Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë së fundmi një udhëzim që parashikon mbrojtje deri në 3 muaj për të gjithë ata punonjës apo drejtues të policisë së burgjeve të cilëve gjatë ushtrimit të detyrës së tyre u rrezikohet jeta, familja apo prona nga kërcënime të personave të tretë.

Sikurse parashikon udhëzimi, këta punonjës kanë të drejtë të marrin mbrojtje të veçantë fizike nga Policia e Shtetit.

Në rastet kur është i pamundur garantimi i mbrojtjes nga Policia e Shtetit, ofrohet mbrojtje e veçantë nga struktura e posaçme e Policisë së Burgjeve, sipas udhëzimit.

I kërcënuari duhet të bëjë një kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë, e cila shqyrtohet brenda 24 orëve. Përgjatë 10 ditëve në vijim pas vendimit që e merr në mbrojtje, i kërcënuari duhet të paraqesë prova e dokumentacion shtesë që të vërtetojë që është në rrezik.

Në rast se të kërcënuarit si pjesë e administratës së burgjeve i refuzohet mbrojta, i lind e drejta të ankohet më gjykatë. Udhëzimi ka hyrë në fletoren zyrtare dhe mban datën 30 korrik 2021.

Kujtojmë se pak ditë më parë, sipas deklarimeve të bëra në media, gjatë tentativës për arratisje, të burgosurit Arbër Çeka dhe Fatmir Pjetri kërcënuan policin që i pengoi të largohen duke e dështuar përpjekjen e tyre.