Shqipëria u rendit në mesin e vendeve e normën të lartë të popullsisë në moshë në punë që nuk aktivizohet në forcën e punës.

Sipas përllogaritjeve të INSTAT në vendin tonë popullsia, që nuk do të punojë dhe që kategorizohet në statistika, si grupi inaktiv, zuri 32.5% të totalit të popullsisë mbi 15 vjeç, duke u renditur e shtata në Europë për normën më të lartë të popullsisë inaktive. Ky tregues ishte më i lartë në 6 vende të tjera Europiane, si Greqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Italia, Mali i Zi dhe Turqia ku popullsia inaktive arriti në intervalet 32.6-45.1 %. Niveli më i lartë në Europë i përket Turqisë.

Në Shqipëri popullsia jo aktive në tregun e punës pësoi rritje të ndjeshme në vitin 2020. Si rrjedhojë e krizës ekonomike që u krijua nga pandemia shumë persona u dekurajuan të kërkojnë punë pasi mendojnë se nuk gjendet një e tille. Në vitin 2020 shkalla e inaktivitetit shënoi rritje vjetore me 1.2 pikë përqindje.

Në të gjithë Europën përqindja e popullsisë inaktive jashtë forcës së punës ishte në trend në rënie, nga 32.3% në 2002 në 26.6% në 2019. Por në vitin 2020, ky tregues u rrit me 0.5 pikë përqindjeje, duke arritur në 27.1% si rrjedhojë e efekteve të pandemisë.

Punësimi në Shqipëri përballet me nivel të lartë informaliteti, që së paku me treguesit zyrtar është 34%. Sipas të dhënave të INSTAT nga anketa e forcës së punës në fund të tremujorit të parë 2021 u raportuan të punësuar 1,138,604 persona, por vetëm h 35% e tyre nuk paguan sigurimeve shoqërore.

Popullsia jashtë forcës së punës përfshin persona që janë në moshë pune, por nuk janë të punësuar dhe gjithashtu nuk kategorizohen të papunë, pasi nuk janë në dispozicion ose nuk kërkojnë punë për një larmi arsyesh, për shembull, sepse po studiojnë, kujdesen për një anëtar të familjes ose janë të paaftë për punë.

Por ndryshe nga Bashkimi Europian në Shqipëri popullsia që merr pjesë në forcën e punës, që dëshiron të punojë dhe nuk gjen punë është shumë e lartë. Kjo pjesë e popullsisë në moshë pune konsiderohet “e papunë”. Shkalla e papunësisë në Shqipëri arriti në 11.8 për qind në fund të vitit 2020 me një rritje vjetore prej 0.7 pikë përqindje.

Pjesëmarrja e popullsisë në forcën e punës u përmirësua ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Rekordi arriti në vitin 2019, ku 69.7 për qind e popullsisë 15-64 vjeç ishin në punë ose në kërkim të një pune. Në vitin 2017 ky tregues ishte 65.9%.

Duke analizuar forcën e punës sipas grup-moshave të popullsisë shihet se po reduktohet me ritme të përshpejtuara forca e punës tek të rinjtë 15-29 vjeç. Në të kundërt, numri i pensionistëve në punë po rritet. Sipas të dhënave të INSTAT numri i personave mbi 64 vjeç që janë raportuar në punë arriti në mbi 86 mijë në tremujorin e parë të vitit 2021 me një rritje 30 % në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. /Monitor