Athinës me 9.6 vjet burg për rrëmbimin e një të mituri nën moshën 14 vjeç. Ndërsa Gjykata Administrative e Shkallës së Parë të Athinës vendosi që spitali të dëshmpërblente prindërit duke i dhënë secilit prej tyre nga 15 mijë euro.